Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Kolla e mirë ose pertusis, është një sëmundje infektive, shumë ngjitëse. Ajo përhapet nëpërmjet thitjes së baktereve që shpërndahen në ajër gjatë kollitjes së personit me këtë sëmundje. Kolla e mirë mund të çojë në infeksion, shtrim në spital dhe madje edhe vdekje.
Para daljes së vaksinës, vdekjet nga kolla e mirë kanë qenë të shpeshta. Kjo sëmundje vazhdon të jetë e përhapur dhe nuk prek vetëm fëmijët. Ndërsa kundër kollës së mirë ka një vaksinë, kjo jo gjithmonë është konsideruar e sigurt për të gjithë.
Por provat e reja klinike tani tregojnë se vaksina kundër kollës së mirë mund të përdoret edhe ndaj të moshuarve.
Para vitit 2010, vaksina e kombinuar tetanos-difteri-kollë e mirë shikohej si jo e sigurt për personat mbi 65 vjeç, kryesisht sepse të dhëna rreth këtij grup moshe nuk ekzistonin.
Shkencëtarët morrën në shqyrtim mijëra të moshuar nga viti 2006 – 2010, të cilët kishin marrë vaksinën e kombinuar.
Rezultatet treguan se vaksina shtonte shumë pak rrezikun e reaksionit alergjik në 6 ditët e para pas vaksinës. Autorët e studimit arritën në përfundimin se personat 65 vjeç e sipër janë të mbrojtur nga marrja e vaksinës së kombinuar tetanos-difteri-kollë e mirë, si dhe ulin rrezikun e prekjes nga kolla e mirë.
http://astritlulushi.wordpress.com/2012/12/01/vaksina-ndaj-kolles-se-mire-mbron-edhe-te-moshuarit/