Një alarm fals për bombë në aeroportin “Nënë Tereza”, ka ngritur në këmbë autoritetet e kryeqytetit mëngjesin e sotëm. Forca të shumta policie dhe ato antieksploziv mbërritën në vendin e ngjarjes, dhe kontrolluan territorin. Alarmi u dha, pasi një valixhe e dyshimtë u gjet në një prej tualeteve të aeroportit.
Sipas burimeve lokale, një person me valixhe kishte hyrë në tualetin e aeroportit, dhe kishte dalë pa të. Kjo ka mjaftuar për të ngjallur dyshimin për një çantë me eksploziv. Por pas kontrollit, është konstatuar se bëhej fjalë për një valixhe me vegla pune. Ende nuk është vërtetuar nëse kjo valixhe është harruar në tualet, apo është lënë qëllimisht atje. Ngjarja ka krijuar panik tek udhëtarët që prisnin të merrnin avionin. Ndërkohë zona vijon të jetë e rrethuar nga policia.