Van der Dool Te drejtat e njeriut nje nder prioritetet per ne BE

Van der Dool: Te drejtat e njeriut, nje nder prioritetet per ne BE
“Të drejtat e homoseksualëve janë të drejta të njeriut dhe nuk duhet të diskutohen. Janë universale dhe janë të njëjta si të drejtat e çdo njeriu në botë. Nuk mund të ketë asnjë argument kundër”. Kështu u shpreh ambasadori i Holandës në Tiranë, Henk Van der Dool, në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar nga komuniteti LGBT. Van der Dool u shpreh se reagimet negative ndaj komunitetit LGBT burojnë nga frika dhe paragjykimi, të cilat vijnë nga mungesa e të kuptuarit.

“Tregoni se kush jeni, sot është një fillim i mrekullueshëm. Respektoni të drejtat e njeriut, si një ndër prioritet që Shqipëria duhet të plotësojë për të hyrë në BE”, tha ambasadori holandez.

Dita kundër Homofobisë, komuniteti LGBT në paradë 

Komuniteti LGBT ka organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të mbahen sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë.

Aktivitetet do të hapen me Festivalin e Diversitetit, i cili sipas Ambasadës PINK, ka për qëllim të sensibilizojë institucionet, familjet dhe shoqërinë për detyrimin e tyre për të respektuar të drejtat e çdo personi.

Paralajmërimi i aktiviteteve që komuniteti LGBT pritet të zhvillojë sot ka hapur një sërë debatesh javët e fundit. I pari që doli zyrtarisht kundër këtyre aktiviteteve ishte kreu i PLL, Ekrem Spahia, deklaratat e të cilit u cilësuan fyese nga kryeministri Berisha dhe trupi diplomatik.

Në reagimin e tij të parë dhe të fundit në lidhje me këtë çështje, Berisha tha se Shqipëria është një vend i lirë dhe si i tillë respekton çdo komunitet. Në mbështetje të aktiviteteve të komunitetit LGBT-së ka qenë edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, i cili deklaroi para disa ditësh se Bashkimi Evropian bazohet në vlerat themelore të respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të gjitha të drejtave njerëzore dhe në luftën kundër çdo lloj diskriminimi, si një ndër prioritetet në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Ndërkohë, reagime kundër manifestimit të komunitetit LGBT ka pasur edhe nga komuniteti mysliman, i cili pritet të organizojë sot një protestë para Galerisë së Arteve me sloganin “pro jetës, pro familjes, pro moralit”.

 Totozani: Deklarata e Spahiut për ambasadorin hollandez na turpëron të gjithëve

Avokati i Popullit, Igli Totozani, u shpreh se deklarata e Ekrem Spahiut e para disa ditëve për shpalljen non grata të ambasadorit holandez në Shqipëri është një deklaratë që “na turpëron të gjithëve”.  I pyetur lidhur me këtë deklaratë dhe çështjen e komunitetit LGBT, që këtë 17 maj ka planifikuar disa aktivitete lidhur me Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Avokati i Popullit deklaroi gjatë një interviste në televizionin Ora News se ambasadori hollandez është një mik i mirë nga ata që i duhen shumë Shqipërisë në këto kohë.

“Mund t’ju them që çështjet  politike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, janë një regjistër më i lartë. Në kuptimin që nuk përputhen me mandatin që unë  kam si Avokat i Popullit. Pra, unë ndaloj në ato çështje, të cilat  janë të rëndësishme dhe që prekin liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që ambasadori holandez është një mik i mirë jo vetëm i imi, i institucionit të Avokatit të Popullit, por edhe i Shqipërisë dhe ka një rol të jashtëzakonshëm në promovimin, zhvillimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Të kërkosh një gjë të tillë ndaj një miku të vërtetë të Shqipërisë  është një gjë e papranueshme dhe na vë në siklet e na turpëron të gjithëve. Ajo që do të mendoja unë është që ne kemi nevojë për miq të tillë, kemi nevojë të përditshme.

Shqipëria ka hyrë në një fazë pozitive, në një fazë të rëndësishme të integrimit europian , që është një proces i bashkimit dhe i unifikimit, i njësimit  të vlerave të përbashkëta dhe ne nuk mund  të hyjmë në familjen europiane me vlera të dyshimta, apo më keq akoma, me antivlera”,  tha Totozani. Më parë, kundër deklaratës së kreut të PLL-së kishte folur ambasadori i BE-së në Tiranë Sequi, ndërsa ministri danez për Evropën, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë, i kërkoi shpjegime Berishës.

Kreu i PLL -së, disa ditë më parë, kërkoi largimin e ambasadorit holandez, Henk Van Der Dool, nga Shqipëria. “Ambasadori holandez, Henk Van Der Dool, duhet të shpallet person i padëshiruar në vendin tonë dhe të largohet”, – u shpreh Spahia. Ai i kërkoi madje policisë shqiptare të mos lejojë zhvillimin e manifestimit që komuniteti gei ka planifikuar të mbajë në Tiranë. Pak ditë më parë, ambasadori holandez në Tiranë u shpreh në një intervistë se do të marrë pjesë në paradën e komunitetit LGBT:  “Nuk dua që të harxhoj shumë kohë me këtë, por më lejo të them që injorantë ka gjithandej”, – tha Van Der Dool duke iu referuar qëndrimeve të Ekrem Spahisë lidhur me aktivitetet e 17 majit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama