Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së në parlamentin e Maqedonisë e ka vlerësuar qëndrimin e Popovskit, si të guximshëm politikisht, dhe sipas saj si i tillë duhet mirëpritur. Ajo është shprehur se prononcimi i Popovskit, është ndër të paktët, në mos i vetmi nga një maqedonas etnik dhe hartues i Kushtetutës.
“Por, ajo çfarë e pengon në praktikë, është mungesa e vullnetit dhe guximit nga klasa politike maqedonase për ta lejuar këtë. Me fjalë të tjera, Kushtetuta e zyrtarizon por ka tendenca për pengim të zyrtarizimit përmes ligjeve, gjë që pastaj hap dilemën, nëse ligjet janë kushtetuese ose antikushtetuese. Fryma e Marrëveshjes së Ohrit E promovon zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ndërsa letra e pengon atë për fat te keq”, ka thënë Mehmeti.
Kundërshtime
Në lidhje me këtë çështje është prononcuar edhe deputetja Silvana Boneva nga partia VMRO-DPMNE. Ajo konsideron se ligji për përdorimin e gjuhëve në mënyrë të qartë, është një ligj i mbyllur dhe i rregulluar.
“Mendoj se ligjin e sollëm me konsensusin maksimal të mundshëm në Kuvendin e Maqedonisë, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, dhe mendoj se kjo u përshëndet edhe nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, ashtu që kjo sferë e përdorimit të gjuhëve të komuniteteve, mendoj se është e rregulluar”, ka thënë Boneva. /Objektiv