Konferencë për shtyp e kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili
TIRANË, 10 Gusht/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve qendrore e lokale, si dhe sipërmarrësve për ta kthyer vendin tonë në një atraksion turistik.
Gjatë konferencës, veç turizmit, Vasili foli edhe për qeverisjen e deritanishme, duke i dhënë përgjigje interesit të gazetarëve. "Shqipëria e tëra është përfshirë në një moment të një intensiteti turistik të jashtëzakonshëm, qe ka përfshirë edhe fuqi dhe energji, por njëkohësisht dhe një mobilizim të gjithë atyre resurseve, fuqive, bizneseve dhe infrastrukture që lidhet me këtë aktivitet tashmë mbarëkombëtar", tha kreu i grupit parlamentar të LSI.
Ai pranoi se tek sektori i turizmit ka problematika të caktuara, të cilat duhen zgjidhur nga instancat përkatëse. "Ky moment pozitiv, ka shënuar frytet e mira pozitive të një politike promovuese të mirë për Shqipërinë turistike, ku jo vetëm mijëra e mijëra turistë vendas janë tashmë frekuentues të bukurive turistike shqiptare, por dhe një numër shumë i rëndësishëm të huajsh ndodhen në Shqipëri për të pushuar. Kjo imponon sigurisht një qëndrim dhe një qasje të re lidhur me çështjen, sepse njëherazi janë verifikuar edhe problematika, që në momente të caktuara sigurisht e kanë bërë të pakëndshëm qëndrimin në disa zona të caktuara, por njëkohësisht dhe shqetësues. Ndaj ne jemi së bashku këtu për të evokuar një bashkëpunim shumë më intensiv mes pushtetit qendror, por edhe atij lokal, i cili sapo u formësua sipas një mënyre të re shumë më efikase pas 21 qershorit për t'u përballur me këto probleme, në mënyrë të veçantë ato që kanë të bëjnë me furnizimin me energji elektrike, ku mungesa të shumta janë vërejtur nëpër mjaft qendra turistike, por gjithashtu edhe problemi që ka lidhje me furnizimin me ujin e pijshëm, por dhe të trajtimit problematik tashmë të mbeturinave", nënvizoi Vasili.
Më tej, Vasili iu përgjigj dhe interesit të gazetarëve, lidhur me qendrimet e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për çështjen e taksave. Sipas Vasilit, komentet e z. Meta janë të lidhura dhe qëndrojnë mbi një shinë të vetme dhe një lajtmotiv, që sistemi i taksave e gjithë politika fiskale në Shqipëri është dhe duhet të jetë e duhet të orientohet thjeshtë dhe vetëm nga një objektiv themelor dhe të patjetërsueshëm, që ky është zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike e qëndrueshme", tha ai. "Pa një rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, vijoi Vasili, të gjithë e kanë shumë të qartë, që jo vetëm një mori problemesh të tjera të karakterit infrastrukturor, të karakterit të shërbimeve të tjera nuk mund të marrin përgjigje, por mbi të gjitha, një mori e madhe problemesh sociale delikate nuk mund të marrin përgjigje pa një rritje të qëndrueshme ekonomike. Ndaj, edhe vëmendja është që edhe çdo ndryshim eventual në politikat e taksave, duhet të matet ne efikasitetin e tyre vetëm me një tregues, prodhojnë apo jo rritje ekonomike të qëndrueshme", nënvizoi Kreu i Grupit kuvendor të LSI, i cili shtoi se sistemi i taksave me ndryshimet qofshin të mundshme që mund të propozohen të cilat janë tagër i ministrisë përkatëse, e cila siç të gjithë e dinë punon ngushtësisht e lidhur në mënyrë të vazhdueshme me FMN-në, pra me një institucion tepër autoritar e prestigjioz, do t'i japë përgjigje gjithmonë e më pozitive kësaj çështje.
Sa i takon efikastetit të punës së ministrave të LSI-së, Vasili tha se ky vlerësim i takon të bëhet nga Kryeministri. "Është në analizën e qeverisë gjithçka që duhet përmirësuar në tatime dhe në dogana. Besoj se kjo analizë e kujdesshme u bën mirë të gjithëve, pasi asnjë qeverisje nuk është perfekte dhe çdo qeverisje përmirësohet dhe perfeksionohet në rrugë e sipër. Kjo ambicie për t'u përmirësuar sigurisht që është edhe ambicia më e mirë dhe më modeste që çdo qeveri duhet të ketë. Çdo kryelartësi apo edhe vetëkënaqje do të na çonte në një rrugë të gabuar. Shikimi me vëmendje dhe me sy kritik është një veprim shumë pozitiv dhe sigurisht që çdo reflektim që qeveria do të bëjë, qoftë me ndryshimet përkatëse, qoftë me rritjen e efikasitetit në dogana, në tatime, në mekanizmat e mbledhjes së të ardhurave, janë të gjitha të përshëndetura. Sigurisht që qëndrimet tona janë sinkron brenda mazhorancës dhe nuk kemi qëndrime të ndara përsa i përket rritjes së efikasitetit të funksionimit të administratës fiskale në tërësi. Marrëdhënia jonë (LSI-së me PS), tha Vasili, është një marrëdhënie që ndërtohet mbi mekanizma politikë, ecën nën udhën e një konstruktiviteti tashmë evident për të tërë. Të një korrektese e cila ka dhënë prova të pafundme të respektimit të saj përsa i takon Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe besoj që konstruktiviteti dhe korrektesa janë dhe duhet të jenë shinat ku mund të vazhdojë të qëndrojë në mënyrë solide si deri më tani, një aleancë, një bashkëpunim politik, por njëkohësisht dhe ndërtimi i një modeli politik bashkëpunimi i cili çon përpara jo thjesht e vetëm aleancën, por çon përpara në radhë të parë ato objektiva të mëdha për qeverisjen e vendit që aleanca i ka vënë vetes", tha Vasili.
Ai i dha përgjigje dhe çështjes së këshillit bashkiak të Pogrdecit. "Sinqerisht ju them pa asnjë lloj polemike, por as nervozizmi, nuk kam të mundur të interpretoj emocionalitetet e PD-së në atë këshill bashkiak për të arritur sa më parë të ndërtojë atë që ajo do të ndërtojë me insistim. Këshilli bashkiak është atje. Numrat janë atje, flasin vetë. Votimi brenda këshillit bashkiak i zgjidh problemet pa asnjë vështirësi. Nuk mendoj se ka vota jashtë këshillit, që do të shkojnë të votojnë përveç anëtarëve të këshillit. Kështu që besoj se ta mbyllim këtë pyetje me këtë përgjigje. Besoj se më tepër se kaq do të mbivlerësonim një problem që është fiktiv", përfundoi kreu i grupit kuvendore të LSI, Petrit Vasili. /a.ke/