Shkon te çdo yll dhe studion përmasat, temperaturën dhe kushtet e jetës. Sonda e NASA-s, “Kepler”, sapo ka zbuluar një sistem diellor me gjashtë planetë, pesë prej të cilëve të ngjashëm me Tokën. Me “syrin” e tij gjigant rreth një metër, teleskopi hapësinor kërkon të gjejë diejt që ndriçojnë Rrugën e Qumështit. Misioni i tij është të gjejë planetët ku mund të ketë jetë në një rreze prej 3 mijë vitesh dritë nga ne. Tani për herë të parë, gjashtë botë të reja kanë hyrë në hartën e universit. Gjashtë planetët orbitojnë rreth një ylli të vetëm (të quajtur Kepler-11) dhe kanë shumë aspekte interesante.
Edhe pse janë shumë të nxehtë për të qenë të banueshëm (500 gradë), kanë për shembull një “zemër” të akullt, si pasojë e presionit atmosferik mbi pjesën e brendshme. Pesë nga gjashtë planetët janë shumë afër, që nëse do të kishte një formë jete inteligjente që t’i popullonte, me siguri do të kishte mësuar të shkonte nga njëri te tjetri. E ndërsa në të kaluarën, planetët e vëzhguar ishin të gjithë shumë të mëdhenj, më të ngjashëm me Jupiterin se sa me Tokën, në sistemin diellor të vëzhguar nga syri gjigant i “Kepler”-it në një largësi rreth dymijë vite drite larg nesh, pesë nga gjashtë protagonistët kanë përmasa të krahasueshme me planetin tonë. Pesë planetët e para kanë një orbitë shumë të afërt me diellin dhe kryejnë një rrotullim të plotë në 10-47 ditë.
Planeti i gjashtë ka një orbitë shumë më të ndryshme dhe qëndron shumë më larg. “Gjashtë planetët janë të formuar kryesisht nga gazra dhe pjesë shkëmbore, por me siguri që duhet të ketë edhe ujë”, shpjegon Jack Lissauer, një prej shkencëtarëve të NASA-s, të cilët analizuan të dhënat dhe autori i artikullit mbi këtë zbulim të madh të publikuar në revistën “Nature”. “Pjesa shkëmbore mbulon pjesën më të madhe të masës, ndërsa gazi pjesën më të madhe të vëllimit. Të gjithë këto objekte ishin shumë afër me njëri-tjetrin”. Sonda e NASA-s, e quajtur ndryshe si “gjuetari i tokave”, ka zbuluar deri tani rreth 500 planetë jashtë sistemit diellor, por asnjëherë gjashtë në një herë të vetme dhe rrallë me dimensione kaq të vogla. “Vetëm një gjeneratë më parë, ekzistenca e planetëve që nuk i përkisnin sistemit diellor konsiderohej si fantashkencë.
Sot numërohen me qindra”, kujton administratori i agjencisë hapësinore amerikane Charles Bolden, duke iu referuar faktit se zbulimi i parë i një Toke të largët i takon vitit 1995. Aftësia e “Kepler”-it qëndron tek evidentimi i variacioneve të vogla të ndriçimit të një ylli. Një errësim i lehtë mund të jetë sinjali i një planeti që po kalon përpara një dielli. Sonda e përsërit operacionin çdo gjysmë ore për secilin prej 150 mijë yjeve që bien në rrezen e saj të shikimit. I lëshuar në hapësirë në vitin 2009, sateliti ka arritur të zbulojë mbi 700 planetë që më parë nuk njiheshin, duke konfirmuar faktin se sistemet diellore janë shumë të përhapura dhe jo një rastësi sporadike, siç mendohej më parë. Mendohet se teleskopi do të punojë edhe për dy vjet të tjera. Syri i tij është aq i ndjeshëm, sa mund të tregojë edhe një rënie të dritës me 0.01 për qind.
William Borucki, një astronom tjetër i NASA-s, parashikon një të ardhme të ndritur për sondën. “Fakti se kemi gjetur kaq shumë planetë të vegjël në një copë të vogël qielli, na bën të mendojmë se në galaktikë ekzistojë miliarda sisteme diellore. Rreth 68 planetët jashtë sistemet diellor me përmasa të krahasueshme me ato të Tokës, të njohura deri më tani, janë zbuluar nga ‘Kepler’”. Gjashtë botët e reja të zbuluara lënë ende vend për dyshime dhe mistere të pazgjidhura. Për të studiuar përbërjen e tyre kimike (ozoni apo molekulat e oksigjenit janë shenja të mundshme jete) do të duhen mjete më specifike. Është njësoj sikur për momentin, teleskopi i NASA-s është kufizuar të gjejë vetëm shenja ndryshimi tek yjet që i interesojnë. Por trashëgimtarët e “Kepler” (që kushtojnë rreth 600 milionë dollarë) kanë një të ardhme të pasigurt, për shkak të vështirësive ekonomike të NASA-s dhe buxhetin e SHBA-së. Deri tani janë zbuluar në total 258 sisteme të ndryshme diellore, pjesa më e madhe e të cilëve të përbërë nga vetëm një ose dy planetë. Ishte gjetur vetëm një sistem diellor me nga katër planetë dhe një me pesë, prandaj zbulimi i “Kepler-11”, përbën sistemin diellor më të madh të njohur, pas Tokës.
Eksperti
Raffaele Gratton, kërkues i Institutit Astrofizik të Padovas Ashtu si shumë astronomë edhe Raffaele Gratton, drejtor i institutit italian në observatorin e Padovas, është shumë entuziast për rezultatet e “Kepler”-it.
Ky zbulim na afron më shumë me zbulimin e jetës në hapësirë?
“Kepler” punon për të na dhënë një vlerësim se sa janë planetët e ngjashëm me Tokën. Për të arritur tek përfundimi mbi jetën në hapësirë duhen të tjera lloje analizash dhe mjetesh.
Sa ngjajnë me Tokën gjashtë planetët e zbuluar?
Pesë prej tyre nga brenda i ngjajnë më shumë Uranit dhe Neptunit për shkak të përbërjes nga jashtë, kryesisht me gaze dhe me një bërthamë solide në brendësi. Ylli rreth së cilës rrotullohen është thuaje i ngjashëm me Diellin.
Prisni të tjera zbulime të rëndësishme nga “Kepler”?
Sa më shumë të zgjasë misioni, aq më tepër “Kepler” do të gjejë planetë me orbita të gjata. Në sistemim diellor të sapozbuluar orbitat janë shumë të afërta. Por kur të shtohen planetët që do të zbulojmë, do të jenë më të ngjashëm me Tokën: shumë larg nga yjet dhe me temperatura të ulëta.