- Zyrtarët e LSI-së, Vasili dhe Rama, takojnë ambasadoren Glover -
TIRANË, 14 tetor/ATSH-Anila Struga/.- Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e gatshme për të kontribuar në përmirësimin e menjëhershëm të konstatimeve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-t për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, me qëllim rritjen e standardeve të ardhshme zgjedhore.
Zyrtarë të LSI-së, nënkryetari Petrit Vasili dhe sekretari i Përgjithshëm Luan Rama u takuan sot me kryesuesen e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-t, Audrey Glover, me të cilat diskutuan rreth konkluzioneve të raportit përfundimtar për zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
Pas takimit, në një konferencë për mediat, nënkryetari Vasili tha se LSI mbështet znj. Glover dhe idenë e saj për fillimin e menjëhershëm të punës në reflektimin e të gjitha konstatimeve të raportit që lidhen me përmirësimin e ligjit zgjedhor, por dhe çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve, para, gjatë dhe pas procesit.
"Ne propozuam t'i hyjmë sa më parë punës për këto problematika, duke vendosur dhe afate të qarta se ku duhen realizuar këto ndryshime, në mënyrë që t'i jepet fund njëherë e përgjithmonë nderhyrjeve të minutës së fundit, që si të tilla nuk mund të reflektohen në cilësinë e procesit zgjedhor dhe kjo na bën të riciklojmë e përsërisim të njëjtat problematika negative", u shpreh nënkryetari Vasili.
Bashkëndamë me znj. Glover të njëjtin opinion, vijoi ai, për t'u ulur sa më parë në tavolinë, duke përfshirë gjerësisht në këtë proces dhe shoqërinë civile, me synimin e qartë që zgjedhjet e 2017-s të jenë zgjedhje politike, që të shprehin vullnetin e popullit dhe jo një përsëritje e proceseve zgjedhore me probleme.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama duke theksuar rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të OSBE-së, e vuri theksin tek evitimi i praktikave të ndërhyrjeve në ligj në momentet e fundit.
"Duhet të heqim dorë nga praktika shqiptare e reflektimit apo e ndërhyrjeve në momentin e fundit, pasi ndërhyrjet në kushte emergjence, shmangia nga thelbi i këtyre rekomandimeve, do të prodhojë të njëjtat probleme. Ne insistuam në takim që është shumë e rëndësishme të nisë puna menjëherë, paralelisht me reformat e tjera, që reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi të mos e sfumojë vëmendjen nga këto rekomandime, sepse në fund të fundit zgjedhjet janë bazamenti mbi të cilat ndërtohen të gjitha institucionet dhe shteti demokratik", tha sekretari Rama. /a.g/