Vata dhe Çipi zberthejne paraqitjen e Shqiperise

Vata dhe Çipi zbërthejnë paraqitjen e Shqipërisë

Rudi Vata dhe Geri Çipi kanë luajtur për një kohë të gjatë në Kombëtare në rolin e qendërmbrojtësit. Analiza e tyre për ndeshjen e parë të kuqezinjve në Europian natyrshëm ka një kuriozitet të madh, për më tepër që Shqipëria vjen nga një takim ku gaboi jo pak në aspektin defensiv. "Panorama Sport" foli dje me dy ish-mbrojtësit, të cilët u ndalën më së shumti edhe te kartoni i kuq i marrë nga kapiteni Cana.

Rudi Vata

Rudi Vata

"Ishte një ndeshje, ku në fund fitoi skuadra më e mirë. Megjithatë, duhet theksuar se edhe Zvicra nuk është se i dha shumë gaz. Lojtarët shqiptarë të Zvicrës, përveç Xhemailit, treguan se kanë një ndjenjë për kombin dhe në momente të veçanta nuk u angazhuan si duhet. Afrimiteti me lojtarët tanë, shoqëria që ata kanë dhe marrëdhëniet që kanë ndërtuar, bënë që të mos ishin në 100% ndaj Shqipërisë. Skuadra jonë dha maksimumin e mundshëm, ndërsa Zvicra përtej minutave të para në fillimin e lojës, më pas kishte një ritëm më të ulët", deklaroi ish-kapiteni i Kombëtares, që ka luajtur në qendër të mbrojtjes.

cana-second-yellow-albania-switzerland-euro-2016_140r7jzfzngf914suxvcnlbkkf

Duke folur për gabimet në mbrojtje, Vata u ndal te Lorik Cana. "Të jem i sinqertë, më erdhi keq për Lorikun, sidomos për atë momentin e kartonit të kuq. Vjen një moment në karrierë që nuk je ai që ke qenë dikur. Ai rast ndoshta tregoi një shenjë dorëzimi të kapitenit. Këtë situatë e kam kaluar vetë dhe kur vjen fundi i karrierës, këto situata dalin në pah. Forma e Lorikut nuk ka qenë më e mira dhe shumë faktorë janë mbledhur, por ai me shpirtin luftarak që ka, nuk do të dorëzohet.

Gjithsesi, shfaqi defekte fizike, në një ndeshje me ritëm që nuk arrin ta përballojë. Kapiteni është lideri i skuadrës dhe ajo situatë ishte vërtet e trishtueshme. Unë mendova se pas daljes me të kuq të Canës, ekipi do të shpërbëhej, por skuadra e mblodhi mirë veten. Shqipëria tregoi karakter në pjesën e dytë", shtoi Vata. I pyetur për golat e pësuar në fillimet e takimeve, ish-mbrojtësi jep argumentin e tij, duke theksuar se asgjë nuk është rastësi. "Atëherë kur nuk duhet të pësojmë, ndëshkohemi. Pashë një presion të madh në skuadër, jo një grup të çliruar. Gjendja fizike e disa prej lojtarëve tanë lë për të dëshiruar dhe normalisht kjo krijon probleme në skuadër", ka thënë dje 47- vjeçari shkodran.

Geri Cipi

Geri Çipi

"Ndeshja kishte dy fytyra. Fillimisht në momentin kur Zvicra ndezi vërtet 'motorët', na vendosi shumë në vështirësi. Pastaj, pjesa tjetër e lojës pati momente të mira për ne. Mund të shënonim, por gjithashtu edhe mund të ndëshkoheshim. Goli i pësuar shpejt nuk ishte një rastësi, pasi Kombëtarja na ka mësuar në këto ndeshjet e fundit që ndëshkohet shpesh në start. Normalisht ishte ndeshja e parë në Europian dhe unë ua vendos fajin më shumë emocioneve që pushtuan lojtarët. Është shumë e madhe për një kombëtare si ne që të marrë pjesë në këto nivele.

Nëse do të analizojmë gabimin e Lorikut dhe lojtarëve të tjerë ndaj Zvicrës, fillimisht duhet të themi se është meritë e tyre që sot jemi në Europian. Nuk e di, por jemi një popull që pas një suksesi të madh, po kërkojmë shumë nga ekipi. Rivalët tanë kanë një histori në këto evenimente, pasi marrin pjesë thuajse rregullisht, ndërsa ne jemi totalisht pa eksperiencë. Në këtë aventurë të kërkosh shumë nga Shqipëria, më duket sikur i bëjmë dëm. Duhet të jemi pak me këmbë në tokë", ka thënë fillimisht Çipi për t'u ndalur më pas te gabimet në mbrojtje.

13405520_1195099657176032_310263272_o

"Si kapiten i skuadrës, normalisht Cana mori dy kartonë të verdhë, ku të paktën një prej tyre duhet ta kishte evituar. Te rasti që u ndëshkua edhe me të kuq, mendoj se nëse nuk do të bënte atë prekje me dorë, për mua sulmuesi i Zvicrës do të kishte shënuar. Edhe Loriku ka menduar të marrë përsipër në atë moment të keqen më të vogël. Ashtu si gjithë skuadrën, edhe Canën e pushtuan emocionet. Te rasti i parë që ndë- rhyri në mesfushë, duhet ta evitonte kartonin. Të jeni të bindur se nëse nuk e kapte topin me dorë dhe vijonte aksioni, pas ndeshjes Loriku do të kryqëzohej akoma edhe më shumë. Mirëpo, ky moment pati edhe një anë pozitive. Pashë që Kombëtarja u motivua edhe më shumë me 10 lojtarë", analizoi ish-qendërmbrojtësi vlonjat.

Në fund, i pyetur për ndeshjet ndaj Francës dhe Rumanisë, Çipi u shpreh: "Shpresat për pikë i kisha më shumë ndaj Zvicrës. Ndërsa Franca dhe Rumania janë tjetër futboll. Nuk diskutohet që do të na dominojnë, por gjithsesi duhet të provojmë shanset tona".

Jorgis Memo



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama