Kreu i Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, Avni Meshi, thotë se ky proces është një detyrim ligjor që duhet të përmbushet brenda 6 viteve të hapjes së një lënde. Në këtë kuadër, Meshi bën të ditur se brenda vitit të ardhshëm të gjitha universitetet publike duhet ta kryejnë këtë proces. Ndaj ai u bën thirrje në veçanti universiteteve të rretheve, të cilat kanë qëndruar indiferentë, të marrin pjesë në procesin e akreditimit.
“Ky detyrim ligjor është pas Ligjit të Arsimit të Lartë në vitin 2007, i cili ka dhe anën tjetër të akreditimit ciklik, një herë në 6 vite, do të thotë që universitetet që janë hapur më herët sesa 2007, si duket quhen të mirëqenë si të akredituar përpara, dhe i bie që vitin tjetër ata të kërkojnë riakreditim” – pohon Meshi. Ai sqaron se akreditimi mund të kryhet edhe nga ekspertë të jashtëm. “Madje, një iniciativë të tillë do të merrte Universiteti i Tiranës, por deri tani premtimi ka mbetur në nivel deklaratash” – shprehet drejtori i Agjencisë së Akreditimit. Për specialistët e huaj universitetet duhet të paguajnë gati dyfish të tarifës. Nëse akreditimi bëhet nga ekspertë vendas, ai kushton gati 300 mijë lekë, ndërsa me specialistë të huaj ai shkon rreth 600 mijë lekë. Sipas kreut të APAAL, deklaratat për t’u akredituar nga ekspertë të huaj janë iniciativa të mbetura në tentativë, pasi pranë agjencisë nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga universitetet. Akreditimi i universiteteve është një proces që lidhet me cilësinë e diplomave që lëshon universiteti.
Ai tashmë është një nga kushtet më të rëndësishme që i lejon studentit të punësohet më shpejt në tregun e punës. Duke u ndalur në procesin e deritanishëm të akreditimit, autoritetet e arsimit thonë se ka pasur edhe vlerësime negative programe të ndryshme, të cilat, nëse nuk do të plotësojnë kriteret, rrezikojnë të mbyllen. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, vendimi negativ bën që një institucion ose program të mos njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë. “Çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë.
Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë”, – përcaktohet në ligj. Nga ana tjetër, universitetet publike apo private që nuk do të akreditohen nuk do të përfitojnë nga sistemi i ri i financimit. Sipas drejtuesve të arsimit, nëse do të ketë universitete që do të refuzojnë të marrin pjesë në proces, do të ketë penalizime të rënda, siç është edhe mohimi i të drejtës së përfitimit të fondeve nga Ministria e Arsimit. “Në qoftë se këto universitete private apo publike duan të përfshihen në procesin e financimit, në skemën që propozon qeveria shqiptare, ato patjetër duhet të ballafaqohen me cilësinë në universitetet e tyre” – deklarojnë specialistët e arsimit. Aktualisht në vendin tonë numërohen 14 institucionet të arsimit të lartë publik dhe 44 të arsimit të lartë privat.
“Ky detyrim ligjor është pas Ligjit të Arsimit të Lartë në vitin 2007, i cili ka dhe anën tjetër të akreditimit ciklik, një herë në 6 vite, do të thotë që, universitetet që janë hapur më herët sesa 2007, si duket quhen të mirëqenë si të akredituar përpara, dhe i bie që vitin tjetër ata të kërkojnë riakreditim.”