Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Italiane u ofron studentëve shqiptarë, të cilët janë diplomuar, bursa studimi për vitin akademik 2012-2013, në një total prej 87 muajsh me 620 euro në muaj. Këto bursa u jepen qytetarëve shqiptarë që kanë njohuri të mira të gjuhës italiane, si dhe një moshë nga 18 deri në 35 vjeç. Kufiri i kësaj moshe shkon deri në 45 vjeç për profesorët e gjuhës italiane, të cilët do të konkurrojnë për perfeksionimin e lëndës që japin. Pyetësori i regjistrimit mund të paraqitet deri ditën e hënë, datë 11 qershor 2012, ora 24.00, duke plotësuar formularin e posaçëm në faqen e internetit: http://borseonline.esteri.it/borseonline/it/, ku dhe do të bëhet upload-imi i dokumentit të identifikimit të kandidatit.
Është e mjaftueshme faqja në të cilën është e vendosur fotografia e titullarit, të dhënat anagrafike, si dhe data e skadencës së dokumentit.
Kriteret
Nuk do të pranohen kërkesat e paraqitura në letër.
Disa ditë pasi të ketë plotësuar pyetësorin online, kandidati do të kontaktohet në adresën e komunikuar në formular nga ai vetë prej Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, i cili do të konfirmojë nëse formulari juaj është pranuar, si dhe do t’ju udhëzojë për dokumentacionin në lidhje me kërkesën për bursë studimi, që duhet të përcillni ose të dorëzoni personalisht pranë Institutit Italian të Kulturës.
Ky dokumentacion do të dorëzohet ose do të përcillet brenda datës 25 qershor 2012. “Nëse nuk kontaktoheni, pasi të keni plotësuar procedurën ose në rast se do të hasni vështirësi me vetë procedurën, mund të kontaktoni personalisht Institutin Italian të Kulturës në Tiranë ose mund të dërgoni një email në adresën e internetit: addetto.iictirana@esteri.it
Detaje
Sipas njoftimit, rëndësi të veçantë paraqet mosha e kandidatit, degët e kërkuara dhe dokumentacioni që do të paraqitet.
Kandidati mund të kërkojë tre muaj bursë studimesh për kurse didaktike të italishtes dhe projekte kërkimi në qendra laboratorike dhe kërkimore, biblioteka, arkiva e muze.
Kandidatët mund të kërkojnë bursa studimi nga 6 deri në 9 muaj për kurse universitare, kurse diplomimi të nivelit të parë dhe të dytë, kurse të edukimit profesional artistik dhe muzikor. Mund të aplikohet për kurse didaktike për docent në gjuhën italiane master të nivelit të parë dhe të dytë, doktoraturë dhe kërkim, si dhe shkolla të specializuara.
Udhëtimi nga Italia në Shqipëri nuk është përfshirë në bursën e studimit.
Gjuha italiane
Për të marrë një bursë studimi kandidatët duhet të kenë njohuri të gjuhës italiane, duhet të regjistrohen në një kurs universitar, si dhe më pas të kalojnë procesin e certifikimit
Siguracioni
Ata që përfitojnë bursë, sipas njoftimit, për gjatë gjithë qëndrimit në shtetin italian, për shkak të studimeve janë të mbrojtur me siguracion që mbulon shpenzimet për sëmundje apo fatkeqësi