Sipas këtij dikasteri, maturantët që në listën përfundimtare janë ngjitur në një preferencë më të lartë, duhet të kryejnë tjetër procedurë. “Ata duhet të paraqiten në fakultetin ku kanë kryer regjistrimin paraprak për të tërhequr dokumentet dhe duhet të regjistrohen në fakultetin ku janë shpallur fitues në listën përfundimtare, në programin e studimit përkatës. Kjo kategori maturantësh nuk ka nevojë të kryejë pagesën e tarifës së regjistrimit”, thuhet në deklaratën për mediat. MASH theksoi gjithashtu se maturantët fitues në një preferencë më të lartë duhet detyrimisht të regjistrohen në preferencën fituese të shpallur në listën përfundimtare. Në të kundërt, humbasin të drejtën e studimit në IALP. Me listën përfundimtare të fituesve u plotësuan 3419 kuota në të 11 universitetet e vendit. Atyre u shtohen edhe 1354 vende, te cilat nuk janë zgjedhur nga maturantët gjatë plotësimit të formularit A2. Në total, shansi i dytë për të nisur një shkollë të lartë u jepet 4773 studentëve. Për kuotat e papreferuara do të shpërndahet formulari A3 brenda një kohe të shkurtër.
Dokumentet
• Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave. Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, Dëftesë Pjekurie. Në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore).
• Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit:
• 2 fotografi
• Mandat i arkëtuar i tarifës së regjistrimit në zyrat e Postës Shqiptare prej 1550 lekësh për llogari të universitetit ku është shpallur fitues.