Për të gjetur studentët më të mirë në botë, përzgjedhësit kanë organizuar një turne rekrutimesh në katër kontinente të botës dhe kanë shkuar personalisht për “të gjuajtur” talentet nga Shangai në Buenos Aires, e nga Vjena në Sidnei. Faza eliminatore është e pamëshirshme. Nga 9000 kandidatë, vetëm 150 mund të kategorizohen si “të talentuar”.
Asnjë shpresë për ata që kanë më pak se 730 pikë në testet e matematikës. I njëjti “filtrim” përdoret edhe në universitetet më me emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “Ivy Legue”. Këtë shtator, pikërisht bazuar te seleksionimet e rrepta, do të nisë një eksperiment i paprecedent: “Megaversity”, ose universiteti i parë në të gjithë kuptimin e fjalës “global”, objektivi i të cilit do të jetë formimi dhe shkollimi i elitës botërore.
Do të jetë një “klon” i Universitetit të Nju Jorkut me qendër në Abu Dhabi. Është një iniciativë tepër e veçantë në llojin e vet dhe mund të shënojë fillimin e një tendence. Kjo do të thotë që, pak nga pak modeli i universiteteve amerikane, duke filluar që nga përzgjedhja, po shndërrohet në një shembull edhe për vende të tjera dhe në këtë mënyrë është shndërruar në një produkt për eksport.
Universitetet amerikane kanë çelur që prej dhjetëvjeçarësh degët e tyre jashtë vendit. Por deri më tani bëhej fjalë për filiale që ishin deri diku të ngjashme me universitetin amerikan që përfaqësonin. Me krijimin e Universitetit të Abu Dhabit kalohet në një tjetër fazë. Ai do të jetë një universitet me një kurrikulum shumë të kompletuar, i cili pretendon që brenda pak vitesh të arrijë një nivel tepër të lartë akademik. Cilësia e shërbimit të ofruar do të jetë e jashtëzakonshme, duke filluar që nga raporti numerik student-profesor, i cili do të jetë 8 me 1, e deri tek elementë të tjerë të përsosur.
Me përzgjedhjen e studentëve do të merret një institucion i veçantë, me funksion “filtrimin” e talenteve nga e gjithë bota. Si fillim është krijuar në bazë të dhënash me 900 shkollat e mesme më të mira nga e gjithë bota. Secila nga këto shkolla të mesme ka përzgjedhur 2 maturantët më të mirë të saj të një viti akademik dhe kështu, pak nga pak, nis përzgjedhja e më të mirëve, ajo e ajkës së ajkës. Në këtë universitet, përveç amerikanëve që do të kenë numrin më të madh të të pranuarve, vendin e dytë do ta zënë arabët, kinezët dhe më pas rusët. Në programin e shkollës do të jetë përfshirë marrja e kurseve të ndryshme në vende të ndryshme të botës.
Eksperimenti është konsideruar që në hapat e tij të parë një sukses, dy muaj para se universiteti i ri të çelë dyert për vitin e parë akademik. Qeveria kineze ka kërkuar që ky universitet të ketë edhe një degë të tij në Shangai vitin që vjen. Është një hap shumë i rëndësishëm në një fazë kur Kina tashmë i ka humbur pak nga pak thuajse të gjitha komplekset e inferioritetit që ka pasur ndaj Shteteve të Bashkuara dhe sillet në botë me pushtetin dhe vetëndjesinë e një superfuqie. Por i vetmi sektor në të cilin Pekini ende e njeh zyrtarisht lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pikërisht arsimi.
Kina e konsideron Amerikën një model të arsimit, e veçanërisht për sa i takon arsimit të lartë. Edhe drejtuesit kinezë të sektorit të arsimit, të vetëdijshëm për këtë supremaci të Amerikës, janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me të. Dy studiues kinezë të Universitetit të Shangait kanë bërë së fundmi një klasifikim botëror të universiteteve më të mira në botë. Sipas këtij klasifikimi, 17 ndër 20 universitetet më të mira të planetit janë universitete amerikane dhe më tej 50% e 100 universiteteve më të mira në botë janë sërish universitete amerikane.
Në eksportin e prodhimeve të manifakturës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar se Kina tashmë është një lider botëror dhe madje pranojnë edhe faktin se krahasuar me kontinentin amerikan, kontinenti aziatik është shumë më përpara në këtë drejtim. Në rrafshin politiko-ushtarak, influenca e Pekinit është duke u futur dhe duke u ndjerë në të gjitha çështjet dhe konfliktet më të mëdha globale, të cilat dikur dominoheshin nga Perëndimi.
Por në fushën e përzgjedhjes dhe të formimit të “trurit”, perandoria amerikane është ende një perandori së cilës nuk i kanë dalë rivalë. Universitetet amerikane mbeten një nga eksportet e suksesshme dhe të padiskutueshme të Amerikës dhe ato po sulmojnë botën, sikundër bënë dikur produktet amerikane të IBM, Intel apo Microsoft. Një tjetër klasifikim shumë autoritar që merret me renditjen e universiteteve më të rëndësishëm dhe të mirë në botë, nxjerr sërish 17 universitete amerikane ndër 20 më të mirët. Ndërkohë, kjo supremaci e amerikanëve vazhdon të ndiqet nga universitetet e famshme britanike, me Kembrixhin që zë vendin e katërt në botë dhe Oksfordin që zë vendin e 10-të.
Por këto shkolla kaq të mira mund edhe të pësojnë kriza e madje të zhduken tërësisht. Financimet private i mundësojnë për shembull Universitetit të Stendfordit që të shpenzojë 70 milionë dollarë në vit vetëm për të ndihmuar studentët e shkollës, të cilët nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e mëdha të studimeve. Janë 70 milionë që shpenzohen për t’u krijuar të drejtën dhe mundësinë e studimit të mirë edhe atyre që kanë mundësi financiare më të pakta se të tjerët, por që kanë aftësi të mëdha intelektuale.
Por kjo shifër është shumë e vogël krahasuar me fondin gjigand që lëvrohet çdo vit nga universiteti dhe që bazohet kryesisht në donacione, i cili është rreth 12 miliardë dollarë. Shtetet e Bashkuara në sektorin publik dhe privat çdo vit investojnë në arsim 35 të Prodhimit Kombëtar Bruto dhe kjo vetëm për sa u takon universiteteve. Krahasuar me vendet e tjera, bëhet fjalë për një sasi dyfish më të madhe. Një shpenzim të tillë të madh, krahasuar gjithmonë me vendet e tjera, Amerika e ka edhe në shpenzimet ushtarake. Po Azia? Nëse ka në Lindjen e Largët një aspekt që ende nuk ia ka dalë të jetë konkurrues, është pikërisht shkollimi i lartë. Dhe pasojat mund të jenë fatale. Në këtë rast mjafton që të mendosh për paradoksin e Japonisë. Nga viti ‘50 e deri në vitet ‘90, ekonomia japoneze është rritur me një ritëm shumë më të shpejtë se ekonomia amerikane.
Por nga vitet ‘90 e në vazhdim ky ritëm ra dhe Japonia ka shënuar një ritëm të rritjes ekonomik më të vogël se ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër, për arsimin në të dyja këto periudha situata nuk ka qenë pozitive. Superioriteti i modelit amerikan është me shumë përfitime të tjera që shumëfishohen. Universiteti është në fakt një laborator shpikjesh dhe novacionesh, pra një oaz sipërmarrjesh të reja. Nga ky funksion i tij rrjedh edhe mbështetja e madhe që kapitalizmi amerikan u bën universiteteve financiarisht. Universitetet nuk e ndalin kurrë punën në kërkimin e formulave dhe zgjidhjeve të reja dhe janë pikërisht financimet e kapitalistëve ato që lehtësojnë shumë kalimin e një studimi dhe një shpikjeje nga laboratori në përdorimin në terren. Recetat e fundit të shpikjeve janë të ashtuquajturit “laboratorë të ideve”. Ndër më të famshmit është ai i Universitetit të San Diegos në Kaliforni.
Që nga themelimi i tij në vitin 2001, ai ka sjellë në jetë krijimin e 26 ndërmarrjeve të reja, të cilat kanë lindur pikërisht brenda mureve të laboratorëve të universitetit. Edhe në kushtet e krizës më të ashpër ekonomike dhe financiare që po përjeton Amerika, të ashtuquajturit “laboratorë të ideve” vazhdojnë të shtohen dhe të mbështeten financiarisht. Thuajse të gjithë universitetet më të mëdhenj në të gjitha shtetet amerikane kanë laboratorë të tillë kërkimorë shumë të financuar. Rivalët e universiteteve amerikane në botë përpiqen me të gjitha mënyrat për ta imituar mrekullinë amerikane. Kina dhe India kanë aspirata dhe ambicie të mëdha dhe kërkojnë që të krijojnë në vendet respektive universitete të shkëlqyera jo vetëm për vendin, por botërore, për të qenë lider edhe në këtë fushë.
Pra, qëllimi është që t’ua marrin stafetën Shteteve të Bashkuara. Por vështirësitë në këtë drejtim nuk janë vetëm ato financiare. Kina shpenzon për kërkimet shkencore të universiteteve 7 herë më pak se Amerika, por nuk është ky problemi. Problemi është se në Kinë nuk ka të njëjtin respekt si në Shtetet e Bashkuara për “mendimin e lirë dhe ndryshe”.
Kjo për shkak të natyrës autoritare të regjimit kinez. Mbi të gjitha, universitetet amerikane janë një fidanishteshpikjesh dhe novacionesh, sepse në radhë të parë dhe mbi të gjitha i inkurajojnë studentët që të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe të lirë, dhe të thonë hapur e pa frikë atë që mendojnë. Është pikërisht ky avantazhi që i ka dhënë Amerikës supremacinë e padiskutueshme në fushën e arsimit të lartë dhe rezultatet e larta në studime. Është ky guri i themelit edhe i eksperimentit që do të fillojë këtë vit në Abu Dhabi dhe që nëse do të vazhdojë sipas modelit më të mirë amerikan, me siguri do të jetë i suksesshëm.