Vajza siriane ne proteste Populli shqiptar eshte viktime

Vajza siriane ne proteste: Populli shqiptar eshte viktime

Alia është një vajzë e qeshur nga Siria, e cila ka vendosur të marrë pjesë në të gjitha protestat e shqiptarëve kundra armëve kimike. Ajo nuk e ka aspak problem që të pohojë se helmi sirian është i rrezikshëm dhe u bën thirrje shqiptarëve që të ngrihen të gjithë në këmbë, për të mos lejuar importimin e armëve në Shqipëri.

“Siria është viktimë, ashtu si edhe Shqipëria. Fëmijët sirianë u vranë nga helmi Sarin, prandaj shqiptarët duhet të mos lejojnë të vriten si sirianët”, -thotë Alia.

Alia studion në Universitetin e Tiranës, për gjuhë angleze, dhe rrëfen se në Siri ka shumë shqiptarë që luftojnë.

Alia ti je siriane dhe ke disa ditë që je përfshirë në protestën e disa shqiptarëve për t’u thënë jo armëve kimike. Pse ky vendim?

Unë kam tetë vjet që jetoj në Shqipëri. Unë e di se tani shqiptarët i urrejnë sirianët, madje më urrejnë edhe mua. Po unë dua t’u them shqiptarëve se populli sirian është viktimë, ashtu si edhe populli shqiptar. Për këtë arsye dola në protestë, për t’u treguar shqiptarëve se populli sirian ka tre vjet që proteston për të drejtat e tij dhe akoma ka sirianë që vriten , ndaj edhe populli shqiptar duhet të ngrihet në protestë sa nuk është vonë. Unë në protestë mora pjesë, e para si nënë e dy fëmijëve, e dyta sepse tashmë jam shtetase shqiptare dhe jetoj këtu dhe e treta sepse jam kundër armëve kimike.

Familja jote jeton në Siri. Gjatë kësaj kohë ke folur me ta për t’i pyetur për armët kimike?

Familja ime jeton në Alipo. Atje kam vetëm nënën, motrën dhe vëllanë. Ndërsa motrat dhe vëllezërit e tjerë i kam të shpërndarë nëpër botë, ashtu siç janë shpërndarë të gjithë sirianët dhe gjithë familjet siriane janë shkatërruar. Në Siri askush nuk di asgjë për armët kimike, ka një mungesë informacioni nga të gjithë. Unë kam kontaktuar edhe me përfaqësues të medieve “Al-Jazeera”, apo të medieve të tjera dhe të gjithë më kanë thënë që nuk kanë informacion për armët kimike, apo se ku do të shkojnë ato, aq më tepër nuk e dinë nëse do të vijnë në Shqipëri apo jo. Por të gjithë e dinë se armët kimike nuk do të lihen në Siri, për shkak të rrezikut që ato kanë dhe që kanosin edhe fqinjin e Sirisë, siç është Izraeli, “fëmija i përkëdhelur i Amerikës”.

Cili nga gaz u përdor në Siri nga forcat e presidentit?

U përdor gazi Sarin dhe të gjithë i kemi parë pamjet e njerëzve që vdisnin të mbytur nga gazi apo pamjet e fëmijëve të vdekur. Prandaj dhe unë kam dalë në protestë, që ato armë dhe ai gaz të mos vijë këtu.

Flasim pak për Sirinë. Si është gjendja atje tani?

Në Siri mungojnë rrugicat e mëparshme, qetësia e mëparshme. Asgjë nuk ka ngelur më si më parë, çdo gjë është rrafshuar. Sirianët nuk janë grupe radikale dhe as nuk janë kundër tyre, nuk janë as kundër vëllezërve myslimanë. Sirianët kërkojnë vetëm një shtet civil.

A ka shqiptarë që luftojnë në Siri?

Po, ka shumë shqiptarë. Madje tani po përgatiten që të shkojnë rreth 170 shqiptarë , të cilëve një hoxhë shumë i njohur, në një xhami këtu në Shqipëri, u ka bërë lavash truri dhe u thotë që të shkojnë të luftojnë në Siri për Xhihadin. Por në Siri nuk ka Xhihad.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama