Studentët, por dhe të rinjtë që synojnë arsimin e lartë publik ose privat, këtë verë do të mësojnë cilësinë e 60 universiteteve shqiptare dhe vlerën e diplomave që lëshojnë këto institucione. Para fillimit të vitit të ri akademik, agjencia britanike që ka marrë përsipër akreditimin dhe vlerësimin e shkollave të larta, do të bëjë publik renditjen e universiteteve dhe pikët e tyre. Gjatë një interviste për Vizion Plus, ministria e Arsimit Lindita Nikolla deklaron se ky proces do të bëjë ndarjen mes universiteteve cilësore dhe atyre që nuk plotësojnë standardet për të qëndruar në treg.
Arsimi i lartë do t’i nënshtrohet një reforme të thellë që si synim kryesor ka cilësinë e diplomave dhe ndarjen e shkollës nga biznesi. Kjo e fundit vlen për 45 universitet private që sot në këmbim të pagesës së studentit, garantojnë diplomën. Për ministren Nikolla këto institucione nuk do të kenë fonde nga buxheti i shtetit nëse nuk funksionojnë vetëm si shkolla dhe jo biznese.
Hartimi i ligjit të ri për arsimin e lartë i është besuar një komisioni të posaçëm, të ngritur nga ministria e Arsimit. Nëntë profesorë të shquar të fushave të ndryshme, njëherësh drejtues në universitetet publike, private dhe jashtë vendit do të hartojnë draftin për ndryshimet në arsimin e lartë, standardet që duhet të plotësojnë universitetet për të vijuar funksionimin, cilësinë e stafeve të profesorëve, diplomave por dhe skemën e re të financimit të tyre. Kjo reformë pritet të marrë kohë, megjithatë brenda këtij mandati qeveria e majtë siguron se do të këtë gati ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili do të bëjë ndarjen mes universiteteve që duhet të jenë në treg dhe atyre që nuk duhet të punojnë më si të tillë.