Une ve doren ne zjarr per familjen time Pikat e intervistes se Kryeministrit me Rudina Xhungen

Unë vë dorën në zjarr për familjen time  Pikat e intervistës së Kryeministrit me Rudina Xhungën

"Mua më akuzojnë për të gjitha. Nuk ka asnjë akuzë të formulueshme nga fantazia njerëzore që nuk e kam dëgjuar për veten. Që nga njeri i Al Quaeda-s, tek homoseksual që mundet të kisha qënë, por nuk jam, tek padrino, pastruesi më i madh i parave në Ballkan. Këto janë të pavërteta. Absolutisht im vëlla nuk ka asnjë lidhje me partneritetin e TVSH-së."

"Unë dëgjova një akuzë për një proçes transparent, me proçedurë ndërkombëtare, për zonën ekonomike të Spitallës dhe vetëm për faktin që im vëlla ishte shoqëruar me një shokun e tij që nga emigracioni në Amerikë, që është sipërmarrës dhe është i lidhur me kompaninë që mund të ishte fituese, unë i kërkova ministrit anullimin. Unë vë dorën në zjarr për njerëzit e familjes time."

"Ç'ka e bën të funksionojë këtë histori është abuzimvizmi i medias, mediokriteti, bashkëfajësia e medias, është dhe fakti që dhe ata që marrin përsipër të jenë të paanshëm, nuk lexojnë kurrë asnjë rresht, nuk konsultohen kurrë me ekspertë. Në këtë lloj ping pongu preferojnë të bëjnë autoritetin epror, këtu të gjithë janë njësoj, të gjithë hajdutë, të korruptuar dhe vetëm këta kokrrat e heronjve të analizën mediatike janë të ndershëm dhe i shohin gjërat nga lart. Nëse politika këtu ka shumë mëkate, media nuk ka asnjë mëkat më pak."

"Unë do isha shumë i nderuar që Vilma Nushi të ishte mikja ime, sepse është një zonjë e jashtëzakonshme, biznesmene e suksesshme, një nga taksapagueset më të mëdhaja. Por në fakt nuk është."

"Koço Kokëdhima ka qënë i fuqishëm përpara se unë ta njihja. Unë jam bërë mik me të sepse ai ishte i njohur. Unë në Bashkinë e Tiranës nuk kam asnjë kontribut të posaçëm për kompanitë e Koços. Sipërmarrësit e suksesshëm meritojnë vetem respekt. Është turp të marrësh nëpër gojë sipërmarrësit."

"Ka shumë njerëz që janë në pamundësi për punë, por, ka dhe shumë njerëz që nuk duan të kuptojnë se nëse do punë, punën duhet ta kërkosh dhe punës nuk duhet ti bësh naze. Pra, midis njerëzve që duan një rrogë pa punë dhe njerëzve që duan një punë për të marrë një rrogë mua më shqetësojnë këta të dytët, të parëve nuk ju kemi asnjë borxh. Kam parë jo pak njerëz që thonë e dua një punë po e dua në shtet, në doganë. Ndërkohë që punë ka në Shqipëri, ka punë në call center, në fasonëri, janë dhe mijëra vende pune që duan profesionistë."

"Në qoftë se ne Rilindjen e kemi menduar që votuam, ja fusim gjumit dhe pastaj të nesërmen do hapim sytë dhe do na vijë te shtëpia puna e do na thotë "erdha xhan, tani cohu se u bë vonë, hajde ikim bashkë atje ku jam unë." Kjo ska lidhje me rilindjen. Është proçes që kërkon shumë sakrifica, shumë durim dhe garantohet me reforma, reforma, reforma."

"Do ta vendosë Kongresi nëse do ketë garë apo jo [në PS]. Kjo është një joçështje në këndvështrimin tim, pasi është shumë e thjeshtë. Ne fituam zgjedhjet në 2013 dhe statutin e kemi shkruar përpara, nuk e kishim menduar kur të ishim në pushtet, por jemi munduar të sigurohemi që kur partia humbet zgjedhjet, kryetari jep dorëheqjen. Ne fituam të drejtën të qeverisim dhe kur vendi kishte problem me borxhet, s'mund t'i thonim shqiptarëve 'na falni po kemi ca zgjedhje për të kryetar që të bindim socialistët që votuan të gjithë për mua në 23 qershor, që unë të jem kryetar partie.'"


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama