Ura e Drashovices-Kufiri i krahines se Laberise

Ura e Drashovices-Kufiri i krahines se Laberise

Labëria shtrihet brenda tri urave, Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës


Ku gjendet kufiri i Labërisë?Këtu nuk ka asnjë shenjë. Nuk ka konture, që  tregojnë gjurmët  nga fillon kufiri i krahinës më të madhe të vendit,Labërisë. Kufiri këtu humbiste në hapësirë. Diku e ruante profilin e vet. Në  memuare,apo  në rodhanët e zhubrosur të krijimit popullor e folklorik. Por silueta e tij rishfaqej  e plotë .Në studime të hollësishme. Në një vend ekzistonte vetëm si nocion. Brenda këtyre kontureve, d.m.th brenda vargut lëviz fjala e ëmbël: Labëri. Por qartazi,rishfaqej vijëza e tij,më tej. E vështirë ta përshkruash  imazhin e atij rripi toke  me qindra km në jug të vendit .Kufiri i krahinës jugore, që quhet Labëri. Ai është veçse një udhë-kalim,në të gjithë hapësirën që përshkruhet në mot të motit,si krahinë e Labërisë.

Ura e Drashovicës


Si në të gjithë botën,urat kanë  një mision të veçantë dhe kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet. Një urë është ndërtuar  me një strukturë  të tillë për të kapërcyer vështirësitë fizike të tilla si uji, luginë, apo rrugë, për qëllimin e ofrimit mbi pengesë. Ka shumë dizajne të ndryshme që të gjitha shërbejnë për qëllime unike dhe të aplikojnë për situata të ndryshme. Etimologjia e fjalës urë është: Urat e parë u bënë nga vetë natyra - aq thjeshtë sa një regjistër të rënë nëpër një lumë apo gurë në lumë. Urat e para të bëra nga njerëzit përfshin drurët  e prerë apo pika dhe përfundimisht gurë, duke përdorur një mbështetje të thjeshtë dhe aranzhim traverse.


Ura e Drashovicës aktualisht lidh dy brigjet e lumit Shushicë. Ura e sotme është e derdhur me beton. E gjithë struktura e saj. Ura e Drashovicës është kufiri ku fillon të shtrihet krahina e Labërisë.
Rrapet e Drashovicës  monumenteve te natyrës shqiptare.


Poshtë urës vërshon herë i qetuar e herë  tërbuar lumi Shushicë. Shushica derdhet në det pasi ka përshkrua rreth 72 km në luginën e Shushicës,burimet e saj nxjerrin ujë në Shurr të Kuçit 500l/s dhe rreth 300l/s në Buronja,sipas studiuesve Buronjat e Kuçe shkarkojnë ujërat nëntokësore që grumbullohen në masivin karstik të Kurveleshit të Sipërm, i cili gjendet rreth 600 m më lartë se vendi. Në këtë kufi natyror duhej të vendosej një pllakë dëftonjëse si kufi tregues ku fillon një krahinë e madhe. Te këmbët e urës së Drashovicës. Te fasada e saj përkarshi monumentit Drashovicë 1920-43. Një varg gati i  thjeshtë dhe  i gjetur .Dhe ky vargëzim shkronjash   të tregojnë se këtu fillon kufiri i krahinës. Lexojmë përveçse kulmin :Labëri. Nga  ky kulm burojnë shumë cilësi, që mbartë më vete krahina e madhe jugore.


“Labëri sa i dua....


Pasqyrimi  me gjuhën e folklorit më tej  dhe në studimet historike  në fillesë ,na lejon të qartësojmë, thellësinë nën suprinën e të cilit gjindet emërtimi i një krahine.


Çajupi ka shkruar ekzaksisht kështu:”“Labëri sa i dua,/Pyjet e kodrat e tua,/Ato gryka , ato male,/Ku dhe zogu shkon ngadalë,Shkëmbinj dhe shpella si thikë,Që t’i shikosh të vjen frikë,/Anës lumit, ndënë hije,/Ç’faqetë një rrugë dhie,/Rrugë e ngushtë nëpër gjëmba,/Mjerë kujt t’i shkasë këmba!”(Çajupi “Baba Musa Lakuriq” 1887 Egjipt).


Sami Frashëri:”Lebërit janë improvizatorë të rrallë”. S. Frashëri, ka thënë: se Labëria nuk përbën vetëm Progonin e Përmetin, Labëria shtrihet në jugperëndim të Shqipërisë, nga lumi Vjosa në lindje e verilindje, deri në bregdet të jonit e Adriatikut, në Perëndim, ndërsa në jug kufizohet me lumin Pavëll.


Rrok Zojzi, etnograf i cili në vitet 50-të 60-të bëri ekspedita në disa zona të Labërisë ,në vitin 1962  ka përcaktuar se:“Labëria , i mbështetur në tregimet popullore ka përcaktuar si Labëri atë pjesë të Shqipërisë Jugperëndimore që shtrihet brenda tri urave: urës se Drashovicës,të Tepelenës dhe të Kalasës afër Delvinës.


Nga veriu Labëria ka si kufi krahun e majtë të lumit Vjosa. Emërtimi,me sa duket lidhet me emrin e hershem etnik të shqiptarëve "arbër".Ajo është treva e Kaonve te periudhës ilire që e përmend Tuqidi në vitin 629 p.e.s. "fis ilir i Epirit" ndërsa në mesjetë e fiseve arbëreshe të Krisejve,Kirilisejve,Plesejve (Plesati i sotëm)….


N.Myrta:ethymologjia e  emrit Labëria:Labëria si krahinë shqiptare që nga shek. 16. përfshinte territorin e Shqipërisë Jugore, nga Vlora, deri tek kufiri grek në jug, afër Sarandës, ngjit me Gjirokastrën (Argjirën e lashtë), e zgjeruar në lindje deri në Tepelenë, mendoj se është një tkurrje e madhe historike, e historiografike, nga epokat e lëkundjeve tranzitore, nga veriu ballkanik, e mbetur si fis illirian – labeat, labeatët, deri kohëve të fundit, shihen parabolë historike, sot nga veriu e jugu i shtetit shqiptar londinez, nga Shkodra deri në Vlorë. ‘


Të tjerë:Labëria është krahinë e madhe etnografike në Shqipërinë Jugperëndimore. Emërtimi i krahinës lidhet me emrin e hershëm etnik të shqiptarëve, “arbër”, Arbëri, Labëri, sipas ndryshimit fonetik. Labëria shtrihet brenda tri urave, Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës. Si kufi verior i saj merret krahu i djathtë i lumit Vjosë, ndërsa kufi jug-perëndimor merret Deti Jon. Historikisht ajo është treva e fisit të Kaonëve të periudhës ilire, ndërsa në mesjetë është vendbanim i tri fiseve arbëreshe, Grisejeve, (Lumi i Vlorës), Korvesejve (Kurveleshi i sotëm) dhe Plesejve (Krahina e Kardhiqit ku bën pjesë edhe fshati Plesat në Cepo). Labëria ka qenë në një shtrirje më të gjerë nga sa njihet sot, me unitet gjeografik, ekonomik dhe kulturor, ka pasur të drejtën e vet zakonore, mbi bazën e së cilës në tërësi edhe është vetadministruar para krijimit të shtetit shqiptar, pavarësisht pushtimit osman.


Njëra ndarje e iso-polifonisë shqiptare  dhe   shtrirjes gjeografike të Labërisë,E. Çabej: me këtë emër quhet ajo pjesë tokë jugperëndimore, kufiri i së cilës fillon te katundi Lazarat në jugë të Gjirokastrës. Kufiri lindor shkon prej Lazaratit për së gjati Malit të Gjerë dhe pjesës jugore të Malit të Picarit gjer në Tepelenë. Kështu vazhdon në perëndim të Vjosës kurse në të djathtë të lumit shtrihet vendi toskë në kuptimin e vërtetë të ngushtë të fjalës. Kufiri zë në veri katundin Mesaplik afër Vlorës dhe vazhdon gjatë një vije ideale që shkon prej Mesaplikut në Kudhësin e afërm; kufirin perëndimor e përbën deti. Zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë janë Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi, Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti, Dukati. Labçe këndohet gjithashtu në Zagorie, Lunxhëri, Malëshovë, Rrëzë e Tepelenës, Dragot, Kras, Izvor, Buz, Mallakastër, zona të cilat mund t’i konsiderojmë si rrethinat të Labërisë. Popullsia labe, nëndahet në “labë kristianë” (Rrëza e Tepelenës, Zagoria, Bregu i detit) dhe në “labë muhamedanë” (blloku qendror i popullsisë). Në këndvështrimin e sotëm të ndarjes së mirëfilltë administrative, në Labëri bëjnë pjesë rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës. Lidhur me iso-polifoninë labe ekzistojnë mënyra të ndryshme të portretizimit dhe të shpjegimit muzikor të saj. Vetë të kënduarit polifonik nga populli konsiderohet misterioz dhe instiktiv, e në përgjithësi si një dukuri që mbart brenda reflekset e natyrës, zërat e natës e ato të tokës së Labërisë.


N.Zhupa libri “Fterra në shekuj ”:“Labëria dallohet mbi të gjitha, nga origjinaliteti folklorik në veshje e në të folur. Qylafi i bardhë me majë, tirqet e bardha, opingat me xhufka, fustanella me pala, llabania, sharku e guna e punuar me duar të arta, melodia baritore e culës dyjare, fyelli, trupi lastar, shkathtësia, guximi, trimëria, besa, mikpritja, krenaria, ballëlartë e mal në këmbë, diva me shikim të thellë e të ashpër si shqiponja, zgjuarsia natyrale e admirueshme etj.


Rapsodi F.Brahimi:Labëri të dua shume/si të gjithë Shqipërinë,/ti je bukë nga ai brumë/ku rriten trimat e mire./Midis grykës shkon një lume/malet si kala te rrinë,/mbi shkëmbinjtë  e mbi Rrathune/rritet bar dhe trëndeline./Fole shqiponjash ke qenë/je dhe do mbetesh e tille,/sorkadhe përmbi shkëmbinjtë/flake dyfeku vetëtimë./Për Gjoleken kane thënë,/për Gjoleke mandile zinë;/luftonte me palle ne këmbë/shkurtonte pashe e vezirë./Ata burra hije rende/Zigur Lelo me Saline,/çepe gjatët dy pëllëmbe/mbi italianet ç'u grinë.
Ura
Ura e Drashovicës nga ana e vet ka histori të tjera treguese. Duke rrëmuar memuaret e historisë dhe duke rendur nëpër fletët e  zverdhura të folklorit të krahinës emrin e urës së Drashovicës e ndesh shpesh. Kështu, që nga lufta e parë, në Luftën e Vlorës dhe më tej, në luftën e dytë Botërore,ura e Drashovicës shënohet tregues i qëndresës të shqiptarëve karshi pushtuesve fashistë dhe nazistë .Luftimet në Drashovicë shkruhet në një material të para viteve ’90, filluan në orën 22 data 5 qershor 1920. Rrethohet garnizoni nga çeta e Sali Vranishtit. Zihet rob një motoçiklist. Vritet një kapiten. Urdhri për çetat ishte :Sulmoni llogoret”.U shtruan gunat mbi telat me gjemba kapërcyen pengesat dhe llogoret. 2 orë luftime dhe pushtuesi u dorëzua.


‘43 lufta e dytë njohu tek ura përleshjet ku formacionet partizane goditën ashpërsisht nazistët duke u shkaktuar humbje në forca,njerëz dhe armatime. Beteja e Drashovicës  është përplasja e parë frontale kundër pushtuesit nazist. Ngjarja u zhvillua nga data 15 shtator deri më 4 tetor 1943.


Folklori


Folklori lab:”Cet' e Rrezes u vërvinë,/Kapetan kishne Saline,/Të keq trimn, vetullaziëe/Majave  vreshtave ryne/Me bomb' ne mes e godinë/ Tha : Në tel corra kërcine, /Për të mos trembur shokërin....


Pjesë nga folklori: Atje to Hani ne gryke / te ura në Drashovice, / Qëllon topi Italisë / Ka nijet që ta vithisë /Komision' e Shqipërisë,/ 0 moj Shqipëri e bardhe/ Bota ta kane sevdanë / Italia me Junanë / Të keqen ta kane marrë/ Se ke trima kordhëtarë / Barutin me grusht e hane


Koci Petriti poet:Unë i shoh gjithë urat/Nga urë Bushtrices,/Ja, urë e Qabesë/Ja, e Drashovicës….


P. Barjamaj rapsod: O Drashovica me derte.../ O e gurta Drashovicë!,/ Faqe historisë i mbete,/Historisë se Shqipërisë. / Ke qene pëllëmbë e gëzhoja,me tym baroti mbuluar, Si ti, thonë,ka qenur Troja,/ Që në themele rrënuar.../ Për ty flet lumi me valë.. / Për ty flete gjithë Labëria,/ Flet epopeja përballë, / Ne balle tu skalit lavdia./ I rri bukur Labërisë,/ si floku bores mbi supe,/ O vendi ku piva sise,/ o djepja,që dhe me tunde....


Si përfundim


....Labëria shtrihet brenda tri urave, Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës...


Ura e Drashovicës. Në një fotografi të vjetër vrojtohen varrezat  e ushtarëve italian të cilat janë varreza tipike katolike me kryqin  e madh dhe gurët e qemerit ,nga kjo fotografi shënohet  Shushica qartësisht duket e turbulluar dhe ujëshumë. Ura e Drashovicës lidh dy brigje sot është një urë me disa parmakë të rrëzuar  me rreth 8 këmbë, që mbajnë përmbi supe një masiv beton. Rreth 30 m përkarshi urës është monumenti Drashovicë 20-43 projektuar nga P.Hazbiu edhe ky është një masiv me një hark dhe një shtatore  bronzi ku paraqiten dy figura kryesore të luftërave, që në emërtimin popullor janë quajtur: epope 20-43. Këtu ose më tej duhet të kishte një pllakë që të tregonte  se kur udhëtari vë këmbën aty, ka shkelur ndërkaq  në krahinën më të madhe në jug të vendit.


 Si përfundim, prekëm vetëm kufirin e fillimit të krahinës së madhe  Labërisë,me shtrirje simbolike ndërmjet tri urave: Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës...
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama