Universitetet private 170 dege te pa akredituara ja diplomat e pavlefshme

Universitetet private 170 dege te pa akredituara, ja diplomat e pavlefshme
Studentët shqiptarë shpenzojnë të ardhurat e tyre për t’u arsimuar, por në fund ata pajisen me diploma të pavlefshme. Ky është fati që i pret studentët e universiteteve private në Shqipëri, të cilët duket se kohët e fundit janë shtuar shumë në numër. Pjesa më e madhe e këtyre universiteteve u ofrojnë studentëve programe studimi që nuk njihen nga Ministria e Arsimit. Sipas të dhënave të marra nga Agjensia e Akreditimit, në universitetet private170 programe mësimore janë të paakredituara dhe 115 janë të akredituara. Pra me një llogaritje të thjeshtë i bie, që më shumë se gjysma e programeve të studimeve në universitetet private,

nuk njihen nga Ministria e Arsimit, edhe pse është kjo e fundit që e ka dhënë miratimin për hapjen e këtyre universiteteve. Çështjes së akreditimit të programeve që ofrojnë universitetet shqiptare, i kemi hyrë më thellë, dhe sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Agjensisë Kombëtare të Akreditimeve, kemi nxjerrë përfundimet përkatëse për secilin program studimi që ofrojnë këto universitete. Kështu, Universiteti privat i New Yorkut në Tiranë, gjithsej ofron 19 programe studimi, nga të cilat 12 janë të akredituara dhe 7 janë të paakredituara. Universiteti “Luarasi” ka gjithsej 6 programe studimi, por të akredituar ka vetëm njërin prej tyre. “Ufo”, nga 34 programe gjithsej, të akredituara ka vetëm 8 prej tyre. Ndërsa, universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ka gjithsej 21 programe studimi, nga të cilat 13 janë të paakredituara, dhe vetëm 8 prej tyre njihen nga Ministria e Arsimit. Edhe universiteti privat, “ Marin Barleti”, ka shumë programe të paakredituara, sepse nga 20 programe, 16 prej tyre janë të paakredituara.

Një tjetër universitet privat, siç është ai “ Kristal”, ka gjithsej 27 programe studimi, prej të cilave 13 janë të paakredituara. Universiteti “Justiniani I”, ka vetëm 7 programe, 4 prej të cilave nuk i njihen nga MASH. Institucioni privat i arsimit të lartë, “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, është shembulli i universiteteve, të cilat kanë më shumë se gjysmat e programeve të tyre të paakredituara. Kështu, ky universitet nga 17 programe gjithsej, por, 11 prej tyre nuk njihen, sepse janë të paakredituara. Universiteti Europian i Tiranës, ofron 39 programe studimi, qofshin këto të nivelit të parë, të dytë apo të tretë, prej të cilave 29 janë të akredituara dhe 10 të paakredituara. Një vend në këtë listë, e zë edhe universiteti “Polis”, i cili ka 13 programe gjithsej, por vetëm 4 prej tyre janë të akredituara.

Kësaj liste, i shtohet edhe universiteti “Aldent”, që ka gjithsej 5 programe, 3 prej të cilave nuk njihen. Universiteti “ Epoka”, ka gjithsej 16 programe studimi, prej të cilave nuk njihen jo pak, por 9 prej tyre. Edhe shkolla e lartë, “ ISSAT”, ofron plot 15 programe studimi, prej të cilave njihen vetëm 5 prej tyre. Fundin e kësaj liste e përmbyll universiteti “Iliria”, i cili përbën edhe ekstremin e kësaj liste, sepse nga 12 programe, që ofron gjithsej, njeh vetëm një prej tyre, duke harruar që studentët e 11 programeve të tjera, marrin diploma që nuk janë të vlefshme për tregun e punës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama