Ushtrimet fizike gjate shtatzanise

Ushtrimet fizike gjate shtatzanise
Të bësh palestër gjatë shtatzanisë? Për shumë mund të duket çudi. Përkundrazi, studimet tregojnë se noti, shëtitjet në ajër të pastër dhe të bërit palestër janë domosdoshmëri gjatë kohës së shtatzanisë. Gjithmonë nën kontrollin e mjekut. Kjo në fakt është risi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Nëse në të kaluarën mjekët këshillonin se bërja e ushtrimeve gjatë shtatzanisë përbënte rrezik për nënën dhe beben, studimet më të fundit tregojnë se shtatzënat duhet t’u drejtohen ushtrimeve fizike edhe nëse s’kanë bërë kurrë më parë.

Elton Peçi, mjek gjinekolog tregon se përgjithësisht gratë shtatzëna, për shkak të mungesës së informacionit, viktimizohen për gjendjen e tyre fizike duke kaluar një shtatëzani pa aktvitet fizik, i cili sipas tij është i nevojshëm. Edhe Dritan Mehmeti, instruktor palestre, vëren të njëjtën dukuri, ndërkohë që aktiviteti fizik gjatë shtatzanisë do t’u vinte në ndihmë grave për një sërë problemesh: "Jo vetëm gjatë shtatzanisë, por problemet janë gjatë lindjes dhe mbrapa, sidomos kur është fëmija i dytë, pasi kemi probleme me obezitetin, pasi s’dinë të ushqehen dhe nuk lëvizin për arsye se kanë frikë se i bëjnë keq fëmijës."

Sadik Mema, mjeshtër sporti në not, jo vetëm që thotë se aktiviteti fizik është domosdoshmëri, por jep edhe shembuj të fushës së tij: “Di me dhjetëra raste që gratë kanë luajtur volejboll ose basketboll pa asnjë lloj shqetësimi deri në muajin e tretë dhe të katërt të shtatzanisë duke lindur më pas fëmijë shumë të shëndetshëm.”

Albana Shosha është në muajin e gjashtë të shtatzanisë: "Është shtatzania ime e parë dhe kam pasur një shtatzani me probleme dhe muajt e parë s’kam lëvizur. Pas muajit të tretë më filloi hipertensioni dhe mjekët më këshilluan të bëja sa më shumë ecje ose të shkoja në palestër."

Albana frekuenton prej 2 muajsh palestrën. Normalisht në palestrën ku shkoj instruktori më bëri një program të veçantë, stërvitja nuk është e lodhshme.  

Instruktori thekson : "Problemin gratë shtatzanë e kanë tek shtylla kurrizore sepse duke marrë mbipeshë qendra e rëndesës ndryshon dhe ngarkesën e merr shtylla kurrizore. Ushtrimet tonifikojnë muskujt dhe heqin ngarkesën duke bërë që gruaja të ndihet më mirë."

Noti gjithashtu bën të njëjtin efekt, madje në mënyrë më të lehtë: “Në ujë pesha minimizohet, trupi bëhet 3-4 kilogramë, aq më tepër duke bërë gjimnastikë gjatë notimit, i japim mundësi kolonën të shtrihet. Edhe muskujt e këmbës e të barkut japin mundësi për të kryer një lindje sa më normale.”

Përveç këtyre, ushtrimet në pishinë ndihmojnë në largimin e stresit dhe mësojnë se si të marrnim frymë ritmikisht.

”Është një shprehje e vjetër, që gjatë kohës së shtatzanisë gruaja duhet të marrë frymë dy herë më shumë dhe jo të hajë dyfish.”

Rritja e përqindjes së oksigjenit në organizëm është çelsi. Duket shumë e thjeshtë dhe në fakt është shumë e thjeshtë. Vetëm se kjo mund të arrihet vetëm me aktivitet fizik.

Instruktori shpjegon : "Nëse ato bëjnë një aktivitet të qëndrueshëm, rrisin përqindjen e oksigjenit në organizëm, fitojnë një aktivitet të vazhdueshëm dhe humbasin yndyrnat."

“Aktiviteti fizik ndihmon nga ana emocionale gruan shtatzanë, ul rrezikun e disa sëmundjeve të lidhura me shtatzanitë, aktiviteti gjatë 9 muajve e përgatit femrën dhe e bën më të aftë për të duruar dhimbjet e lindjes”, shprehet instruktori.

Por a mund të paraqesë rrezik aktiviteti fizik? Mjeku tregon se kjo mund të ndodhë vetëm në 5 për qind të rasteve kur shtatzania është me rrezik të lartë: “Në shumicën e rasteve shtatzania është me rrezik të ulët dhe aktiviteti është më se i lejuar dhe më se i dobishëm. Kuptohet i moderuar, që nga shëtitjet apo dhe palestra 30-45 minuta.”

E rëndësishme është që të jemi nën një kontroll dhe një program individual pasi çdo shtatzani është unike.

Ka mendime të ndryshme se kur duhet të nisë aktiviteti fizik, por mjekët në një shtatzani normale rekomandojnë që ushtrimet e moderuara të fillojnë që me nisjen e shtatzanisë dhe të zgjasin deri në javën e 36 meqë mund të ketë fillim të aktivitetit të lindjes. Zakonisht ka një mendësi që edhe pse duhet të jemi shumë të kujdesshëm gjatë shtatzanisë, ditët e fundit duhet të ecim sa më shumë.

Albana tregon se ajo po e kalon shtatzaninë mjaft mirë edhe pse me probleme të tensionit. Kjo dhe për shkak të aktivitetit fizik i cili e ka ndihmuar shumë: ”Rrahjet e zemrës më janë normalizuar, është shumë herë më mirë nga sa shpresoja. Kur dal nga stërvitja ndihem krejt e qetësuar e relaksuar. Është e kundërta, kur mendon se do lodhesh se jam një grua shtatzanë, por është e kundërta. »

Ushtrimet qoftë në not, palestër apo natyrë, rekomandohen te bëhen çdo ditë për rreth 30-45 minuta.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama