Tirana është ende në pritje të konfirmimit zyrtar nga UEFA. Edhe pse shpresat për të qenë në Ligën e Europës janë të mëdha, klubi nuk do të nxitohet.
Ata fillimisht po presin OKin nga "qeveria" europiane e futbollit dhe më pas do të nisin nga puna. E megjithatë, në letër planin për këtë kompeticion e kanë gati. Veç blindimit të një pjese të mirë të grupit, afrimeve në merkato, do tentohen edhe huazimet vetëm për Europën.
Dhe ekipi ku do të hedhin vështrimin është pa dyshim Skënderbeu. Në rast se do të gjejnë gatishmëri dhe dashamirësi nga drejtuesit korçarë, kryeqytetasit presin që të marrin të paktën 3 "yje" për Ligën e Europës.
Sikundër dihet dhe është pranuar vetë publikisht nga presidenti Ardjan Takaj, ai është edhe tifoz i bardhebluve, ndaj kjo mund të ndikojë që të japë një lloj ndihmese. Burime pranë bardhebluve bëjnë me dije se pëlqehet Kristi Vangjeli, Sabjen Lilaj dhe Hamdi Salihi, pra nga një lojtar për repart.
Mbrojtësi do të blindonte krahun e djathtë që momentalisht nuk ka asnjë lojtar (Kërçikut i ka skaduar kontrata, ndërsa Smajli ka paralajmëruar "divorcin"), korçari për t'i dhënë më shumë "kreativitet" mesit të fushës, ndërsa shkodrani për të plotësuar "vakumin" në sulmin.
Dhe dihet që një "bomber" si ai do të jetë pa dyshim garanci për ofensivën. Tirana ka dy vite që vuan për një lojtar goli dhe shpresat për ta gjetur atë në një hark kohor kaq të shkurtër janë të mëdha. Ndaj zgjidhja e vetme është që ta marrin në këtë formë, pra në huazim.
Në fakt, i vetmi futbollist nën kontratë me Skënderbeun është Sabjen Lilaj (që i skadon më 30.06.2018), ndërsa Kristi Vangjeli dhe Hamdi Salihi në fund të këtij muaji mbeten zyrtarisht të lirë (30.06.2016).
Megjithatë kjo është vetëm një ide fillestare, pasi Tirana ende nuk ka nisur asnjë negociatë me Skënderbeun. Edhe pse nën zë të gjithë e pranojnë që presin nga Korça për t'u pasuruar, bisedimet do të nisin vetëm pasi të marrin vesh që do të luajnë në Europë. Pritet që pas datës 15 të ketë zhvillime konkrete, pasi atëherë shpallet edhe vendimi zyrtar.
ADELA MERKO