Urdhri per administraten Punonjesit qe nuk paguajne energjine ikin nga puna

Urdhri per administraten: Punonjesit qe nuk paguajne energjine, ikin nga puna

Çdo punonjës i administratës do detyrohet të nxjerr një vërtetim ku të tregojë se është i rregullt me shlyerjen e faturave të energjisë elektrike. Në rast se refuzon ta kryejë këtë procedurë do të merren masa deri në largim e tij nga puna. Në fakt kjo është masa që ka propozuar dje prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi gjatë tryezës për ngritjen e një task force për të shmangur vjedhjet që i bëhen energjisë në të gjithë vendin, dhe për të rritur nivelin e arkëtimeve në këtë sektor.

Prefekti i Tiranës

Brenda harkut kohor të 10 ditëve çdo punonjës i Prefekturës duhet të paraqesë pranë shërbimeve mbështetëse një vërtetim që nuk figuron debitor ndaj CEZ Shpërndarje. Për mospagimin e detyrimeve ligjore të energjisë do të merren masa të rrepta administrative deri në pushimin e tyre nga puna. Ky shembull duhet të ndiqet nga të gjitha institucionet e tjera, u shpreh dje Prefekti i Qarkut Tiranë Sadi Vorpsi i cili shtoi më tej se pjesë e listës së debitorëve janë edhe shumë institucione shtetërore, por se tashmë duhet të nis sa më shpejt procesi i pagesës së të gjitha faturave të prapambetura.

 

Ministri Gjiknuri

 

Kriza në të cilën është zhytur sektori i energjisë në vendin tonë e ka detyruar qeverinë që të ngrejë një task forcë kombëtare ku pjesë e saj të jetë edhe pushteti vendor, për të evidentuar familjet apo bizneset debitorë. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri pjesë e tryezës për ngritjen e task forcës për reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike; tha se nevojitet ndërhyrje emergjente, pasi 50 % e energjisë vidhet dhe çdo vit shteti del me 150 milionë dollarë humbje. Përballë kësaj situate ne emër të Qeverisë ministri Gjiknuri shprehu vendosmërinë për të ndryshuar kuadrin ligjor me qëllim forcimin e ndëshkimit për ata që vjedhin deri në ndëshkim me burg.  ”Shumë shpejt do të bëjmë ndryshime në Kodin Penal, ku vjedhja e energjisë mbi një vlerë të caktuar, që duket pastër që është për qëllime biznesi, nuk do të ketë dënim me gjobë, minimumi do të jetë burg”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

 

Amnistia

 

Në mbledhjen e djeshme të task forcës së Energjisë, ministri Gjiknuri përjashtoi mundësinë e amnistisë për energjinë. “Nuk ka më asnjë amnisti për vepra që lidhen me energjinë elektrike. Këtë ta mësojë kushdo. Veprat që lidhen me energjinë elektrike, me vjedhjen, me dëmtimin e rrjetit, me fenomenin e dëmtimit të sahateve, që edhe kjo kërkon një specifikim në Kodin Penal, duke ashpërsuar masat nuk do të tolerohen më. Ky vend nuk mund t’i lejojë vetes më abuzim prej 150 milionë dollarësh”, tha Gjiknuri. Të pranishëm në takim ishin edhe kryetarët e bashkive dhe komunave të qarkut Tiranë, kryetarët e njësive bashkiake të kryeqytetit, përfaqësues të Prokurorisë dhe Policisë së qarkut si dhe drejtuesit e drejtorive rajonale. Kjo task-forcë vjen pas vendimit Nr.1086, datë 14.12.2013 të Këshillit të Ministrave.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama