Islandezët nuk njihen si një popull emocional, por ndjenjat e krenarisë pushtuan edhe ftohtësinë e tyre pas fitores historike ndaj Anglisë. Njerëzit qanë, përqafuan të panjohur dhe kërcyen në rrugët e vendit pas triumfit dramatik që e dërgoi skuadrën më të vogël të "Euro 2016"-ës në çerekfinalen me Francën, këtë të diel.
Në Reikjavik, mijëra tifozë u mblodhën për ta parë ndeshjen në "fan zone", pabet dhe baret e kryeqytetit dhe festuan deri në të gdhirë, duke valëvitur flamujt jashtë makinave, ballkoneve dhe e shndërruar suksesin futbollistik në një atmosferë karnavalesh. Në një vend ku të gjithë pa përjashtim kanë rënë në dashuri me futbollin, pati edhe nga ato zëra se kombëtarja e tyre nuk është vlerësuar mjaftueshëm në pjesëmarrjen e saj të parë në një turne të rëndësishëm.
Presidenti
"Fitorja më e madhe në historinë e Islandës, me përjashtim të luftërave ndaj merlucit", tha për "The Guardian" presidenti i sapozgjedhur i vendit, Gudni Johaneson. Presidenti, një historian, i cili ka studiuar për katër vite në Angli, në universitetet e Uoruik, Oksfordit dhe Kuin Merit, u zgjodh president vetëm mëngjesin e së dielës dhe u ul së bashku me familjen në Nisë mes tifozëve të Islandës. Ai tha se ka ndër mend të ndjekë nga stadiumi edhe ndeshjen me Francën.
Kryeministri
Ndërsa kryeministri, Sigurdur Ingi Johanson, zgjodhi "Facebook"-un për të shprehur gëzimin e tij: "O sa fantastike është të jesh një islandez", shkroi ai. Paraardhësi i tij, Sigmundur Gunlaugson, hodhi idenë se portierit, Hanes Halldorson, i duhet dorëzuar një medalje mirënjohjeje e urdhrit më të lartë qytetar të vendit. "Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë unë do t'i jap timen", premtoi seriozisht ai.
Ndërsa vetë Halldorson nuk i beson ende asaj që skuadra e tij ka bërë: "Jam i pafjalë. Po përjetoj emocione të pazakonta. Kjo është një çmenduri, sa unë po përpiqem ende të kuptoj nëse është e vërtetë apo jo. Shpresoj të mos zgjohem dhe kjo të mos jetë një ëndërr".
Mediat
Gazetat islandeze, sportive apo politike, nuk kishin shans të kishin tjetër titull të parë veç kryeveprës që po shkruan kombëtarja e vendit në Francë."Ëndrra vazhdon", ishte kryetitulli i "Morgunbladid", ndërkohë që rivalja e saj "Frettabladid" ngrinte pyetjen: "Si do përfundojë?"
Fqinjët
Jehona e suksesit të ishullit të vogël mbërriti deri te fqinjët nordikë të Islandës. Në Norvegji, "Verdens Gang" e printoi faqen e parë të saj me titullin në islandisht: "Já, við elskum þetta land", që përkthehet "Po, ne e duam këtë vend. Sot ne jemi të gjithë islandezë".
Lagerbak
Edhe Lars Lagerbak, trajneri suedez me kaq përvojë në arenën ndërkombëtare, i cili nuk ka humbur ende asnjë ndeshje përballë Anglisë, nuk e kishte imagjinuar rezultatin dramatik të së hënës. "Nuk jam ndier në këtë mënyrë shumë shpesh në jetën time", tha ai gjatë konferencës në Nisë: "Të mundësh Anglinë me këtë skuadër islandeze, është me të vërtetë një gëzim i papërshkueshëm". Për një vend që njihet më shumë për llavën e vullkaneve, atmosfera është përshkruar më mirë nga Sigi Jonson, një ish-mesfushor i Arsenalit, Shefill Uednesdejt dhe Dandi Junajtid: "E çfarë është Eyjafjallajökull? Kjo skuadër është shpërthimi më i madh vullkanik në historinë e Islandës".