Shkrimtarët kanë gjetur rastin për të përmendur fijet e shumta të kumunikimit kulturor mes vendeve të rajonit, lidhje të cilat komisioneri europian për shkencën dhe kërkimet Janez Potocnik, prezent në takim, i përshkroi si mjaft të rëndësishme për të ardhmen europiane të tyre.
Festim përmes muzikës
Potocnik ishte prezent të hënën në mbrëmje dhe në koncertin e violinistes me origjinë shqiptare Ervis Gega- Dodi. Violinistja Gega- Dodi e shoqëruar nga orkestra e themeluar prej saj e muzikës së dhomës „Rheinische Kammerensemble Mainz", ka sjellë me nota të fuqishme Vivaldin, Hendelin, Svendsonin dhe Grieg-un në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Koncertin e saj, shefi i Përfaqësisë së BE-së në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan e përshkoi si një eveniment special, sipas tij për dy arsye: „se violinistja Gega është ilustrim i të qenit jo vetëm shqiptare, por një evropiane: e lindur në Shqipëri, e shkolluar në Britaninë e Madhe dhe me vazhdimin e karrierës shumë të suksesshme në Gjermani, dhe së dyti, sepse Komisioneri Evropian për Shkencën dhe Kërkimet, Janez Potocnik ka pranuar të jetë prezent në Shqipëri në këto aktivitete të javës evropiane".
Nga ana e tij, Potocnik, para fillimit të koncertit të violinistes Ervis Gega- Dodi ju referua një thënieje të Napoleonit, se nga të gjitha artet liberale është muzika ajo që ka influencë më të madhe mbi pasionin. „Këtë javë festojmë krijimin e Europës së Bashkuar, pa përdorur metodat e Napoleonit, por ato të Robert Schumanit. Të dy ishin nga i njëjti vend, por kishin ide krejtesisht të ndryshme. Nuk e mendoj se ka ide më të mire për të festuar se sa nëpërmet muzikës", tha Potocnik, i cili i uroi sukses në koncert zonjës Gega dhe orkestrës së saj.
Një nga formatet e „Javës Europiane", i ashtuquajturi Autobuzi i Bashkimit Europian, ka lëvizur nga qyteti i Korçës për në atë të Elbasanit, ku në ambjentet e universitetit të këtij qyteti gjatë ditës së martë do të ketë ligjërata dhe diskutime mbi perspektivat europiane dhe afrimin e vende aspiruese me të drejta të plota në BE.
Arben Muka : DW