Universitetet lirohen 3500 vende per studentet

Universitetet, lirohen 3500 vende per studentet
Nëse për një arsye apo për një tjetër jeni shpallur fitues, por nuk jeni regjistruar, nxitoni. Sot është afati i fundit. Në të kundërt, humbisni shansin për të nisur një shkollë të lartë në universitetet publike.Apelin e bën vetë Ministria e Arsimit. Ndërkaq, burime brenda saj sqaruan për gazetën se janë rreth 3500 maturantë që do të studiojnë jashtë vendit. Kaq pritet të jetë edhe numri i kuotave bosh në universitete. Ato do të plotësohen duke rifutur në sistem të gjithë kandidatët. Spostimet do të bëhen sipas pikëve të secilit kandidat. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton të gjithë fituesit e fazës së parë për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në universitetet publike, të cilët ende nuk kanë kryer regjistrimin paraprak, se do të kenë afat për t’u regjistruar në programet e studimit ku janë shpallur fitues, deri ditën e nesërme, e diel, 18 shtator 2011″, bëri me dije dje Ministria e Arsimit.

Sipas këtij dikasteri,njoftohen  fituesit e paregjistruar  se të gjitha sekretaritë mësimore pranë të gjitha fakulteteve të institucioneve të arsimit të lartë publik, do të jenë të hapura deri në orën 18:00 të ditës së nesërme. Fituesit e kësaj faze duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore me dokumentacionin e kërkuar, në përputhje më udhëzimin nr. 25, datë 20.07.2011 të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. “Theksojmë edhe një herë se kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda këtij afati, humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta në programin në të cilin janë shpallur fitues në fazën paraprake, si dhe të drejtën për t’u zhvendosur në një nga preferencat më të larta për programe studimi të kërkuara me formularin A2″, thuhet në njoftimin e MASH-it. Lista përfundimtare do të shpallet më 25 shtator.

Kandidatët, të cilët në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore, nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Këta kandidatë tërheqin dosjen individuale nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe regjistrohen në programin e studimit në të cilin janë shpallur fitues me listat përfundimtare. Sekretaritë mësimore të fakulteteve, në datat 26-30 shtator 2011, prej orës 08:00-18:00, të kryejnë çregjistrimet e këtyre kandidatëve dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të dërguara nga MASH-i. Veprimet e çregjistrimit të ndërmjetëm dhe ato të regjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj, të dokumentohen në regjistër të veçantë. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit përfundimtar në sekretaritë mësimore të fakulteteve, kandidatët fitues që janë ngjitur në preferencë më të lartë kundrejt regjistrimit të ndërmjetëm, nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve në regjistrin e veçantë.

25 shtator

është data kur do të shpallen listat përfundimtare të fituesve në shkollat e larta. Ata do të kenë 5 ditë kohë për t’u regjistruar pranë sekretarive të fakulteteve.

Histori-Filologjia, datat e vjeshtës

Fakulteti i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ka bërë publike datat e sezonit të vjeshtës për të gjitha ciklet e studimit që ai ofron. Kështu, në një njoftim të këtij fakulteti, bëhet me dije se studentët e Masterit Profesional dhe atij Shkencor, në degët Gjuhë-Letërsi, Histori, Gjeografi dhe Gazetari, do të kenë mundësi të japin provimet e mbartura gjatë sezonit të vjeshtës, çdo ditë, në orën 09:00, nga data 19 shtator deri më 23 shtator. Sipas njoftimit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, për studentët e part-time-t, si dhe ish-vitet e katra, sezoni i vjeshtës do të jetë çdo ditë, ora 13:00 nga data 22-30 shtator. Kjo kategori studentësh, lëndët e mbartura duhet t’i regjistrojë pranë sekretarisë përkatëse, në datat 14, 15, 16, 19, 20 dhe 21 shtator 2011, në orën 11:00. Nga ana tjetër, është vendosur që mbrojtja e diplomës të jetë më datë 6 dhe 7 shtator. Dekanati i këtij fakulteti njofton se regjistrimet për provimet do të vazhdojnë deri më 15 shtator. Për Masterin e Shkencave, regjistrimet bëhen te salla 208, ora 13:00 – 15:00. Ndërkohë, datat e riprovimeve dhe përmirësime për programe të studimit të Masterit të Nivelit të Dytë dhe “Shkollë doktorale”, në degën Letërsi, janë: 5-7 tetor, ora 9:00. Për të gjitha të tjerat, datat janë të hapura dhe regjistrimi i lëndëve bëhet nga sekretaria (nuk është e nevojshme të paraqitet studenti për regjistrim), ndërsa për përsëritësit studenti duhet të regjistrohet për çdo provim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama