Për të kuptuar si funksionon sistemi i pranimeve në universitete mbi të dy kriteret meritë dhe preferencë, por edhe për një informacion më të detajuar, specialistët e pranimeve në universitete kanë përgatitur një tabelë ku fituesit e shpallur jepen sipas preferencës së kërkuar prej tyre. Shembulli i referohet vetëm Universitetit të Tiranës, për fituesit e shpallur në fazën e parë të pranimeve. Por cili është ndryshimi i kërkesave duke lëvizur nga preferenca e parë e deri tek e dhjeta? Sipas specialistëve, këtu panorama e kërkesave është tepër e veçantë, pasi është programi i studimit ai që e përcakton këtë raport. Sipas specialistëve, padyshim aty ku kemi të bëjmë me programe studimi të kërkuara, fluksi i madh i kërkesave nuk përbën ndonjë diferencë të madhe midis preferencës së parë dhe të dhjetë. Por e kundërta ndodh për programet e “dorës së dytë”, që janë degë më pak të preferuara nga të rinjtë.
Në këto programe, në preferencat e para ka një numër të vogël kërkesash dhe ato vijnë duke u rritur në preferencat e fundit. Shpjegimi në këtë rast, sipas specialistëve, është se shpeshherë këto preferenca plotësohen si një mundësi për të mos ngelur pa të drejtë studimi, për ata maturantë që me rezultatet e tyre nuk përmbushin dot kriterin e meritës për programet e kërkuara. Për të treguar sesi ndryshojnë kërkesat sipas 10 preferencave, specialistët kanë përgatitur dy shembuj, një për programin e studimit Gazetari dhe tjetri për programin e studimit Kimi. Në këta dy shembuj tregohet konkretisht sesi luhatet numri i kërkesave nga preferenca e parë deri tek e dhjeta. Sakaq, specialistët kanë përgatitur edhe dy shembuj të tjerë me fituesit sipas preferencave, një për Fakultetin e Mjekësisë, degët e të cilit mund të fitohen jo vetëm me një sasi të madhe pikësh, por edhe nëse janë të listuara si preferenca të para në Formularin A2. Shembulli tjetër i referohet Fakultetit të Histori-Filologjisë, për degët e të cilit ka një shpërndarje të ndryshme kërkesash sipas preferencave.
U bënë tashmë 6 vjet që në sistemin e pranimeve në universitetet publike të vendit, Ministria e Arsimit ka marrë përsipër të zbatojë parimin Meritë-Preferencë dhe të përcaktojë fituesit për çdo program studimi. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, të cilat merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave në bazën e të dhënave janë të gjitha elementet e nevojshme për llogaritjen e pikëve të secilit maturant. Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.