Varfi Te Tedeskinet pashe njeriun model

Varfi: 'Te Tedeskinet pashe njeriun model'
Ideja për realizimin e dokumentarit historik “Dinastia Tendeschini” zuri fill në vitin 2009, atëherë kur regjisorja Anila Varfi vizitoi për herë të parë shtëpinë e kësaj familjeje në Durrës. Historia e familjes Tedeschini në Shqipëri nis në vitin 1766, kur Emidio Tedeschini erdhi në Shkodër si mjeku dhe farmacisti i parë i huaj në Shqipërinë e asaj kohe. Ai e ushtroi profesionin në Shkodër deri në vitin 1789. Më pas u zhvendos në qytetin e Durrësit, punoi si zëvendës i Konsullit të Venedikut dhe si konsull i përgjithshëm për Austro-Hungarinë. E kështu për tre breza anëtarët e kësaj familje ndoqën karrierën diplomatike. Aktualisht e konsiderojnë veten vendas dhe vazhdojnë të jetojnë e punojnë në Shqipëri. Nëpërmjet historianit Ëilly Kamsi, inxhinierit Enver Dibra, doktorit Ali Sula etj., Varfi kërkon të dokumentojë vlerat e trashëgueshme të Tedeschini-ëve. Dokumentari, prodhim i RTSH-së me skenar të Vali Qyrfyçit dhe Rovena Rozhanit, prezantohet më 23 janar, ora 18.00, në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Çfarë u bë shkas për të realizuar dokumentarin historic për familjen Tedeschini?

Tre vjet më parë ishim në Durrës për të xhiruar për dokumentarin “Bota e ujërave” një produksion italian. Producentja italiane në ditën e dytë të xhirimeve më kërkoi të shkonim dhe të shihnim një shtëpi të ndërtuar me gurë të ardhur nga Venediku në vitin 1843. E kujtoj si këtë çast përshtypjen që më bëri kjo shtëpi kur hyra brenda. Aty çdo orendi ka një histori. U ndjeva si në një muze me vlera të paçmuara. Kështu nisi.

Kush janë Tedeschinit?

Familja Tedeschini është një familje e vjetër të parët e të cilëve janë fisnikë me origjinë nga Vasto e Italisë që bënte pjesë në Mbretërinë e Napolit, të cilët kanë qenë mjekë dhe farmacistë dhe në të njëjtën kohë edhe me funksione diplomatike si konsuj të përgjithshëm të Republikës së Venecias qysh nga viti 1766 dhe mbas vitit 1800 si konsuj të përgjithshëm të perandorisë Austro- Hungareze në territorin shqiptar të perandorisë turke. Ata e përcollën profesionin e tyre nga njëri brez në tjetrin përgjatë një historie treshekullore. Fillimisht erdhën si mjekët e parë në Shkodër (Scutari) në vitin 1766 të thërritur nga Bushatllinjtë e Shkodrës. Emidio Tedeschini i Parë erdhi si mjeku dhe farmacisti i parë i huaj në Shqipërinë e asokohe. Ai e ushtroi këtë profesion deri në vitin 1789 dhe po atë vit Tedeschini i parë zhvendoset në qytetin e Durrësit (Durrazo) ku kryen edhe funksionet e zëvendëskonsullit të Venedikut e më pas si konsull i përgjithshëm për Austro-Hungarinë. Kjo familje përgjatë qëndrimit në Shqipëri shërbeu me 3 breza konsujsh të Venedikut dhe më pas Austro-Hungarisë.

Ju jeni ndalur në një aspekt të veçantë të kontributit konkret të Tedeschiniëve?

Kontributi i kësaj familje konsiston në shumë drejtime dhe është shumë i gjerë. Si në aktivitetet konsullore dhe diplomatike të zhvilluara pa ndërprerje për gati një shekull në trevat shqiptare, po ashtu si mjeket e parë të huaj dhe të diplomuar, të cilët kanë ardhur në Shkodër dhe më pas në Durrës gjatë viteve 1700 për të zhvilluar aktivitetin e tyre mjekësor. Për të vënë bazat e farmaceutikes shqiptare duke mbajtur hapur për 60 vjet një farmaci, falas për të varfëritë në Durrës, (mund të konsiderohet si fillimi i aktivitetit të caritas-it në Shqipëri). Një kontribut të veçantë ka dhënë kjo familje edhe në fushën e jurisprudencës, sidomos me studimet e bëra nga juristi Emidio Tedeschini mbi studimet historike të së drejtës zakonore shqiptare krahasuar me ato të vendeve të tjera si dhe me kodifikimet e kanuneve të ndryshme sipas kritereve juridike moderne. Një numër i madh i studiueseve, hulumtuesve, kërkueseve dhe historianëve të huaj si Hahn, Mueller, von Stoffel, Baldacci të cilët kanë udhëtuar dhe punuar në Shqipëri, kanë pasur si mbështetje familjen Tedeschini, ndihma e të cilëve nuk u ka munguar asnjëherë. Për këtë arsye ata janë shprehur me mirënjohje në veprat e tyre të botuara për vendin tonë.

A ka për ta burime arkivore që i t’i keni shfrytëzuar?

Në përgjithësi janë përdorur materialet e nxjerra nga Arkivi i Shtetit të Venedikut dhe kryesisht seria e letrave të konsujve venedikas në Durrës dhe Shkodër gjatë viteve 1700-1802, të Arkivave të ndryshme të Austro-Hungarisë të periudhës 1805-1856. Kam punuar me biografitë e botuara për albanologun e famshëm J.G. Hahn, si dhe me veprat e këtij studiuesi të botuara në shqip.

Po ashtu burime të rëndësishme kanë qenë libra të tillë si ai i studiuesit të mirënjohur J.Mueller lidhur mbi Shqipërinë apo kujtimet e vëllait të perandorit Franc Josef arqiduka Maksimilian I, i cili ka vizituar Shqipërinë në ato vite dhe ka qenë i ftuar në shtëpinë e tyre. Në konsideratë janë marrë gjithashtu libra të ndryshëm të botuar ku përmendet veprimtaria shkencore juridike e Emid Tedeschini-t si dhe jo pa interes ka qenë shfrytëzimi i arkivit privat të familjes, ku ndër të tjera janë shfrytëzuar për herë të parë edhe materiali për botimin e dytë të Kanunit të Lekë Dukagjinit me shtesat e bëra nga At Benedikt Dema dhe të kodifikuara nga E.Tedeschini (dorëshkrim). Burimet arkivore të kohës që janë përdorur janë autentike dhe madje ndër to ka dhe dokumente që janë përdorur ekskluzivisht për herë të parë. Do të përmendja këtu dokumentin e At Benedikt Demës.

Në dokumentar flasin intelektualë shkodranë si historiani dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, Willy Kamsi, doktori më i vjetër i qytetit të Durrësit dhe njohës i mirë i historisë së këtij qyteti, Ali Sula, pjesëtarë të familjes Tedeschini, të cilët jetojnë në Shkodër dhe Durrës. Sepse Tedeschini-t vazhdojnë të jetojnë dhe japin kontributin e tyre të çmuar në Shqipëri duke u shprehur se tashmë ata “Nuk e ndjejnë më veten të huaj në Shqipëri.” Ata janë familja që ka ditur të trashëgojë në breza fisnikëri, korrektësi e humanizëm në çdo hap të jetës. E nëse në këto kohë vuajmë për modele njerëzore, tek Tedeschini- t pashë “njeriun model” me besimin e fortë në tre qëllime: së pari me besimin në Zot, së dyti në ligj dhe së treti në familje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama