Universitetet private hapin dyert Asnje kusht mjaftojne parate

Universitetet private hapin dyert: Asnje kusht, mjaftojne parate

Edhe pse kuotat e pranimit po rriten nga viti në vit, duke bërë që gati të gjithë të kenë sot një diplomë në xhep, universitetet e larta publike ruajnë akoma disa kritere për pranim, siç është një kufi minimal pikësh. Ndryshe nga këto të fundit, tek privati mjafton të dorëzosh paratë dhe një dokumentacion formal, të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për të siguruar profesionin e të ardhmes. Por, krahas dokumenteve formale duhet edhe që maturantët të rezultojnë kalues në katër provimet e Maturës Shtetërore. Kjo do të thotë se privati hap dyert për të gjithë ata që preferojnë një degë të caktuar apo ata që nuk fitojnë në asnjërin prej universiteteve publike në vend. Pikërisht këtë parashikon edhe udhëzimi më i ri i MASH, botuar tashmë edhe në Fletoren Zyrtare. “Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme, ka rezultuar kalues në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore, si dhe është pajisur me diplomën përkatëse në Republikën e Shqipërisë, për të realizuar aplikimin, duhet të paraqesin dokumentacionin e duhur.”

 

Po sipas këtij udhëzimi, më datë 1 gusht do të hapet procedura e regjistrimit apo pranimit të maturantëve kandidatë për në universitetet private të arsimit të lartë, procedurë kjo që do të zgjasë deri më 15 nëntor. Nga ana tjetër, zyrtarët e MASH bëjnë të ditur se në fillim të muajit shtator pritet të shpallen fituesit. Ndërkohë ka edhe dy mundësi të tjera që maturantët të zhvendosen në një preferencë më të lartë apo minimalisht të mos mbeten pa fituar një nga 328 degët e universiteteve publike në vend.

Ndërkohë, deri atëherë presupozohet që të gjitha mundësitë për të fituar të paktën një degë, të jenë shuar. Në këtë “zallamahi” triumfojnë universitetet e shumta private të cilët kërkojnë të peshkojnë sa më shumë maturantë, por jo më cilësorët. Kështu, për të gjithë ata që mund të përfundojnë në një nga universitetet private në vend, ka një sërë dokumentesh që duhen dorëzuar: Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje e noterizuar e diplomës e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA).

Një pikë e veçantë e udhëzimit parashikon edhe rastet kur kandidati për në universitet ka përfunduar shkollën e mesme përpara viti 2011. Edhe për këta të fundit, universitetet private do të kenë si kusht pjesëmarrjen e tyre në katër provimet e Maturës Shtetërore. Maturanti duhet të paraqesë dëftesën e pjekurisë, ose një fotokopje të saj e cila duhet të jetë e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ ZA). Por, në qoftë se kandidati nuk posedon dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, në bazë të udhëzimit, ai duhet të paraqesë fotokopje të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme në të cilën ka përfunduar shkollën si edhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore. Përveç kësaj duhet edhe një dokument identifikimi si dhe dy fotografi të tilla. Regjistrimi në programet e studimit të ciklit të parë, në institucionet private të arsimit të lartë privat do të kryhet deri në datën 15 nëntor 2013 dhe brenda 15 ditësh këto institucione duhet t’i dërgojnë AKP-së një listë të studentëve të regjistruar. Kjo e fundit, edhe pse shkolla ka vazhduar, vijon me procedurën duke i dërguar institucioneve të larta private listën përkatëse me numrat e matrikullimit të studentëve. Kushtet për pranim nuk figurojnë asgjëkund edhe për pranimet e studentëve të nivelir të dytë në universitete private. Këtë nuk e themi ne, por vetë udhëzimi i nxjerrë nga ministri Tafaj.

“Studentët, të cilët kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në të njëjtën IAL private ku aplikojnë për t’u regjistruar në programet e studimit “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve të Bukura” dhe “Master Profesional”, nuk janë të detyruar të dorëzojnë dokumentacionin e mësipërm.” Edhe për ata studentë që mund të kenë mbetur në disa provime gjatë ciklit të parë të studimeve, MASH ka gjetur një zgjidhje në mënyrë që ata të mos bëjnë një vit “stazh”. Për këtë kategori studentësh parashikohet regjistrimi në programin Master Profesional ose Shkencor. “Këta studentë (që vazhdojnë ciklin e dytë të studimeve në të njëjtën IAL) nëse nuk kanë fituar diplomën Bachelor mund të regjistrohen në programin MP ose Msc edhe nëse kanë provime të mbartura të ciklit të parë, por jo më shumë se tri të tilla.” Më tej, çdo kompetencë i kalon Agjencisë Kombëtare të Provimeve e cila bën matrikullimin e listës së studentëve që i kanë dërguar vetë institucionet private në vend.

Transferimi i studimeve

 Pas pranimeve në universitetet e larta në vend, MASH është kujdesur edhe për transferimet e studimeve të studentëve nga një universitet në tjetrin. MASH e ka parë të arsyeshme që procedurën e transferimit të studimeve nga një institucion publik i arsimit të lartë në një privat apo dhe anasjellja t’ua lërë në dorë vetë institucioneve përkatëse. Transferimet e studentëve do të kryhen në bazë të kritereve të përcaktuara qartë në statutet dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri. Ky proces do të realizohet në dy faza: 1 gusht deri më 15 nëntor 2013 dhe faza e dytë do të realizohet nga data 15 shkurt deri më 15 mars 2014. Universitetet e larta duhet t’i dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve një listë të studentëve të transferuar në formë shkresore dhe elektronike. Ndërkohë që procesi i transferimit bëhet i mundur nga kjo agjenci e cila bën përditësimin e të dhënave dhe kryen veprimet procedurale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama