Pa dyshim, mesazhi i Presidentit Obama, ardhja në Tiranë e Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton dhe urimet zyrtare të Brukselit, ishin midis atyre që fituan më shumë vëmendje mediatike për rëndësinë dhe përmbajtjen e tyre.
Megjithatë, urimet ndaj vendit tonë kanë ardhur edhe nga destinacione të pazakonta e të papritura.
Në listën e vendeve që iu bashkuan “dëshirës për prosperitet” të popullit shqiptar u rendit edhe Korea e Veriut, vendi komunist më i izoluar në botë.
Në një mesazh urimi të publikuar në Agjensinë Koreane të Lajmeve (KCNA), presidenti i Presidiumit të Asamblesë Supreme Popullore të Koresë së Veriut, Kim Yong Nam, përcolli urimet e tij dhe të “liderit të dashur”, Kim Jong-un, ndaj popullit shqiptar.
”I uroj presidentit Nishani sukses në punën e tij, për zhvillimin, begatinë dhe prosperitetin e vendit”, shkruhej në mesazhin e urimit.
Ndonëse vetëm formale, Shqipëria dhe Korea e Veriut kanë marrëdhënie diplomatike ndërmjet tyre, me vendin tonë që mbulon shtetin komunist nëpërmjet ambasadës sonë në Pekin dhe Penianin që përfaqëson Shqipërinë nëpërmjet ambasadës së ndodhur në Bullgari.