Vazhdojne telashet Partizani vendos te pezulloje Mazrekajn

Vazhdojnë telashet, Partizani vendos të pezullojë Mazrekajn

Problemet me lojtarët nuk paskan fund te skuadra e Partizanit. Pas largimit të Xhevahir Sukajt, një tjetër futbollist i rëndësishëm i të kuqve është shumë pranë divorcit me kryeqytetasit. Këtë herë bëhet fjalë për Mentor Mazrekajn, i cili që nga muaji mars i mungon skuadrës së kuqe për shkak të një operimi.

mentor mazrekaj

Gjatë gjithë kësaj periudhe, mesfushori kryeqytetas ka qenë në fazë rikuperimi në Prishtinë, por në shfaqjen e fundit në kryeqytet, që ishte në ndeshjen ndaj Teutës e cila mbylli kampionatin e shkuar, lojtari u duk jashtë forme, madje kishte filluar të vinte edhe bark. Por, kur pritej që ai të niste fazën përgatitore me pjesën tjetër të ekipit, nuk është dukur dhe klubi s'ka folur në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë që, gjatë ditës së djeshme, është përhapur lajmi se ai ka ikur përfundimisht nga skuadra dhe ndoshta mund të mos jetë pjesë e saj në sezonin e ri.

Masa

Drejtues të klubit të kuq kanë konfirmuar dje për "Panorama Sport" se Mazrekaj nuk është larguar përfundimisht nga ekipi, por ndaj tij është marrë një masë. Ai është pezulluar nga presidenti Demi, pasi stafi teknik i ka bërë me dije se lojtari nuk po bashkohej me ekipin dhe forma e tij fizike ishte jashtë parametrave të pritshëm. Një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga numri një i të kuqve, që mësohet të ketë pasur edhe një bisedë me lojtarin.

Nuk duhet të harrojmë se Mazrekaj është një nga lojtarët e preferuar të presidentit. Gjithsesi, ende nuk ka një datë fikse se kur lojtari mund të rikthehet sërish në skuadër, por gjithashtu nuk dihet nëse Mazrekaj po zhvillon aktualisht seancat e rikuperimit në Prishtinë. Situata rreth lojtarit vazhdon të jetë e paqartë, ndërsa klubi i kuq nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar për mediat.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama