Shqipëria e Kosova do të kenë jo vetëm tekste por edhe një sistem të unifikuar arsimor. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli, në takimin që pati me homologun e saj në Kosovë, Ramë Buja tha se do të ndryshojë edhe sistemi parauniversitar shqiptar, duke u bërë pesë+katër+tre.
“Fillon unifikimi që lidhet me sistemin arsimor jo 6+3+3, por 5+4+3, siç e ka Kosova. Ka filluar puna dhe jemi drejt fundit përsa i përket kornizës zyrtare të kësaj qasjeje të re. Ju e dini që arsimi shqiptar, ndryshe nga ai kosovar, ka një ecuri që bazohet tek objektivat”, deklaroi Nikolli.
Por ndërsa në ministri zhvillohej takimi, dhjetëra studentë kosovarë që kanë përfunduar studimet në universitete jo publike të paakredituara, kanë protestuar pasi diplomat e tyre uk njihen nga Ministria e Arsimit në Kosovë.
“Ne themi që ky apo ai universitet ofron këtë cilësi diplome dhe për këtë ne po ecim shumë shpejt në mënyrë që jo vetëm për ata studentë të ketë një zgjidhje të plotë, por edhe për ata që do të diplomohen nesër, në mënyrë që të kenë sukses në tregun e punës”, nënvizoi Nikolli.
“Problemi kryesor është ai i agjencioinit të akreditimit në Shqipëri. Por ne biseduam edhe për t’i hyrë këtij problemi me komisione profesionale, për të zgjidhur problemin e atyre studentëve tanimë të diplomuar”, tha nga ana tjetër ministri Ramë Buja.
Ministrja e Arsimit tha se brenda qershorit do të përfundojë akreditimi i të gjitha universiteteve nga një agjenci e huaj, çka do të çojë edhe në mbylljen e shumë problemeve që janë mbartur në këtë ministri deri më sot. / Top Channel