Vasfi Baruti e konsideron një “dekorim” të mbuluar me mister vdekjen e Qemal Stafës. Sipas tij, në studimin “Ever Hoxha në optikë të re” vjen një riparje disi ndryshe sepse krimi misterioz ndonjë gjurmë e la… “Atë po e sjellim, sido që e mbuluar me tisin e gati 70 viteve të shkuara. Shkrimtari Nasho Jorgaqi, në librin ‘Qemal Stafa’, ka një rrëfim të Nexhmije Hoxhës për natën duke u gdhirë 5 maj, kur u vra Qemali“.
RRËFIMI I NEXHMIJES
Nexhmija e ka rrëfyer në dy mënyra natën e fundit të jetës së heroit. Sipas rrëfimit të parë, atë natë të fundit ajo ka qenë me të, dhe sipas rrëfimit të dytë, ajo ka qenë me të, jo më 4 maj, por në fillim të majit… Rrëfimi i parë: “Në mbrëmjen e 4 majit Qemal Stafa shkoi në shtëpinë nr. 66, në rrugën e Shën Gjergjit.
Atë natë bëhej mbledhja e zakonshme e KQ të Rinisë dhe e Komitetit Qendror të Rinisë së Tiranës”. Sipas saj, gjatë orëve të territ, kalonin si shumë shpesh patrullat dhe mbledhja zgjati deri në mëngjes.
Ishte 5 maj, dita që do të shkonte për në Vlorë Stafa”. Por, në ribotimin e tretë të librit “Qemal Stafa”, i përmirësuar, shkrimtari Nasho Jorgaqi vjen me tjetër rrëfim të Nexhmije H., e cila nuk është më me Qemalin bashkë natën e 4 majit duke u gdhirë 5 maj, ndryshe nga rrëfimi në botimet e mëparshme që natën e 5 majit deri në mëngjes e kaluan bashkë dhe në këtë rrëfim ndryshe është dyshimi.
“Aty nga fillimi i majit, Qemali bëri mbledhjen e zakonshme të Komitetit Qendror të Rinisë dhe të Komitetit Qarkor të Rinisë për Tiranën. Kishin ardhur të gjithë dhe ishin mbledhur në një dhomë të bazës ilegale….
Para se të fillonte nga puna Qemali, siç e kishte zakon, bisedoi e bëri shakara duke treguar ndonjë anekdotë që vinte në lojë fashizmin. [..j Atë natë, - tregon për këtë Nexhmije Hoxha, - kalonin si shumë shpesh patrullat dhe mbase nga zhurma e çizmeve të tyre të rënda, të shqetësuar lehnin qentë e mëhallës"....Sipas këtij rrëfimi, Stafa në mëngjes mësohet të ketë thënë se "kjo ditë s'është akoma e jona”.
E dini, - tha duke qeshur me entuziazëm, - kur të vijë dita jonë, ja kështu siç jemi do të dalim në bulevard e do të këndojmë e do të thërrasim deri në mëngjes". Dhe më tej shkrimtari vazhdon: Mbledhja zgjati deri në mëngjes. Qemali atë natë nuk fjeti fare dhe kjo ishte e zakonshme në jetën e tij prej ilegali [ ... ] Ditën e fundit, më 4 maj, ai u kthye në shtëpinë e patriotit Hysen Dashi, baza nr. 66 në Rrugën e Shëngjergjit. Këtu Qemali u takua me shokun Enver…
RRËFIMI I ENVERIT
Një tjetër version vjen nga bashkëshorti i Nexhmijes, sipas Barutit. Studiuesi shkruan në librin e tij se Enver H. në botimin “Kur lindi Partia”, dhjetë vjet nga botimi i librit “Qemal Stafa”, sjell për herë të parë kujtimet e natës së fundit, duke aguar dita e 5 majit, me përfundimin se ishte ai vetë me Qemalin natën duke u gdhirë 5 maji, kur do të vritej Qemali: “Dita e fundit e pjekjes time me Qemalin ishte më 4 maj.
U poqëm në bazën nr.66, në rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Unë po përgatitja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se te nesërmen, në mëngjes, duke gdhirë 5 maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokë…”
Hoxha vazhdon duke u shprehur se si mund të mendonte se e puthi dhe e shtrëngoi për herë të fundit në kraharor shokun, nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin e tij të dashur Qemal Stafën?!
“Në bazën ku isha erdhi një shok, dhe duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën. Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë, i thashë.
Në Tiranë, më tha shoku, – në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë. Qemali që në mëngjes u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurt, mos e besoni se armiku hap parulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar, ra heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan…”, shkruante Enveri.