Dje, gjatë konferencës “Reforma financiare në arsimin e lartë – plani kuadër i veprimit”, organizuar nga MASH, ai theksoi se duhet vënë theksi të cilësia. Madje Kryeministri u shpreh se pavarësisht se prej disa vitesh në Shqipëri është impelentuar sistemi i Bolonjës, frymëzim duhet të jetë modeli anglosakson. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur skema e re e financimit, e propozuar nga Ministria e Arsimit, të paktën sipas qarqeve akademike, nuk ka asnjë përqasje me modelet europiane. “Më duhet të them këtu pa asnjë lloj hezitimi, se në vërtet kemi vendosur sistemin e Bolonjës, por frymëzimi ynë duhet të jetë sistemi anglo- sakson. Duhet të marrim sa më shumë prej tyre. Anglia nuk ka universitete private, por ato janë më private se një privat. Ata kanë përpunuar mekanizma prej shumë vitesh, pa janë aty ku janë”, tha Berisha. Sipas tij, shqetësimi për licencimin e universiteteve private është i drejtë. “Ne jemi dhe do të jemi të hapur ndaj universiteteve private, por duhet të përcaktojmë kriteret më rigoroze transparente. Këto kritere nuk duhet të jenë produkt i burokracisë”, tha Berisha.
SKEMA E RE
Kryeministri shprehu angazhimin për reformën në fushën e arsimit, si dhe shtoi se do të bëhet gjithçka për të rritur buxhetin, për të modernizuar mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. “Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka t’ju japim autonominë maksimale, pasi kam bindjen time më të thellë se leva e Arkimedit për universitetet është liria akademike. Mund të ndërtosh çdo gjë tjetër, por po ndrydhe lirinë akademike, nuk mund të kesh ndonjëherë rezultatin që pret”, u shpreh Kryeministri. Në Konferencën e djeshme ishte i pranishëm edhe dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore. “Reforma do të sigurojë konkurrueshmërinë. Ajo është mjaft e rëndësishme dhe ka në fokus studentët. Ne garantojmë mbështetje financiare ndaj tyre. Me skemën e re kjo mbështetje nuk është vetëm ndaj universiteteve publike, por edhe atyre private. Ka ardhur koha që universitetet të kenë një formë tjetër autonomie që pa diskutim do të sjellë një skemë të re financiare”, tha Bode. Përfaqësuesit e Bankës Botërore e cilësuan si një hap mjaft të rëndësishëm reformën që po ndërmerret në arsimin e lartë. Sipas tyre, përpara se të vihet në zbatim, është i nevojshëm konsultimi me të gjitha grupet e interesit. Ministri Tafaj theksoi se shumë shpejt do të ngrihen të gjitha njësitë për zbatimin e reformës. “Kjo reformë është në interes të studentëve shqiptarë. Ajo synon të zhvillojë kapacitetet e universiteteve”, tha ministri i Arsimit. Ai nënvizoi se reforma synon rritjen e dixhitalizimit të universiteteve dhe rritjen e financimit të tyre. Ministri theksoi se do të rriten fondet për ekselencën e universiteteve. “Kjo reformë do të arrihet vetëm nga një bashkëpunim i mirë, në radhë të parë me ju profesorë të nderuar si dhe studentët, ndaj ju ftoj në këtë bashkëpunim”, tha Tafaj.
DRAFTI I RI
Tashmë, në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit ka mbërritur drafti i ri për financimin. Sipas këtij drafti, qeveria do të rregullojë ekuilibrin e “ndarjes së kostove” midis shtetit dhe studentëve për të reflektuar më nga afër natyrën e “përfitimit personal” që studentët marrin nga edukimi i tyre i lartë. Në draft argumentohet se të diplomuarit nga universitetet përfitojnë në mënyra të ndryshme, po të krahasohen me moshatarët e tyre që nuk frekuentojnë universitetin. Ky “përfitim personal” plotësohet nga “përfitimi publik” që të diplomuarit i japin zhvillimit të shtetit.
“MASH ka abuzuar me rishpërndarjen e kuotave”
MASH ka abuzuar me rishpërndarjen e kuotave të paplotësuara në formularin A3. Shqetësimin e ngritur nga prindër e kandidatë për studentë e ka konfirmuar Rektorati i Universitetit të Tiranës. Sipas tyre, në formularin A3, kuotat e mbetura bosh në Fakultetin e Mjekësisë, Ekonomikut, Juridikut dhe Shkencave Sociale ishin hequr, dhe këto kuota iu shtuan fakulteteve të tjera. Rektorati i Tiranës pohon se për herë të parë ata ndeshen me një fakt të tillë që është në shkelje me të gjitha të drejtat që kanë të rinjtë. Sipas të dhënave rezulton se të rinjtë që ndodheshin poshtë vijës së fituesve janë nxënës me mesatare të larte dhe mjaft të përgatitur. “Ajo çfarë ne kemi konstatuar është shqetësimi i dhjetëra prindërve dhe studentëve që kanë ardhur pranë Rektoratit dhe kanë shprehur shqetësimit se pavarësisht se ata janë menjëherë pas studentit të fundit të regjistruar dhe pavarësisht se ka kuota bosh, ata tashmë nuk mund të regjistrohen, sepse Ministria e Arsimit i ka zhvendosur kuotat nga këto degë në degë më pak të preferuara”, sqaroi dje Ervin Demo, drejtor i Komunikimit në Rektorat. Sipas tij, problemi më i madh është që studentët që përjashtohen nga ky proces janë studentë me rezultate të mira. “Kjo është një gjë e papranueshme dhe besoj e padrejtë për studentët”, tha Demo. Në të gjitha universitetet publike në vend kanë mbetur 2000 kuota bosh. Fituesit pritet të shpallen brenda pak ditëve. Ata kanë aplikuar me formularin A3 ku ishin përcaktuar degët ku kishte vende të lira. Ministria e Arsimit, që përpara se të publikonte këtë formular kishte bërë me dije se nuk do të përfshiheshin degët e kërkuara. Rishpërndarja e kuotave do të bëhet vetëm brenda degëve të përcaktuara në formularin A3, siç është Historia, Gjeografia, Kimia, Anglishtja, Frëngjishtja, Gjermanishtja apo Fizika, fakultete të Universitetit të Tiranës.
Senati i UT: Reforma, e përshpejtuar
Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka vënë në pikëpyetje të madhe skemën e re të financimit në shkollat e larta. Pas analizës së draftit që përmban planin kuadër të hartuar nga Ministria e Arsimit, pak javë më parë, me një shkresë zyrtare, Senati i është drejtuar këtij dikasteri. E ndarë në dy pjesë, kjo letër përmbante në total 22 pyetje, një pjesë e të cilave mund të cilësohen edhe si retorike. Të tjerat konstatonin disa mangësi në draft, të tilla që sipas Senatit Akademik, duhet të riparohen për të garantuar seriozitetin dhe besueshmërinë mbi të cilën do të ndërmerret kjo reformë. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë me dije se ende nuk është kthyer asnjë përgjigje nga MASH. Sipas Senatit, drafti nuk paraqet një panoramë të situatës aktuale të arsimit të lartë, gjë që kërkohet në çdo strategji apo reformë të re që ndërmerret në të gjithë sektorët. Po kështu, është evidentuar se mungon një studim për vijimësinë e skemës së re të financimit.