Vargjet e mekateve

Vargjet e mekateve
Regjisori dhe dramaturgu, Mihal Luarasi, vjen në një tjetër formë të shprehjes së tij artistike, poezinë. Vargjet e shkruara në vitin 1955, në kohën e burgut dhe tashmë në liri

“Disa poezi të shkruara nga viti 1958 deri në mars 1973 kishin mbetur si variante në një fletore shkolle strukur pa dashje diku në shtëpi midis librave të fëmijëve dhe për fat, nuk u gjet në kontrollin e imët të bibliotekës në korrikun e 1973-shit. Kur ndjeva se ç’rrugë po merrte fati im, në maj të atij viti, të gjitha shkrimet e daktilografuara, i pata mbledhur e shpënë për t’i ruajtur në shtëpinë e një të afërmit tim, i cili, fatkeqësisht, pas 11 korrikut nga frika i dogji”, thotë Luarasi.

Mbi supin tim mbështetur, Ada fle…/ Bebza lëvrin nën qepallë. Ëndërron/ Frymë nuk marr e nuk lëviz aspak/ Një tufëz flokësh është mbledhur/ rreth qafës sime porsi lak… Kjo është strofa e parë e poezisë “Flokët e Adës”, e cila daton në vitin 1955. Autori i saj është dramaturgu i njohur, Mihal Luarasi, i cili në atë kohë duhet të ketë qenë 26 vjeç. Adës, portreti i së cilës shfaqet figurativisht me flokët me onde që i merr era, ai i ka kushtuar tri poezi, të cilat datojnë në të njëjtin vit. “Ada, sytë e tu…/Gjykatësit e rreptë që ndodhen kudo/ Ku shikimi im rrëshqet mbi sy të tjerë/ Mbi buzë e gjinj krenarë e joshës/ Mbi gjithçka që e ndalon pakti ynë i shenjtë/”, shkruan ai në poezinë tjetër “Sytë e Adës”. Luarasi një nga emrat më të njohur të dramaturgjisë e teatrit shqip, i ka sjellë në një botim të quajtur “Lirikat e mëkateve” të gjithë atë që ai e quan pasion për poezinë. Poezia ka qenë brenda tij, para se ai t’i dorëzohej prozës.

Dhe ndjesitë e saj ndihen në gjithë dramat apo publicistikën që ai ka shkruar. Ka qenë një dëshirë e të birit, Tonit, i cili i mësuar t’i lexonte poezitë e të atit kudo në fletore shkolle, apo fletë të ndryshme gjatë procesit të punës, iu lut atij t’i bënte bashkë të gjitha në një vëllim. “Ka qenë këmbëngulja e tim biri, Tonit, i cili prej vitesh i ka mbledhur dhe i mbledh si të mirat ashtu edhe të pavlefshmet e poezive të të atit. Edhe titullin e një poezie “Shkundin gjumin prej qepallave”, që është huazim nga një përkthim i Fan Nolit, e zgjodhi ai”, thotë Luarasi.

Dhe “lirikat e mëkateve” ai ia ka dedikuar dashurisë së madhe të jetës së tij “Edit, përjetësisht”. Ideja e një libri e bëri Luarasin të futej në kujtime të viteve më parë, ku poezia ishte shfaqur si një formë për të reaguar ndaj një gjendjeje të caktuar. Por nuk kishin qenë gjithnjë të bukura kohët kur poezia kishte dalë prej tij. Nga dritarja e burgut ai kishte ndier sesi ajo merrte formën e dëshirës për lirinë. Luarasit i pëlqen t’i quajë këto vargje si humbjet e shpeshta në rrjedhën e jetës së gjatë. “Fillimi i të vargëzuarit, nisi edhe tek unë, në atë moshë kur nis te shumica e të rinjve. Por, ndërsa të talentuarit e vazhdojnë poezinë, të tjerët ndahen prej saj, kurse ndonjë si unë, e ndërpret dhe e rifillon në varësi të kohës dhe të gjendjeve të tij shpirtërore.

Në Liceun Artistik të viteve 1948-52, profesori i letërsisë, poeti Nexhat Hakiu, nga dëshira për të nxitur e zbuluar poetë të rinj, organizonte herë pas here konkursin e poezisë. Një nga këto konkurse e fitova dhe unë me një vjershë për Stalinin. Edhe disa të tjera që u botuan në gazetën “Rinia” dhe “Letrari i ri”, ishin me të këtilla tema: për luftën e Koresë, për 4 shkurtin etj. Pas këtyre nuk botova më asgjë.

Prof. Nexhati kishte filluar të më jepte poezitë e veta, lirika intime të bukura, fryt i dashurisë së tij të fundit, në frymën e Lasgushit dhe Ali Asllanit, të cilat i ruajta për një kohë të gjatë”, thotë Luarasi. Gjithçka ai shkruante në atë periudhë i ruante me kujdes. “Ato i lexonte vetëm profesori i muzikës, Ramadan Sokoli”, kujton ai. Nga koha aq frymëzuese e Liceut atij i ka shpëtuar vetëm një vjershë “Lisi”. “Kjo falë Ramadanit që kompozoi mbi të një romancë që këndohet edhe sot. Prej partiturës së tij sopranoja Shqipe Zani, kohët e fundit, më nxori vargjet të cilat i futa në këtë vëllim”, thotë Luarasi. Kohët kur ishte student në Hungari qenë sërish të mbushura me vargje dhe dëshirën për ti parë ato të botuara. “Në vitet e Hungarisë ku studioja për regjizurë teatri 1952-‘58, shkrova disa vjershëza në hungarisht, të cilat gjithashtu shpëtuan se ishin atje, dhe i ktheva në shqip, pas nëntëdhjetës”, kujton regjisori.
 
Në revistën letrare të asaj periudhe në Hungari “Dunantul” në vitin 1955 doli një poezi e tij, por ambasadorit të Shqipërisë në atë kohë në Hungari nuk i pëlqeu përmbajtja dhe i tërhoqi vëmendjen, duke e bërë të shmangte botimin e vjershave të tjera. Ai e kujton me mall Hungarinë e atyre viteve, të mbushura plot ëndrra për teatrin. Përveç literaturës së studimeve, në shkollën e artit, atij i pëlqente të lexonte dhe poezi. Poezia duket sikur fshihet në çdo lloj arti, atë mund ta gjesh dhe brenda në një dramë. Si në jetën e çdo të riu, dhe studimet për të kanë qenë kohë të arta, dhe të mbushura plot vargje.

Kthimi në Shqipëri ku arti ndërtohej mbi rregulla nuk qe e lehtë për studentin e regjisë. Poezia kërkon liri të shprehuri dhe ai s’mund të hidhte në letër çfarë dëshironte të hidhte. Megjithatë, e vazhdoi të shkruante sipas mënyrës së tij, pa menduar se një ditë ato do t’i mblidhte në një libër. Gjatë gjithë jetës së tij, forma që ai ka dashur më shumë të shprehë veten, ka qenë vetëm teatri. Teatri ka qenë më shumë se një dashuri në jetën e Mihal Luarasit dhe këtë gjë e tregon dhe pasioni që ai ka ende për të, këmbëngulja për të qenë sërish i pranishëm në kalendarin e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar,  pavarësisht moshës.

“Disa poezi të shkruara nga viti 1958 deri në mars 1973 kishin mbetur si variante në një fletore shkolle strukur pa dashje diku në shtëpi midis librave të fëmijëve dhe për fat, nuk u gjet në kontrollin e imët të bibliotekës në korrikun e 1973-shit. Kur ndjeva se ç’rrugë po merrte fati im, në maj të atij viti, të gjitha shkrimet e daktilografuara, i pata mbledhur e shpënë për t’i ruajtur në shtëpinë e një të afërmit tim, i cili, fatkeqësisht, pas 11 korrikut nga frika i dogji”, thotë Luarasi. Gjatë viteve të burgut të Ballshit, ai do të shkruante në mendje disa gjëra të cilat do t’i hidhte në letër pas vitit 1985. Atë çfarë ka ndodhur me jetën e Luarasit e ndien në poezitë që ai ka shkruar. Poezitë e shkruara në vitin 1973 reflektojnë trishtimin e kohës.

Si poet në atë periudhë ai shkruan për dimrin, dhimbjen buzëve të vdekjes. Ndërsa në poezinë “Antigravitacion” (1973) ai sikur parandien fatin e burgut të tij kur shkruan “Ndiej si po gremisem/ në një hon të zi…/ Gur i hedhur në pusin e kohës, jam. Nëse në fund ende nuk po mbërrij/ je ti antigravitacion që më mban”. Muzika duket se është ajo ku Luarasi ka gjetur shpesh paqen, përderisa i ka kushtuar dhe vargje si Bethovenit apo Moxartit.  Këto vargje të cilat ai i ka mbledhur në një libër të quajtur “Lirikat e mëkateve” janë një rrëfim i bukur mbi jetën e tij. Një rrugëtim përmes vargjesh në kohët e arta të rinisë, ndjenjave të para dashurore, apo dhe të një kohe jo të lehtë për një artist. Luarasi i ka sjellë ato ashtu si i ka gjetur në vendet ku kanë mundur t’i shpëtojnë grisjes apo djegies, pasi ato janë fytyra e vërtetë e së djeshmes…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama