Emri i Pina Bausch-it lidhet me revolucionarizimin e gjuhës së kërcimit modern. Në koreografitë e saj përzihet dinamika atletike, tingulli dhe narrativa fragmentare. Wenders tregoi me rastin e premierës se kishte planifikuar ta ndiqte koreografen në turneun e kompanisë së saj Wuppertal Dance Theatre dhe të filmonte provat e shfaqjeve. Por papritur Bausch ndërroi jetë qershorin e 2009-ës.
Projekti ishte gati në dështim. "Fillimisht doja të hiqja dorë, por kuptova se sa e rëndësishme qe për mua ta vazhdoja dhe në njëfarë mënyre, Pina vazhdonte të ishte e pranishme."
Filmi ndërthur skena nga koreografitë e saj, pjesë nga arkivat e performancave të saj solo, endjet në qytet, Vupertal, shtëpia dhe frymëzimi i saj për afro 35 vjet.
"E gjithë imagjinata e Pinës është ndezur nga njerëzit e këtij qyteti, kështu që ishte shumë e rëndësishme për ne që Vupertali të ishte personazh në këtë film", thotë Wenders.
"PINA" u xhirua në këtë qytet në tri faza: vjeshtë 2009, pranverë dhe verë 2010. Në skenën e parë, "Café Müller", "Le Sacre du printemps" dhe "Vollmond" janë interpretuar live në Wuppertal Opera House, disa përpara publikut, dhe janë regjistruar të plota. Duke përdorur 3D ishte më e vështirë sepse xhirimet nuk mund të ndërpriteshin e as të përsëriteshin.
Xhirimi live në 3D kërkon përgatitje intensive dhe planifikim. Për kompozimin e imazhit 3D Wim Wenders ka punuar me një nga pionierët më me përvojë të stereografisë, Alain Derobe. Për xhirimet e "Pinës" është përdorur një kamera 3D e veçantë. Për të krijuar idenë e thellësisë së sallave duhet të jesh shumë afër balerinëve dhe t'i ndjekësh ata: Alain Derobe thotë se për këtë film kamerat janë vendosur ndërmjet balerinëve.
Pra, kamera, në kuptimin e plotë të fjalës kërcen me ta. Prandaj çdokush në ekip për realizimin e "Pinës" kishte punë me koreografinë. Të gjithë duhej të dinin saktë ku do të lëvizin balerinët që kamera t'i ndiqte. Në fazën e dytë të xhirimeve, ekipi filmoi "Kontakthof" një pjesë e hershme e Pina Bausch-it, këtë herë pa publik. Vepra klasike është filmuar nga Wim Wenders me tri trupa të ndryshme zgjedhur nga Pina Bausch: me ansamblin e Wuppertal Tanztheater, me burra dhe gra 65 dhe 80-vjeçarë, me adoleshentë prej moshës 14 vjeç.
Wenders u dashurua me punën e koreografes gjermane kur më 1985 ai pa për herë të parë veprën "Café Müller" interpretuar nga Tanztheater Wuppertal në Venecia, me rastin e një retrospektive të krijimtarisë së Bauschit. Pas kësaj, mes të dyve lind një miqësi e ngushtë. Prej kohësh e kishin diskutuar idenë e një filmi së bashku për danc teatrin që lëvronte koreografja.
Ishin mundësitë e kufizuara të mediumit që e frenonin regjisorin gjerman: Wenders ndjente se akoma nuk e kishte gjetur mënyrën e saktë për të përkthyer në film artin unik të lëvizjes, gjestit, të folurit dhe të muzikës së Pina Bausch-it. Në rrjedhën e viteve, diskutimi mes dy miqve i projektit për këtë film mbyllej kështu: "Atëherë kur?" "Sapo të gjej mënyrën si..."
"PINA" është i pari film evropian në 3D dhe i pari art house në 3D, një lloj teknologjie që nuk është kthyer aspak në një model suksesi. Por thuhet se Wenders donte të ishte ndër pionierët e përhapjes së gjuhës kinematografike në këtë lloj teknologjie.
Shfaqja e tij në edicionin e 61 të Festivalit të Berlinit, është jashtë konkurrimit, një homazh për Pina Bausch-in. Gjatë ditëve të festivalit janë shfaqur në 3D edhe "Tales of the Night" i animatorit francez Michel Ocelot dhe "Cave of Forgotten Dreams" i regjisorit gjerman Werner Herzog.