Universi– Pasqyre e ndjenjave tona

Universi– Pasqyre e ndjenjave tona
Ne jemi pjesë e pandashme e universit. Ne jemi pjesëmarrës në këtë lojë të madhe që ne e quajmë jetë. Ne jemi ata që luajmë, dhe vetë loja, ne jemi rezultati i lojës dhe shikuesit. Ne jemi të lidhur me gjithçka që ekziston dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha pjesët tjera. Nëse ne e shikojmë natyrën atëherë ne e shikojmë një pasqyrim të vetës sonë. Çdo marrëdhënie, çdo ndodhi, çdo arritje në jetën tonë është pasqyrim i asaj se çfarë ne mendojmë dhe besojmë.

Ka shumë kohë që në mendjen time më sillen disa pyetje lidhur me jetën dhe ekzistencën. Vetë fakti që ne jemi prezentë në këtë realitet më zgjon kureshtjen të di më shumë për prejardhjen e gjithë kësaj qe ne e shohim dhe e përjetojmë tani, për pikënisjen e kësaj që ne e quajmë jetë. E di që ndoshta kjo mund të tingëllonte ndonjëherë edhe si çmenduri, por ja që tani është bërë pjesë e pandashme e mendimeve të mia dhe si duket më përmbush në brendi.

Ka shumë thënie të ndryshme mbi jetën dhe realitetin duke u nisur nga shkrimet e vjetra religjioze e deri tek argumentet e reja shkencore. Thuhet se ne jemi krijesa hyjnore, ne jemi shëmbëlltyra e krijuesit, ne jemi fusha energjike që veprojnë në një fushë më të madhe energjike, ne jemi grimca, ne jemi valë, ne jemi, ne jemi, ne jemi…E cila nga këto pohime mund të jetë më afër realitetit?

Ne të gjithë kemi mësuar në orët e fizikës se universi përbëhet nga grimcat dhe valët. Ne kemi mësuar po ashtu se në universin tonë veprojnë ligjet fizike si: ligji i Njutonit, ligji i gravitetit, ligjet elektromagnetike dhe që këto ligje janë të pathyeshme. Ato veprojnë për të gjithë njësoj. Por ç’ka nëse në fakt vërtetohet e kundërta, ç’ka nëse ekziston diçka që i tejkalon ligjet fizike?

Në njëqind vitet e fundit zbuluan fizikanët që pjesët përbërëse prej të cilave përbëhet trupi ynë dhe i gjithë universi nuk iu përmbahen gjithmonë ligjeve fizike të cilat për ne për 300 vite rresht vlenin si të shenjta. Në fushën ndërbërthamore të ekzistencës duket të jetë gjithçka e lidhur në mes veti dhe kjo na bënë të dimë se ekziston diçka që nuk është e kufizuar nga ligjet fizike, diçka për të cilën koha dhe hapësira nuk kanë vlefshmëri.

Atomet janë pjesa më e vogël prej të cilave përbëhet materia. Atomet përbëhen nga protonet dhe neutronet të cilat gjenden në bërthamën atomike, si dhe nga elektronet të cilat gjenden në mbështjellësin atomik. Elektronet mund ta ndryshojnë gjendjen e tyre energjike dhe të kalojnë nga një shtresë në shtresën tjetër, d.m.th nga një nivel më i ulët energjik në një më të lartë dhe anasjelltas. E çuditshme është se kur një elektron e ndërron gjendjen e vetë energjike, d.m.th kur ai kalon nga një shtresë në shtresën tjetër, ai kalon pa e tejkaluar hapësirën në mes. E si është e mundur kjo që një elektron nga një shtresë tjetër të ndodhet menjëherë në tjetrën shtresë pa e kaluar hapësirën në mes? Ne i kemi përkufizuar elektronet si grimca materiale e si mundet materia të bëjë një kërcim të tillë? Kjo dukuri njihet në gjuhën e fizikes kuantike si kërcim kuantik. A mundet që një elektron të jetë përnjëherë edhe grimcë edhe valë? E nëse vihet në përfundim që një elektron mund të jetë edhe grimcë edhe valë atëherë çfarë domethënie do të ketë kjo për jetën tonë? Menjëherë do të lind pyetja se a jemi edhe ne grimca dhe valë? A është i gjithë universi përnjëherë edhe grimcë edhe valë? E çuditshme apo jo?

Për të vërtetuar këtë dukuri të elektroneve shkencëtarët bënë shumë eksperimente. Një nga eksperimentet më të njohura është ky që shihni tani më sipër. Nga një burim drite u hodhën fotonet (fotonet janë pjesë përbërëse të dritës) në drejtim të një tabele para se cilës ndodhej një pengës e cila kishte një vrimë të vogël. Valët e dritës kaluan përmes kësaj vrime dhe u paraqiten në tabelë prapë në mënyrë valore. E njëjta gjë u provua me një pengesë e cila kishte dy vrima të vogla. Valët e dritës u ndanë në afërsi të këtyre dy vrimave, kaluan pengesën dhe u bashkuan përsëri, dhe arritën cakun prapë në mënyrë valore ku në tabelë shihej një mostër interference.

I njëjti eksperiment u provua me elektronet. Elektronet d.m.th janë grimca. Kur u hodhën elektronet përgjatë pengesës me një vrimë, ato filluan rrugën si grimca dhe përfunduan në cak si grimca. Por krejtësisht e kundërta ndodhi kur ato u hodhën përmes pengesës që kishte dy vrima. Elektronet filluan rrugën si grimca, gjatë rrugës së tyre morën gjendje valore, u ndanë para pengesës, kaluan përmes të dy vrimave dhe u bashkuan si valë e përfunduan në cak si valë, ku dhe dhanë të njëjtën mostër interference sikurse edhe valët e dritës. E si është e mundur pra që një elektron të jetë i vetëdijshëm se janë dy vrima apo vetëm një? A është e mundur që vet fakti që shkencëtarët e dinin se janë dy vrima e ka bërë elektronin të niset si grimcë e të përfundojë si valë? Nëse është kjo përgjigja, atëherë si mund ta dinte elektroni se çka mendonin shkencëtarët? Apo ndoshta ekziston një fushë energjike që lidhë gjithçka mes veti dhe kjo fushë ia mundësoi elektronit ta dinte se sa vrima ndodhen?

Max Planck që njihet si babai i fizikes kuantike e formuloi këtë më së miri: “E gjithë materia është krijuar dhe përbëhet nga një forcë inteligjente nga e cila është pikënisja e gjithë kësaj ekzistence”
Kjo forcë është shumë reale. Kjo është prezentë dhe lidhë gjithçka në mes veti. Kjo nuk është e ndarë prej nesh, por ekziston në ne dhe përreth nesh.

Dikur supozohej se pjesa më e madhe e universit është e zbrazët, por tani në kohët e fundit shkencëtarët kanë vërtetuar se kjo zbrazëti është e mbushur nga një fushë energjike e cila është prezentë çdo kund. Kjo fushë gjendet në të gjithë universin, në planetin tonë, në trupin tonë. Kjo fushë është ura që e lidhë botën e jashtme me botën e brendshme. Kjo është pasqyra që i reflekton mendimet, besimin dhe bindjet tona.

Çka është më e rëndësishme për jetën tonë është se kjo fushë është inteligjente dhe reagon sipas ndjenjave tona. Ndjenjat, lutjet dhe bindjet tona janë gjuha të cilën e kupton kjo fushë. Në këtë fushë ekzistojnë mundësi të pakufizuara dhe varet nga vet ne se cilën ne e zgjedhim, e zgjedhja jonë bëhet realiteti jonë.

Ju me siguri se keni vështruar ndonjëherë një fëmijë kur luan në kompjuter. Ai sa herë që luan zgjedh rrugë të ndryshme në lojë dhe arrin rezultate të ndryshme. E tëra varet se çka ai zgjedh për momentin. Të gjitha rrugët janë të mundshme dhe të gjitha mundësit janë të ruajtura në kode të ndryshme programuese ne CD. Nëse pastaj ne dëshirojmë ta luajmë një lojë atëherë ne zgjedhim rrugë tjera dhe arrijmë rezultate tjera, e në fund të lojës kompjuteri na pyet se a dëshirojmë të luajmë prapë apo jo? Për kompjuterin nuk ka rëndësi se cilin rezultat ne e arrijmë, të gjitha rezultatet janë në CD, për të nuk ka rëndësi se nëse ne dëshirojmë të luajmë edhe një lojë apo jo. Të gjitha këto mundësi janë të ruajtura në vetëm një CD që ka një kapacitet vetëm prej 700 MB. Por ndaluni e mendoni se çfarë kapaciteti ka i gjithë universi? Sa mundësi mund të ekzistojnë në univers?

Në univers ekziston tanimë mundësia që ti të jesh milionerë, në univers ekzistojnë mundësia që ti të kesh një jetë të lumtur bashkëshortore, të kesh shëndet dhe qetësi shpirtërore e një jetë të gjatë. Të gjitha këto janë të ruajtura në univers për ty dhe varet vetëm nga ti se për cilën nga këto mundësi përqendrohesh. Se a do të zgjedhësh humbjen apo fitoren, se a do të zgjedhësh sëmundjen apo shëndetin, për universin nuk ka rëndësi. Në kompjuter bëjmë zgjedhjen përmes tastaturës dhe mjeteve tjera përkatëse, ndërsa në univers bëjmë zgjedhjen përmes ndjenjave, besimit dhe bindjeve tona. Ndjenjat tona janë kodet programuese që i njeh universi ynë. Ato janë shifrat që e programojnë jetën tonë, ndërsa realiteti jonë është pamja që ne shohim në ekran pasi kemi bërë zgjedhjen e duhur. Universin mund ta paramendojmë si një kompjuter të madh, procesori i të cilit ka një shpejtësi të pakufishme. Ndjenjat tona janë kodet programuese që njeh ky kompjuter, ndërsa mendimet tona janë programet të cilat na ndihmojnë t’i zgjedhim kodet për programim.

Ne jemi pjesë e pandashme e universit. Ne jemi pjesëmarrës në këtë lojë të madhe që ne e quajmë jetë. Ne jemi ata që luajmë, dhe vetë loja, ne jemi rezultati i lojës dhe shikuesit. Ne jemi të lidhur me gjithçka që ekziston dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha pjesët tjera. Nëse ne e shikojmë natyrën atëherë ne e shikojmë një pasqyrim të vetës sonë. Çdo marrëdhënie, çdo ndodhi, çdo arritje në jetën tonë është pasqyrim i asaj se çfarë ne mendojmë dhe besojmë. Sikur që pasqyra i pasqyron objektet që ndodhen para saj, kështu është edhe kjo që shohim ne një pasqyrim i asaj që ne kemi në brendi. E ne shohim vetëm figurën në pasqyrë, por atë që është para pasqyrës nuk e shohim. Ajo para pasqyrës është brendia jonë, janë mendimet dhe ndjenjat tona.

Pasqyra asnjëherë nuk na gënjen. Ajo çdoherë na pasqyron ashtu si jemi. Nëse kemi flokët e krehura dhe të rregulluara mirë, nëse jemi në disponim të mire dhe buzëqeshemi, atëherë pasqyra padyshim se do të pasqyrojë një fytyrë të qeshur e të hareshme. Por nëse ne ndihemi keq, jemi të zbehur, kemi urrejtje ndaj dikujt, pasqyra padyshim se do të pasqyrojë një fytyrë të zbehur e të vrazhdë. Kështu është edhe me jetën tonë. Atë çfarë ne e ndiejmë brenda nesh, ajo pasqyrohet në jetën tonë. Nëse ndjehemi mirë, nëse ndiejmë dashuri e respekt për të tjerët, nëse jemi të mëshirshëm dhe falënderues, atëherë padyshim se pasqyra universale do të pasqyrojë në jetën tonë çaste dashurie, gëzimi e hareje. Në jetën tonë do të pasqyrohet respekti e mëshira dhe falënderimi.

Atëherë nëse në jetën tënde ke vështirësi apo nëse ke probleme shëndetësore kujtoje se këto janë pasqyrim i brendisë sate. Asnjeri nuk është shkaktar i asaj se çfarë ti përjeton. Çdo marrëdhënie me të tjerët, çoftë me prindërit, me kolegët e punës apo me partnerin tënd, janë pasqyrim i asaj se çka ti mendon për këta njerëz dhe mendimet e tua reflektohen në realitetin tënd. Po deshe të ndryshosh diçka, mos kërko zgjidhje nga jashtë, mos kërko të ndryshosh të tjerët, por mundohu ta ndryshosh mendimin tënd që ke për të tjerët, mundohu ta ndryshosh atë se çfarë pasqyrohet në pasqyrën tënde. Nëse unë shikohem në mëngjes ne pasqyrë dhe dukem i zbehur, unë nuk kam nevojë të mundohem ta ndryshojë dikë tjetër për tu dukur unë më mirë, por duhet të ndryshojë ndjenjat e mia, t’i buzëqeshëm jetës dhe përjetimeve që i kam krijuar vet me dorën time atëherë edhe pasqyra do t’i reflektojë menjëherë ndjenjat dhe mendimet e mia.

Ulu e shikoj rrethanat në jetën tënde. Ato të tregojnë shumë mirë se çka ti ndien, çka mendon dhe çka beson. Ato ta tregojnë brendinë tënde e cila pasqyrohet në realitetin tënd.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama