Vajzat e suksesshme irritojne meshkujt

Vajzat e suksesshme irritojnë meshkujt
Siç mund ta keni konstatuar edhe ju gjatë punës tuaj, vajzat shqiptare kanë ecur më shumë se meshkujt si në arsim ashtu edhe në postet apo profesionet që ato kanë. E çuditshmja është se meshkujt shqiptarë shumë shpesh nuk jane rehat në shoqërinë e këtyre vajzave dhe i akuzojnë ato për vajza “që shitkan mend dhe mbahen me të madhe”, apo vajza “që nuk mund të merren në konsideratë për të nderuar familje”. Këto shprehje i kam dëgjuar nga mikeshat e mia të cilat kanë pasur momente të vështira me partnerët e tyre mbasi kanë kaluar ndonjë mbrëmje me shoqërinë e vajzës. Me sa kam kuptuar gjatë këtyre mbrëmjeve ku shoqja ime ka qenë me partnerin ne fjalë janë bërë biseda apo janë hapur tema të cilat kërkojnë një farë kulture dhe ajo është ndjerë shumë keq kur partneri i saj ka thënë opinione të cilat ishin të pavenda. Kuptohet që mbas mbrëmjes ajo është munduar më shumë durim t’ia bëjë të qartë që ai nuk duhej të shprehej në atë mënyrë dhe kjo e ka bërë partnerin e saj të shpërthejë duke e akuzuar për femër e cila do t’i kontrollojë opinionet që shpreh. Këto momente kanë qenë të shpeshta mes çiftit dhe ajo ka arritur deri atje sa të mos i kërkojë më partnerit të saj që ta shoqërojë nëpër festa apo evenimente të ndryshme dhe kjo lloj sjellje ka bërë ftohjen e tyre.

Një rast tjetër që më duket e rëndësishme për ta treguar është edhe rasti kur meshkujt ndihen mirë afër një vajze e cila është profesioniste dhe që i bëhet krah atij gjatë ditëve, javëve apo viteve. Në momentet kur midis çiftit vendoset që të finalizohet lidhja djali tërhiqet, pasi familja e tij në Shqipëri nuk e pëlqen një vajzë e cila ka jetuar me vite larg prindërve të saj, pas nuk përputhet me kriteret e “vajzës për shtëpi” dhe reagimi i prindërve të djalit është i tipit “çfarë familje paska ajo që e ka lënë vetëm në Angli?” apo “ku e di ti se çfarë ka bërë ajo në Angli gjatë viteve që nuk ka qënë me ty?”. Mjafton kaq dhe djali fillon e spërdridhet me justifikimin që nuk mund t’ua thyej zemrën atyre të shtëpisë, pas prindërit i ka në moshë të thyer dhe nuk mund t’ua shpjegojë situatën. Sa fëmijë duhet të jetë një mashkull që të mos arrij t’i bëjë ballë një situate të tillë dhe të jetë i paaftë për të marrë vendime për veten?

Nga rastet më lart (ka edhe shumë të tjera) nuk është e vështirë të arrihet në konkluzionin që meshkujt (në këtë rast flas për meshkujt e komunitetit tonë) gjenden në një pozicion të vështirë përballë femrave të tilla. Arsyeja? Mendoj që ata ndihen inferiorë dhe nuk arrijnë të ecin me të njëjtin hap me partneret e tyre dhe preferojnë më mirë të reagojnë duke shpërthyer apo duke ndërprerë një relacion i cili u ka marrë vite dhe mund për t’u krijuar. A e shikoni të mundur që t’i shkundni këta meshkuj dhe t’u shpjegoni që kohët kanë ndryshuar dhe që ato vajza kanë derdhur djersë e mund për t’u bërë të zonjat në punët dhe profesionet e tyre?

Nga : Albanian Mail

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama