Pak muaj më parë debatoi ashpër në një studio televizive me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj. Ndërsa dje, përmes "Panorama Sport", duke komentuar hetimin e UEFA-s ndaj klubit korçar për ndeshje të dyshuara si të trukuara, Rudi Vata foli me bindje se kampionët e Shqipërisë do të dënohen.
"Nuk surprizohem aspak nëse Skënderbeu dënohet. Nuk është hera e parë që klubi korçar po hetohet nga UEFA. Gjithmonë ka pasur justifikime dhe njerëz që flasin për pafajësi. Katastrofa më e madhe për futbollin shqiptar janë tashmë bastet, që janë bërë pjesë e rëndësishme e tij. Pak të varfër jemi si futboll, por tani na shtohet edhe pandershmëria.
Unë jam i sigurtë se futbolli shqiptar nuk është i ndershëm. Në klubet tona ka aktorë që bëjnë hipokritin, por edhe aktorë 'Hollivudi'. Nëse Skënderbeu dënohet se e meriton, nuk do të më vijë aspak keq, sepse ky klub ka prishur imazhin dhe sistemin. Gjithashtu, ka prishur shumë mendje të futbollistëve shqiptarë, por edhe atyre të huaj. Sigurisht është momenti që të marrin leksion, pasi pa u bërë dikush shembull, nuk ka për t'u ndryshuar diçka për mirë. Kjo që po ndodh, për mua është një kancer, pasi futbollisti stërvitet për të mbërritur te suksesi përmes punës.
Tashmë po i mësojnë të aktrojnë. Në eksperiencën time, jam stërvitur gjithmonë për të fituar, por normalisht edhe kam humbur shumë. Bosat e Skënderbeut, që pinë puro në stadiume dhe u duket vetja heronj të klubit që menaxhojnë, tani ta provojnë se sa të fuqishëm dhe sa të zotë janë. Duke e pësuar, do të shërohet edhe futbolli shqiptar. Aspak keq nuk më vjen, sepse e meritojnë. Është luajtur një futboll fals, janë gënjyer tifozët dhe janë prishur nga mendja lojtarët. E përsëris që nuk ndiej aspak keqardhje, sepse kush i ka bërë këto, duhet t'i pësojë. Jam i sigurtë që do ta pësojnë. Suksesi i pamerituar është më i keq se mossuksesi", është shprehur fillimisht Vata.
Federata
I pyetur për rolin e institucionit të futbollit shqiptar në luftën kundër trukimeve, por edhe për rastin më të fundit, ku ende FSHF nuk ka mbajtur një qëndrim për hetimin ndaj Skënderbeut, Vata theksoi se nëse faktet ekzistojnë, duhet patjetër një reagim. "Nuk e di pse s'reagon federata. Natyrisht ajo duhet të mbajë qëndrimin e saj duke u distancuar nga këto gjëra. Arsyet e kësaj heshtjeje i dinë vetë drejtuesit e federatës, edhe pse shumë mendojnë si ka mundësi që ky institucion nuk po flet për trukimet. Derisa po flitet për futboll të dyshimtë dhe nëse ka fakte, atëherë FSHF duhet të mbajë patjetër qëndrim.
Derisa në këtë moment nuk kemi një zë nga federata, atëherë kjo e fundit ka arsyet e veta pse nuk e bën një gjë të tillë. Sigurisht, nëse FSHF beson se Skënderbeu është i pastër, atëherë ka të drejtë edhe t'i dalë në mbrojtje. Nëse është e kundërta, atëherë duhet të deklarohet duke i dalë kundra. Opinioni duhet të sqarohet për këtë situatë, sepse në fund të fundit, një ndeshje e trukuar është e korruptuar. Kam dëgjuar që Duka nuk ka shkuar në ceremoninë e titullit të Skënderbeut. Por, nuk mund ta paragjykoj këtë. Gjithsesi, unë di të them se në Shqipëri shumë marrëdhënie nuk janë të ndërtuara mbi baza profesionale, por interesi dhe shoqërore. Nuk duhet të jetojmë me ndjenjën e emocionit se ky person qenka miku im dhe nuk mund ta dënoj. Duhet t'i jepet atë që meriton çdokujt", deklaroi ish-trajneri.
Vllaznia
Në fund, Vata foli edhe për skuadrën e parë që ka drejtuar si trajner, pikërisht Vllazninë e vendlindjes së tij. Sipas tij, fakti që klubi menaxhohet nga bashkia, e bën pesimist se skuadra mund të jetë e denjë për vendet e kreut. "Mendoj se Cungu do ta ketë shumë të vështirë, sepse Vllaznia nuk ka një president. Në futbollin shqiptar mbijeton kush është presidenti më i fortë, jo kush është më i ndershmi. Sado i ndershëm të jetë Sinan Idrizi i Flamurtarit, mënyra se si është organizuar sot futbolli shqiptar, nuk ke asnjë shans të mbërrish te suksesi nëse nuk je i fortë. Kur them i fortë, jo të jetë fizikisht një president, por të ketë imazhin e tillë. Në Shqipëri zotësia nuk u jepet atyre që punojnë me ndershmëri. Pra, Vllaznia është një klub që menaxhohet nga bashkia dhe ky institucion duhet të harxhojë shumë para.
Sado i zoti të jetë Cungu, prapë do ta ketë shumë të vështirë ta çoj lart Vllazninë. Edhe vetë Armando jam i sigurtë që me klube si Kukësi dhe Laçi e ka provuar se çfarë do të thotë kur ke një investitor privat. Ndryshe është kur ke një kryebashkiak, që ka një mijë halle dhe nuk i del koha të merret me federatën apo arbitrat, siç ndodh rëndom në kampionatin shqiptar. Megjithatë, Vllaznia ka mundësi të bëjë një futboll të pastër dhe të bukur, duke edukuar mirë të rinjtë. Shpresoj që Vllaznia mos ta vendosë Cungun nën presionin e arritjes së synimeve madhore, por ta lërë të qetë dhe të eliminojë dy-tre elementë negativë që i kanë pasur në klub. Vllaznia duhet të punojë për të ardhmen", ka përfunduar ishtrajneri i skuadrës shkodrane.