Paul Uolker, i “Green Cross International”, njeriu që trazoi ujërat për aferën shqiptare të armëve kimike të Bashar al-Assad ka deklaruar për emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla se Shqipëria nuk ka marrë ende një vendim. Nëpërmjet një lidhje satelitore, Uolker deklaroi se “Unë kam qenë i përfshirë në çmontimin e armëve kimike prej 20 vitesh dhe kohët e fundit, për shkak të situatës në Siri kam pasur diskutime për armët dhe lëndët kimike do të shkatërrohen brenda apo jashtë Sirisë. Ka pasur diskutime muajt e fundit se cili do të jetë ai vend ku do të shkojnë këto armë dhe në katër vendet që është folur përfshihet Shqipëria, Franca dhe Danimarka”, u shpreh ai.
I pyetur për llojin e lëndëve kimike dhe çfarë rrezikshmërie paraqesin ato, Uolker është shprehur se: “Assad ka deklaruar nga 1 mijë deri në 1 300 tonë agjentë kimikë. Lajmi i mirë është që thuajse të gjithë, me përjashtim të 20 tonëve janë lëndë kimike prekurosore, pra pararendës që kanë si qëllime ushtarake ashtu edhe industriale. Nuk janë agjentë kimikë të mirëfilltë dhe kjo e bën më të lehtë transportimin e tyre. Ka edhe agjentë kimikë që mund të jenë shumë toksikë, që mund të vrasin, siç është VX dhe agjenti nervor sarin e gazi mustardë, që është edhe më i vjetri, por kjo është pjesa më e vogël e arsenalit sirian”.
Ndërsa për sasinë që mund të zbarkojë në Shqipëri, Uolker u shpreh se do të jetë rreth 1 mijë tonë, ka më shumë se kaq në Siri, rreth 1 300 tonë. “Do verifikuar ende shifra e saktë, por disa prej këtyre lëndëve mund të shkatërrohen lehtësisht edhe brenda Sirisë. Pjesa tjetër e lëndëve kimike prekursore, pra lëndë parapërgatitore kanë të ngjarë që duhet të shkojnë në një vend tjetër që mund të jetë Shqipëria”.
I pyetur për deklaratën e një dite më parë për Al-Jazeera dhe nëse është marrë një vendim për sa i përket përfshirjes, Uolker ka deklaruar se: “ SHBA i kanë kërkuar qeverisë së Shqipërisë, nëpërmjet Departamentit të Shtetit, nëse do të ishte apo jo e interesuar që të ndihmonte në lëndët kimike prekurosore, siç e ka bërë edhe ndaj disa vendeve, që i kanë thënë jo e të tjerë nuk janë ende përgjigjur, duke treguar një farë interesi siç është edhe kategoria e Shqipërisë. Me sa di unë, vendimi nuk është marrë ende, plani i demitiralizimit duhet të aprovohet nesër nga Këshilli Ekzekutiv i Organizatës së Ndalimit të Lëndëve Kimike dhe besoj se nëse Shqipëria përgjigjet pozitivisht, SHBA-Rusi besoj se do të ishin të detyruar të realizonin një diskutim publik që do të informojë vendin për përfitimet dhe rreziqet. Ne mund të ndihmojmë me këtë debat publik me qeverinë dhe zyrtarët shqiptarë”.