“Për mua, babai im është idhulli im dhe nuk kam një marrëdhënie thjesht si prind-fëmijë, por e kam shok. Shumë shok”, thotë Niki gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Panorama”, vetëm pak orë pas marrjes së kurorës. Tashmë ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar “Miss Globe 2012”, por deri atëherë mësoni rreth Nikit…
Përshëndetje! Çfarë impenjimi apo argëtimi ju lamë në mes, për t’ju marrë këtë intervistë?
Përshëndetje! Faktikisht asgjë të rëndësishme nuk lashë në mes, pasi unë tashmë e kam mbaruar shkollën dhe në këto momente ndodhem pranë familjes.
Vetëm 15 vjeçe dhe merrni pjesë në “Miss Shqipëria 2012”. Iniciativë e juaja apo e familjes?
Ishte iniciativa ime, ngaqë kur kam qenë në Greqi, që e vogël ëndërroja të merrja pjesë te “Miss Shqipëria” dhe m’u realizua ëndrra ime.
Si e pritën lajmin e fitores së kurorës prindërit e tu?
Ishin shumë të emocionuar dhe shumë krenarë për mua.
Menjëherë pas marrjes së kurorës, mediat theksuan se fitoi “vajza e Mihal Delijorgjit”. Sa e lidhur jeni me babanë?
Për mua, babi im është idhulli im dhe nuk kam një marrëdhënie thjesht si fëmija i tij, por e kam dhe shok. Shumë shok.
Jeni ju më shumë krenare për babain, apo ai për ju?
Tashmë të dy njësoj jemi krenarë për njëri-tjetrin.
Po me nënën, çfarë raportesh keni? Dhe cilat kanë qenë porositë që ju ka lënë ajo për pjesëmarrjen në konkurs?
Mamin tim e dëgjoj për çdo gjë, sepse çdo fjalë që më thotë është për të mirën time. Mami im më këshillonte që të isha Niki e vërtetë dhe mos të aktroja ndonjë karakter tjetër. Më mësoi të jem vetvetja.
Si kanë qenë ditët gjatë përgatitjeve të spektaklit; të lodhshme, argëtuese, apo …?
Ditët e spektaklit kanë qenë shumë të stresuara, por edhe të bukura njëkohësisht. Ne, të gjitha vajzat, kishim shumë emocione. Por, konceptimi dhe zhvillimi i konkursit ishte në mënyrë të përsosur nga organizatorët dhe me të gjitha kushtet.
Na tregoni pak marrëdhëniet me vajzat e tjera konkurrente, si ishin ato?
Shumica e vajzave ishin shumë të dashura dhe të mira me mua, sepse më shihnin si më të voglën e “Miss Shqipërisë” dhe më mbanin afër.
A u miqësuat me ndonjërën prej tyre më shumë, ose… a u grindët?
Nuk kam pasur grindje me asnjë nga vajzat. U afrova shumë me shoqëruesen time të dytë, Anida Currin dhe me Senada Llukën, “Miss Bikini”. Gjithashtu, një tjetër vajzë që më ka ndenjur shumë afër është Mariana Shkreta, që e falënderoj shumë.
Thuhet se organizatori i “Miss Shqipëria”, Petri Bozo, është shumë i rreptë me miss-et. Vetëm sa thuhet, apo është vërtetë?
Është shumë i rreptë, ashtu siç thuhet. Por, është ajo rreptësia e Petrit dhe gjithë stafit të tij që çon në organizimin e një spektakli kaq të bukur.
Tashmë e keni fituar kurorën dhe s’keni pse druheni për të na thënë 2 kritika dhe një lavd për Petrin… :)
Kritika nuk kam, sepse rreptësinë që përmenda më sipër e shoh si të domosdoshme për të pasur një konkurs dinjitoz dhe serioz, siç është eventi “Miss Shqipëria”. Ndërsa për lavdërim, do të doja të vija në dukje mbështetjen, kujdesin dhe inkurajimin që mua si më e vogla, më dhanë Petri dhe stafi i tij për të arritur këtu ku jam. I falënderoj shumë nga zemra për çdo gjë që kanë bërë për mua. U jam shumë mirënjohëse.
Cila është gjëja e parë që menduat kur u thirr emri juaj si më e bukura e shqiptareve për 2012-n?
Mendova sikur ishte një ëndërr dhe dikush do të më zgjonte nga gjumi. Por, ishte e vërtetë…
Kujt ia dedikoni kurorën tuaj?
Ia dedikoj familjes sime, por veçanërisht motrës sime të vogël, Stefit .
Cili ka qenë urimi më i bukur që keni marrë, pas shpalljes Miss?
Kanë qenë të gjitha përqafimet që më dhanë njerëzit e mi të dashur.
Keni lindur në Janinë. Zyrtarisht, jeni shtetase shqiptare apo greke?
Pavarësisht se kam lindur në Janinë, jam shtetase shqiptare dhe jam e lumtur që do të përfaqësoj Shqipërinë edhe në evenimente të tjera.
Ku jeni rritur, shkolluar dhe si ka qenë jeta juaj deri më tani?
Kam vazhduar shkollën “St. Lawrence College” në Greqi, (kolegj anglez) që nga klasa e parë, derisa erdha këtu. Aktualisht jam te shkolla “Memorial International School of Tirana”. Jam rritur në një familje që më ka dhënë shumë dashuri, por edhe u jap gjithashtu. I dua pa fund. Do të dëshiroja të theksoja që familja për mua është e shenjtë, si babi, mami, motrat dhe vëllai.
Kur ju pyesin në Greqi se nga jeni me origjinë, e tregoni?
Patjetër, sepse unë jam krenare që jam shqiptare.
Cilat janë dëshirat dhe ëndrrat e “Miss Shqipërisë 2012”?
Prioritet në jetën time është që unë të vazhdoj studimet e larta.
Si është një ditë e zakonshme për Kleonikin, si nis dhe mbaron ajo?
Është një ditë e zakonshme për një 15-vjeçare. Lexoj, rri në internet, por edhe mund të dal pasditeve me shoqërinë. Ndërsa kur jam në shkollë, pasditja më kalon duke studiuar.
Çfarë bëni çdo ditë për të qenë në rregull me veten?
Gjërat normale që bën çdo njeri.
A di të jetë e keqe Kleoniki? Si mund të shikonim një variant tuajin të keq?
Absolutisht jo, unë karakterizohem nga dashuria dhe butësia në marrëdhëniet me njerëzit
Po variantin më të mirë të mundshëm?
Njeriu dëshiron që gjithmonë të përmirësohet dhe të arrijë me të mirën. Këtë përpiqem të bëj çdo ditë.
Çfarë manish e defektesh ka “Miss Shqipëria 2012”?
Nuk e di çfarë manish kam, kurse defektet dëshiroj të m’i vënë në dukje të tjerët.
Po hobe dhe pasione?
Hobet dhe pasionet e mia janë moda, muzika, kërcimi.
Keni ndonjë fobi?
Fobia ime janë peshkaqenët dhe gjarpërinjtë.
Shikoni telenovela?
Jo nuk shikoj.
Çmimet e “Miss Shqipëria”
Miss Shqipëria: Kleoniki Delijorgji
Shoqëruesja e parë: Elidiona Rusi
Shoqëruesja e dytë: Anida Curri
Miss Buzëqeshja: Izmena Lici
Miss Inteligjenca: Judina Zoto
Miss Bikini: Senada Ferataj
Miss Eleganca: Era Lime
Miss Kinemaja: Marjana Shkreta
Miss Interneti: Anxhela Konomi
Miss Miqësia: Jona Leskoviku
Miss Turizmi: Dorisa Halili
Miss Press: Manjola Ndou