Mobilizimi i ushtrisë greke në kufi me Shqipërinë ka marrë komente të ndryshme nga përfaqësues të politikës ndërsa nga media është komentuar si një masë e shtetit fqinj për ndalimin e trafikut illegal nga Shqipëria në Greqi.Kreu i PDIU-së, Spëtim Idrizi, e quan kërcënim të paqes mes dy vendeve, por nuk ndan të njëjtin mendim me të ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, I cili thotë se është një stërvitje normale dhe se nuk cënon marrëdhëniet mes dy vendeve.
Idrizi shprehet se “përdorimi i ushtrisë për qëllime të rendit publik është diçka e pazakontë për një vend të NATO-s”. Sipas tij “angazhimi i ushtrisë greke në kufijtë me Shqipërinë është një kërcënim për stabilitetin në rajon. Nuk ekziston një kërcënim nga Shqipëria që të justifikojë këtë veprim të ushtrisë greke”. Idrizi, partia e të cilit ka 5 deputetë nga komuniteti çam, I përzënë nga trojet e tyre në Greqi rreth 60 vite më parë, e sheh me sy kritik këtë veprim të shtetit fqinj.
“Vendosja e ushtrisë greke do të shtonte numrin e akteve fatale vdekjeprurëse në kufirin midis dy vendeve në dëm të shtetasve shqiptarë”, shtoi ai, duke theksuar se “në vendet anëtare të NATO-s, ushtria nuk mund të përdoret në misione në ruajtje të rendit publik veçse në raste të jashtëzakonshme”. Në këtë kontekst PDIU i kërkoi ministres të Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri “që t’i kërkojnë shpjegime homologëve grekë për këtë akt.
Ndërkohë ambasadori shqiptar me detyrë në Greqi, Dashnor Dervishi, në një intervistë për Gazetën Shqiptare është shprehur se pala greke e ka bërë këtë veprim në mirëkuptim me palën shqiptare dhe se bëhet fjalë vetëm për një stërvitje ushtarake. “Bëhet fjalë për stërvitjet ushtarake që po bën ushtria greke, në kuadrin e programeve ushtarake që ka”, thotë ai duke sqaruar se “para tre muajsh stërvitja është bërë në kufirin me Turqinë, para një muaji bëri stërvitje në kufirin me Bullgarinë, para disa javësh bënë stërvitje në kufirin me Maqedoninë”. Ai sqaron se ambasada shqiptare është njoftuar për këtë stërvitje dhe se “çdo stërvitje ushtarake që bëhet, atasheu ynë ushtarak është i pranishëm dhe është i mirinformuar për çdo lëvizje, për çdo gjë që bëhet”.