Universitetet do te rriten tarifat per studentet

Universitetet, do te rriten tarifat per studentet
Tarifa më të larta dhe një skemë krejt tjetër për mënyrën se si studentët paguajnë shkollën e lartë. Reforma e re financiare në universitete pritet të marrë formën e saj përfundimtare brenda muajit tetor. Drafti, i hartuar nga Ministria e Arsimit,  është shpërndarë në universitete dhe do të diskutohet në tryezë me të gjithë grupet e interesit. I pyetur dje nga mediat, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka lënë të kuptohet se tarifat në shkollat e larta publike do të shkojnë paralel me tregun. Por, sipas tij, studentëve do t’u krijohen lehtësira në marrjen e kredive. Ata mund të bëjnë shlyerjen e tyre pasi të kenë përfunduar shkollën e lartë.

“Duhet të merrni anën tjetër të problemit. Asnjë student nuk do detyrohet të financojë nga kursimet e familjes, por do të ketë një institucion që do t’u japë kredi gjithë studentëve për financimin”, tha Tafaj. Sipas tij, dokumenti përfundimtar politik është studiuar në të gjitha departamentet dhe fakultetet e universiteteve. “Kanë filluar të vijnë komentet. Ne së shpejti do të kemi një konferencë me të gjitha universitetet për ta shpallur të gjithë paketën e reformës financiare, e cila po shkon drejt përfundimit”, u shpreh ministri. Këto deklarata ai i bëri gjatë diplomimit të studiuesve të rinj në fushën e letërsisë, historisë, gjuhës, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Në një ceremoni të veçantë të organizuar enkas, u ndanë rreth 50 diploma për akademikë të njohur, por edhe për të rinj që për rreth një vit kanë zhvilluar kërkime e kanë përgatitur teza diplome në fusha nga më të ndryshmet. Pesë diplomat më të mira, në letërsi, gjuhë, muzikë, histori, arkeologji, janë dorëzuar nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka premtuar fonde në rritje për kërkimin shkencor. Të pranishmit i ka përshëndetur drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, i cili ka premtuar edhe më shumë projekte në mbështetje të studiuesve të rinj.

“Për herë të parë këtë vit është bërë e mundur që Qendra e Studimeve Albanologjike të financojë ajo vetë kërkimin shkencor të instituteve dhe bashkëpunëtorëve të vet, nëpërmjet fondit për kërkim shkencor dhe ekselencë, të akorduar nga MASH. Janë 7 milionë skeda të leksikut, dialektologjisë dhe të gramatikës, të cilat do të vihen brenda dy vjetësh në shërbim të leksikologëve dhe studiuesve të shqipes”, tha Ardian Marashi, drejtor i qendrës se studimeve albanologjike. Sa i përket reformës së re financiare, ajo do të nisë me universitetet publike, do të financojë drejtpërsëdrejti studentin, ndërsa privatët duhet të plotësojnë dy kushte: të jenë të akredituar dhe të mos i përdorin fondet në favor të tyre. Reforma përcakton edhe një mënyrë të re në mënyrën si do të  përcaktohen kuotat e pranimit dhe hapësirat që do të kenë universitetet të përthithin studentë mbi këto kuota.

Berisha dhe Arvizu përurojnë Telemjekësinë

Përurohet Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë. Të pranishëm ishin dje, gjatë ceremonisë së hapjes, edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha e ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në shenjë simbolike, në përurimin e kësaj qendre u realizua lidhja e parë telemjekësore (nëpërmjet teleprezencës) me profesor Rifat Latifin, drejtor i Projektit, themelues dhe president i IVeH (International Virtual e-Hospital Foundation), i cili ndodhej me mision në Arizonë. Rrjeti i Programit të Integruar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri përbëhet nga Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë në QSUT në Tiranë dhe prej disa qendrave rajonale të telemjekësisë në spitalet rajonale të Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Vlorës, ku një pacient nga secili nga spitalet e lartpërmendura mund të konsultohet  në distancë nga një mjek konsulent në QSUT. Gjithashtu, Qendra e përuruar ofron mundësinë që pacientët e QSUT-së, në Tiranë të mund të konsultohen nga mjekë të spitaleve ose qendrave mjekësore në vende të huaja. Shërbimet e para në QSUT kanë krijuar tashmë partneritete dhe telekonsulta me spitale dhe institute të njohura në Europë dhe SHBA.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama