Dhjetëra studentë kanë bllokuar sërish sot hyrjen kryesore të rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ku po protestojnë për rektorin e universitetit. Me pankarta në duar, ata bëjnë thirrje për largimin e rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi. Forca të shumta policie ndodhen në sheshin para universitetit për të mbajtur situatën nën kontroll, dhe deri më tani nuk është dhënë ndonjë urdhër për largimin e studentëve, raporton “Express”. Kjo protestë është organizuar “Lëvizja Studentore për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim”, nga “Klubi Politik i Studentëve” si dhe nga “Grupit i Studentëve të Ulqinit” në Prishtinë.
Edhe Grupi i Pavarur i Studentëve, sot në orën 12:00, do të mbajë protestë para rektoratit të Universitetit të Prishtinës për të reaguar ndaj keqpërdorimeve në këtë institucion. Kurse, Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të mbajë një konferencë për mediat, në lidhje me ngjarjet e fundit në Universitetin e Prishtinës.
Edhe dje një grup i studentëve ka protestuar që në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të rektorit, Ibrahim Gashi, fillimin e menjëhershëm të hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës, ngritjen e një mekanizmi për verifikimin e të gjitha titujve akademikë, si dhe largimin e ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Gjatë protestës së djeshme janë arrestuar 27 studentë ku disa prej tyre edhe janë lënduar.