Ura e Gorices gati per restaurim

Ura e Gorices gati per restaurim

Ajo konsiderohet si një nga objektet  më me vlera në qytetin  muze të Beratit. Ura e Goricës, e  quajtur si eleganca e bardhë që  ndodhet mbi lumin Osum, është  shpallur monument kulture e  kategorisë së parë për vlerat  që mbart dhe si e tillë ruhet  nga shteti. Vitet e fundit, ura e  Goricës, është lënë krejtësisht  pas dore si pasojë e mungesës  së investimeve, por një investim  i akorduar nga Fondi Shqiptar i  Zhvillimit do të bëjë të mundur  restaurimin e saj. 



Restaurimi i kësaj ure me vlerë  të madhe kulturore është menduar  që të nisë këtë muaj. Restaurimi  do të mundësojë që objekti të konservojë vlerat e  papërsëritshme, duke mos i cenuar  ato, por edhe të jetë një objekt  i vizitueshëm për të gjithë  turistët vendas dhe të huaj. Janë  rreth 130 mijë dollarë, të cilat  janë akorduar për restaurimin  e kësaj ure, punimet në të cilën  pritet të nisin shumë shpejt.  Drejtori i Drejtorisë Rajonale  Kombëtare të Kulturës në Berat,  Eugen Kallfani shprehet optimistë  për këtë iniciativë.  “Jemi në fazën përfundimtare  të procedurave dhe me një financim  të Fondit të Zhvillimit,  me projekt të hartuar nga specialistë  të DRKK-së Berat është  mundësuar ky investim që parashikon  restaurimin e këtij monumenti  të rëndësishëm, i cili në  ditët tona vjen në gjendje shumë  të amortizuar”, thotë Kallfani. 

 

Punimet do të bëhen për; eliminimin  e linjave ekzistuese, eliminimin  e linjës ekzistuese në  krahun lindor të urës dhe eliminimin  e rrjetit të ujësjellësit.  Restaurimi i kalldrëmeve ekzistuese  në trupin e urës së Goricës  është një tjetër punim i parashikuar  për këtë restaurim, sistemi  i ndriçimit, si ai në trupin e urës  dhe ai profesional me spote projektuese  në qemerët e urës. “Gjithashtu parashikohet dhe  vendosja e dy tabelave informuese  në skajin verior dhe jugor  për turistët, eliminimi i të gjitha mbetjeve inerte të cilat  prej vitesh të tëra kanë mbuluar  këmbëzat e urës”, thotë Kallfani  për “KultPlus”.  Ura e Goricës është një monument  kulture i kategorisë së parë,  shumë i rëndësishëm për Qendrën  Historike të Beratit. Ura  është ndërtuar që në shekullin  XVIII. Ajo ka qenë fillimisht prej  druri. Më pas, në vitin 1780, në  kohën e Ahmet Kurt Pashës ajo u ndërtuar me gurë. Sipas dokumentacioneve  të shkruara arkivore,  ura pësoi një rindërtim thuajse  të plotë gjatë viteve 1920-30.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama