Mirela Kumbaro-Furxhi, ministre e Kulturës në Shqipëri, në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, flet për bashkëpunimin kulturor e politik të Shqipërisë me Kosovën, për nismat e përbashkëta, për identitetin dhe diversitetin, për konkurrencën dhe padurimin. Zonja Kumbaro-Furxhi, thotë se ka vetëm një hapësirë kulturore shqiptare, ndërkaq veçoritë e saj i cilëson pasuri të kësaj hapësire.
Ajo thotë se qeveria e re shqiptare, ka një tjetër qasje në raport me Kosovën dhe se rezultatet e kësaj qasjeje të re do të ndjehen qysh në dhjetëditëshin e parë të tetorit.
Zonja Kumbaro - Furxhi, po e merrni detyrën e ministres së Kulturës në një kohë kur kjo fushë nuk është se e ka, as vëmendjen e duhur e as rëndësinë e dikurshme. Nuk ju duket ky një mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Fushë ka, madje e gjerë shumë, sepse kultura është ajo hapësirë e paanë që s'na i kufizon dot kush, veç në diktaturë mund të ndodhë, e diktaturën që e mundëm, nuk ka se si ta lejojmë të kthehet në asnjë grimë, bash sepse kulturën dhe mendimin e kemi tashmë fushë të lirë.
Por ju keni të drejtë kur thoni se në politikëbërje kultura, konsideruar më shumë si çështje qejfi, nuk ka qenë prioritet. Përgjithësisht në rangun e ministrive kultura është trajtuar si “kushëriri i varfër” si për nga buxhetet ashtu edhe për nga kostumi i kompetencave. Dhe për ta kompensuar këtë rrejshëm, asaj ministrie i janë shtuar fjalët emërtuese nga një qeveri në tjetrën si për të vërtetuar se sa më shumë flet, aq më pak bën.
A më duket i vështirë ky mision që kam marrë përsipër?- Ky mision nuk më duket i vështirë, ai është i vështirë! Por pikërisht për të kundërtën e arsyes që thoni ju. Është i vështirë, sepse në këtë nismë të re qeverisëse, qeveria e re i jep shumë rëndësi kulturës. Më në fund Ministria e Kulturës kthehet si një ministri e dedikuar, pa anekse e shtojca.
Është mision i vështirë, sepse në kulturë ndryshimet e mira nuk vijnë thjesht me vendime administrative të marra nga një ministër, por vetëm si një proces i ndërgjegjshëm dhe bashkëveprues i të gjithë faktorëve të asaj fushe të gjerë, ku Ministria do të luajë një rol mbështetës e promovues të vlerave, përhapës të edukimit kulturor dhe mbrojtës të interesave dhe trashëgimisë kulturore.
Cilat do të jenë, le të themi, dy-tre punët e para tuajat si ministre?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Me vetëdije e kam filluar punën si të tillë qysh në datën 1 gusht kur, bashkë me një skuadër të ngushtë bashkëpunëtorësh vullnetarë, kemi ngritur "laboratorin" e analizës së thellë të mekanizmave publikë që kanë vepruar në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, për të kuptuar çka nuk shkon e çka duhet bërë më mirë, në një dialog të hapur me aktorë të sektorëve të ndryshëm të kulturës. Me këtë proces vijuan dhe ditët e para të marrjes së detyrës, bashkë me stafin e ministrisë. Është një shkëmbim i nevojshëm për udhëheqësinë e re të Ministrisë, por edhe për vetë stafin që rishikon punën e kryer duke u bërë kështu kritik, apo lëvdues, i vetvetes.
Por ka disa prioritete që nuk presin sa të mbarojë procesi i analizës dhe i diagnostikimit.
Pritshmëria është shumë e madhe dhe publiku që, me shumë të drejtë, është lodhur nga ky tranzicion i gjatë i ndërrimit të qeverive, nuk mund të privohet ende nga adrenalina që duam të krijojmë në mjediset rinore të artit. Iniciativat e tyre nuk presin. Sa për t'ju dhënë një shembull. Kjo frymë filloi menjëherë në fund të shtatorit, me festimin e ditës botërore të përkthimit, me mbështetjen që i dhamë konkursit kombëtar të pikturës “Liveart” për të rinj nga mosha 18 deri 30 vjeç. Ndërsa në ditët në vijim do të zhvillohet edicioni i dytë i muzikës së dhomës të “Different Trains”- grupimi i instrumentistëve të njohur shqiptarë si Vlorent Xhafaj, Dorian Xhoxhaj, Arben Spahiu, Klajdi Sahatçi, e të tjerë artistë të suksesshëm të skenave evropiane.
Po kështu jemi në kontakt me rrjetet dhe faktorë të tjerë artistikë që veprojnë jashtë institucioneve për të krijuar një sinergji mes tyre dhe kalendarit artistik institucional.
Kjo sinergji bëhet edhe më e rëndësishme në kushtet kur gjendja financiare në të cilën e gjetëm ministrinë është shumë e rëndë, jo vetëm për shkak të borxheve të pashlyera, të keqmenaxhuara dhe që janë lënë në derë të Ministrisë, por edhe të administrimit pa kritere, pa transparencë dhe të pamonitoruar të fondeve publike. Situatë e cila duhet të ndryshojë urgjentisht. Ky është një nga prioritetet absolute të kësaj Ministrie.
Po çfarë mund të bëhet për trashëgiminë kulturore në Shqipëri që për vite është raportuar si alarmante?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Trashëgimia kulturore është një kantier i madh pune për Ministrinë e Kulturës, një kantier i cili kërkon një vëmendje të posaçme. Nga ajo analizë që ju përmenda, konstatojmë kaos në menaxhim, në kompetenca, dhe në zbatimin e ligjit. Jemi të mendimit se kjo nuk ka kaluar pa pasoja të cilat do të shqyrtohen në detaje dhe do të marrin kohën e duhur të analizës, ndërsa do të ndërhyhet për të frenuar menjëherë çdo ndërhyrje në trashëgiminë kulturore siç është rasti i Gjirokastrës për të cilën alarmi nga UNESCO ka muaj që bie pa marrë përgjigjen e duhur nga autoritetet shqiptare.
Shpëtimi i trashëgimisë kulturore nga keqmenaxhimi dhe nga dëmtimet është prioritet absolut i Ministrisë së Kulturës. Dhe, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, ky mesazh doli shumë i qartë duke filluar edhe një fushatë sensibilizimi për t'u ndërgjegjësuar për pasurinë që kemi. Ka pak ditë që një portal interneti është hapur nga Ministria për të bërë denoncimet online për dëmtime që qytetarët do të konstatojnë pranë monumenteve të kulturës dhe qendrave historike.
Vëzhgojmë me kujdes pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në këtë portal, ku rastet e denoncimit të dëmtimeve, shtohen ditë pas dite. Nga ana tjetër për të parandaluar dëmet, kemi ngrirë marrjen e vendimeve Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, vendim që ua kemi bërë të ditur të gjitha bashkive të Shqipërisë, për të bërë më parë një analizë të vendimeve të marra deri tani dhe për të kuptuar se si duhet bërë më mirë. Kjo është me rëndësi jetësore, pasi ndërhyrjet e gabuara në trashëgimi janë të pakthyeshme.
Unë besoj se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës, lë shumë për të dëshiruar. Keni ndonjë plan, se si do të mund të kishte një lëvizje pozitive dhe të shpejtë në këtë drejtim?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Pajtohem me ju kur thoni se bashkëpunimi mes nesh nuk është aq sa do të na e donte zemra. Dhe bash për këtë qeveria e re e ka caktuar prioritet vendosjen e urave reale për të punuar së bashku, pa patetizëm dhe duke bashkuar forcat. Ky mesazh doli shumë qartë kur kryeministri Edi Rama, të nesërmen e dekretimit të tij prej Presidentit të Republikës, ndërmori udhëtimin e parë qeveritar drejt Prishtinës, delegacion në të cilin pata fatin të jem edhe unë. Shumë shpejt do të kemi mbledhjen e parë të përbashkët të të dy qeverive dhe agjenda të përbashkëta për çdo fushë. Të tilla mbledhje do të bëhen dy herë në vit për të ruajtur vazhdimësinë dhe aksionet konkrete.
A jeni në dijeni se sikur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka filluar një fazë që më shumë i ngjet konkurrencës e mosdurimit, se sa bashkëpunimit?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Nuk e kam këtë ndjesi. Por varet si e kupton edhe këtë. Nëse ka një konkurrencë cilësie aq më mirë. Nga përvoja ime jo e pakët në Kosovë unë e di, për shembull, që ka sektorë ku Kosova është shumë më përpara se sa Shqipëria, si për shembull shërbimi i policisë, ndërsa në kulturë shoqatat kulturore kanë një jetë më tërheqëse sesa në Tiranë.
A mund të luajnë një rol vendimtar qeveritë e të dyja vendeve në atë që cilësohet integrim kulturor fillimisht? Nëse po, si duhet bërë?
Znj Kumbaro-Furxhi: Natyrisht që mund të luajnë. Dhe ky është roli mbështetës i atyre tendencave që ekzistojnë në realitetet tona kulturore. Sepse kulturën nuk e bëjnë qeveritë, por popujt dhe njerëzit e kulturës. Kultura jonë e përbashkët ishte edhe kur qeveritë e regjimet e mëparshme na kishin prerë çdo rrugë komunikimi dhe kur e paguanim me kokë një takim të dashuruarish. Tani që kultura është hapur qeveritë e të dy vendeve duhet të ndjehen me shumë fat që kanë mundësinë e madhe të bashkëpunojnë në këtë tokë pjellore kulturore.
Me aq sa jam në dijeni ka pasur disa nisma të akademive respektive të shkencave, të instituteve profesionale etj.., për disa projekte të përbashkëta, por pa rezultate... nuk po shkon siç duhet as debati për shqipen letrare. A ka rrezik që mosgatishmëria për t’u marrë vesh për çështje që u përkasin dy entiteteve, të çojë në krijimin e dy identiteteve krejtësisht të ndara kulturore?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Nëse ka nisma të përbashkëta që s'kanë qenë histori suksesi, kjo nuk është arsye të paragjykohen apo të tuten nisma ta tjera, përkundrazi. Nga ana tjetër, do të ishte e pabesueshme, që qysh në ditën e parë pasi lidhëm fillin e këputur pas 100 vjetësh të rigjendeshim pa asnjë dallim sikur të mos kishim 100 vjet nostalgji në mes. Por mendoni një çast, a do ta na shkonte ndër mend 10 vjet më parë se mund të flitej për një agjendë kulturore të përbashkët të mbështetur nga qeveritë përkatëse? E pra, ja ku jemi. Pra ka gatishmëri, ka vullnet, madje ka dhe shumë dëshirë, dhe këtë e dimë të gjithë ne që e kemi bërë rrugën Tiranë - Prishtinë pjesë të jetës tonë.
Sa për debatin që ju përmendni, unë nuk besoj se ka një debat për shqipen letrare. Sipas mendimit tim ka një debat për shqipen, çka është një tregues i shëndetshëm për gjuhën tonë si një qenie e gjallë e cila duhet zhvilluar, njohur e pasuruar, me të gjitha format e të folmet e saj.
Zonja Kumbaro Furxhi... edhe Shqipëria, por edhe Kosova, kanë numër të madh krijuesish e artistësh që i kapërcejnë kufijtë tanë. A mund të ketë një strategji ose një plan të përbashkët për një përfaqësim ndërkombëtar kulturor në botë? Apo kush si të mundet e në mënyrë krejt individuale?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Unë besoj se në mbledhjen e parë të përbashkët midis dy grupeve qeveritare me çka e filloi punën qeveria e re, doli shumë qartë ky vullnet dypalësh për të ndërtuar strategji të përbashkëta, kalendarë të përbashkët, dhe sinergji të përbashkëta kulturore të institucioneve, grupeve dhe individëve. Hapësira jonë kulturore është një hapësirë pa kufij dhe kultura është bashkimi ynë i pandashëm.
A ju lehtëson fakti se janë dy ministri kulture të dy shteteve shqiptare në Ballkan, apo është e kundërta?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Nuk besoj se ka ndonjë rëndësi kjo, ministritë janë administrata në shërbim të komunitetit kulturor dhe të publikut që përkthejnë në aksione konkrete politikat kulturore. E theksoj: kulturën nuk e bëjnë ministritë e as ministrat, por e bëjnë aktorët e kulturës.
Në bashkëpunim me ministrin Memli Krasniqi, jemi duke organizuar mbajtjen e një takimi gjithëpërfshirës me krerët e institucioneve artistike si të Prishtinës edhe të Tiranës, me qëllim që ngjarjet kulturore të qarkullojnë në të gjithë hapësirat tona dhe të parashikohen edhe shpenzimet që i shoqërojnë ato. Është ky një nga vendimet e para që kolegu Krasniqi dhe unë morëm në takimin tonë të parë, me çka unë fillova dhe ditën e parë të punës time më parë në Ministrinë e Kulturës së Kosovës, dhe në ditën e dytë hyra në zyrat e Ministrisë së Kulturës në Tiranë.
Çka duhet të bëjë Kosova që të jetë pjesë e tërësisë kulturore shqiptare?
Znj. Kumbari-Furxhi: Kosova është pjesë e pandashme, e padiskutueshme dhe dinjitoze e tërësisë kulturore shqiptare, jo vetëm me shqiptarizmin e vet, por dhe me diversitetin e vet etnik, kulturor e gjuhësor, duke përkthyer karakteristikat më të vyera të shqiptarëve, tolerancën, bashkëjetesën dhe mendjen e hapur. Është njësoj pjesë siç janë të gjitha pjesët e mozaikut kulturor shqiptar kudo që të ndodhen shqipfolësit.
Nëse ndodh që të krijohen dy identitete kulturore, siç po paralajmërohet me të madhe... kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Znj. Kumbaro-Furxhi: Krijimi i identiteteve as nuk paralajmërohet, as nuk vendoset me urdhër dhe as nuk kthehet në përgjegjësi fajtore. Nuk ka identitete të ndara, ka përfaqësim identitetesh sikurse ka dhe identitete të përziera që asnjëherë nuk janë të palëvizshme. Secili nga ne është produkt i një ndërthurje identitetesh çka s'mund të jetë as faj e as përgjegjësi. Unë vetë ndjehem e tillë, çka në fakt ma bën jetën më të bukur, sidomos qysh kur prej disa vitesh kam futur në identitetin tim edhe pjesën kosovare falë punës e jetës që kam kaluar në Kosovë.
Ndoshta është herët, por nëse ju pyes se cili do të jetë një projekt i përbashkët kulturor me Kosovën, cila do ishte përgjigja?
Znj. Kumbaro-Furxhi: I pari, në datë 10 tetor, do të jetë promovimi në Tiranë i veprave të plota të Ali Podrimes botuar nga Akademia e Shkencave e Kosovës, aktivitet i përbashkët i kësaj Akademie dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë. Më pas Panairi i Librit në Tiranë do t'i kushtojë një vend kryesor stendës së Shoqatës së botuesve nga Kosova, dhe një tryezë diskutimi të përbashkët me ta.