Vazhdon rrefimi unik i Shkembit Ne Shqiperi e teprojne me trukimet

Vazhdon rrëfimi unik i Shkëmbit: Në Shqipëri e teprojnë me trukimet

Në një jetë tjetër do të kish dashur të ishte ujk. Jo grykës dhe i ashpër, por inteligjent... Po, ky është Shkëmbi në versionin jashtë fushe. Një futbollist model në shumë aspekte, por nuk e ka pasur asnjëherë qejf palestrën dhe nuk ngurron ta pranojë publikisht. Është pesimist sa i përket klimës së dyshimit të pafund në Shqipëri dhe sipas tij do të duhen shumë vite që të mund të biem "rehat" me trukimet.

Shkembi stol

Shkëmbi e pranon se kompromise dhe pazare ka pasur në futbollin tonë, por kjo ndodh edhe në kampionatet e huaja. Në Shqipëri sipas tij ky fenomen përmendet shumë më tepër sesa duhet. Bën një vlerësim pa doreza për trajnerët shqiptarë me të cilët ka punuar dhe nuk e fsheh se në jetë ka bërë edhe ndonjë prapësi, por pa cenuar askënd.

Kush është lojtari më i pistë sportivisht që ta shpifte kur ndesheshe me të?

Ka disa lojtarë që mund të luajnë fort dhe ashpër në fushë, por janë djem të mirë dhe gjithsesi ke respekt për ta. Por unë vazhdoj të them se lojtarët "e pistë" janë ata që i japin shumë gojës, aq sa ta shpifin. Nuk është korrekte të përmend emra, por për fat të keq këtë e kam hasur te klubet e kryeqytetit. Ndonjë te Tirana ose Partizani realisht e tepronte. Kjo më habiste sepse në nivele të tilla nuk mund të ndodhë ashtu.

Cila ishte gjëja që bëje me më shumë përtesë kur ishe futbollist?

Palestra. Nuk e kam pasur asnjëherë qejf. Isha gati të vrapoja tërë ditën, por palestrën nuk e kisha qejf. Njoh disa lojtarë që shkojnë e rrinë edhe nga një orë në ditë në palestër për qejf, por unë nuk e kam pasur edhe aq me qejf.

Tani do marrim trajnerët me radhë dhe ti do më bësh një përshkrim të ngjashëm me atë që bëre me presidentët e klubeve. Dakord?

Dakord.

Stanislav Levi?

Levi erdhi me idenë për të vënë rregull dhe për të na disiplinuar, por në fakt e kuptoi se aty gjërat ishin në rregull nga kjo anë dhe ai në fund u bë normal. Në fillim sillej si Hitler dhe e bënte më tepër për shou që të dukej i ashpër, por më pas gjithçka shkoi normalisht. Sa i përket stërvitjes, ai ishte më i miri.

Shpëtim Duro?

E vlerësoj shumë për qetësinë që solli për të fituar titullin e parë kampion. Por e vlerësoj mbi të gjitha sepse ndër trajnerët shqiptarë ishte ai që pranonte më pak ndërhyrje se të tjerët.

Shkëlqim Muça?

Muça kishte detyrën më të rëndësishme e më të vështirë, që të ndërtonte Skënderbeun, i cili do të kishte këtë rrugëtim të gjatë e të suksesshëm. Mendoj se deri diku e bëri shumë mirë punën e tij, por kur diçka nuk shkon dhe kur mungojnë rezultatet, atëherë trajneri e pëson i pari. Ishte pak virtual.

shkembi josa

Mirel Josa?

Hëm... Josa...! OK, është trajneri më i suksesshëm dhe kur një njeri ka sukses, duhet të jesh i kujdesshëm në atë që thua në adresë të tij. Mendoj se kishte meritë të madhe në menaxhimin e lojtarëve dhe të shumë situatave te Skënderbeu që në fakt nuk ishin aspak të lehta për t'u kaluar. Nuk ka qenë gjithçka e bukur sa dukej nga jashtë.

Hasan Lika?

Ishte trajneri që më mori te Teuta dhe normal që ka shumë meritë te karriera ime. Te Partizani kam pasur disa momente jo të mira me të dhe e humbëm edhe qetësinë, por në futboll këto ndodhin. Unë vazhdoj të ruaj respekt për të.

Gerd Haxhiu?

Është një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri dhe është i zoti në stërvitje. Mënyra se si e përgatiste ndeshjen taktikisht më pëlqente shumë. Ka qenë vërtet i aftë.

Cili është stadiumi që të ka impresionuar më shumë?

"Qemal Stafa" në ndeshjen kundër Greqisë, kur fituam 2-1. Kam qenë në stol, sepse isha thirrur nga Kombëtarja. Pas golave të Muratit e Aliajt, i kam ende ato oshtima të turmës në veshët e mi. Ka qenë e pabesueshme... Sërish kujtime kam nga Kombëtarja në stadiumin e Olimpiakosit në Pire, në ndeshjen e kthimit. Ka qenë e pabesueshme edhe atje atmosfera. Por nuk diskutohet që kënaqësitë më të mëdha i kam ndier me Skënderbeun, pavarësisht se numri i tifozëve nuk ka qenë aq i madh. Ndeshjet në Champions sidomos, por edhe kur u kualifikuam me Nefçin ishin të jashtëzakonshme.

Ndër ekipet shqiptare me të cilat jeni ndeshur vitet e fundit, cili prej tyre ka qenë më cilësori, edhe pse nuk ka arritur të marrë titullin?

Mendoj se vitin e parë Flamurtari ka qenë një skuadër shumë e mirë dhe me shumë cilësi. Por ata e humbën vetë titullin, për gabime që bënë gjatë rrugës. Skuadër shumë e fortë ka qenë edhe Partizani i vitit të kaluar. Shumë grintë, shumë luftarake dhe nuk dorëzohej deri në sekondat e fundit. Por, gjithsesi, cilësisht ne ishim më mirë se kushdo tjetër.

shkembi

Cila skuadër ju ka hapur më shumë probleme për ta mundur?

Laçi. Ishte skuadër shumë e vështirë për t'u mundur. Ne gjithnjë e kemi pasur problem.

A të vjen keq që është prishur "Qemal Stafa" sot?

Jo, jo edhe aq. Do ndërtohet një tjetër më i mirë. Sigurisht, ai impiant ka shumë nostalgjikë, sepse kanë kaluar një copëz të jetës aty, por unë mendoj se gjërat e vjetra duhet t'ua lënë vendin më të rejave. Kur mendoj se si janë kushtet në "Elbasan Arena" apo se si do të jenë kushtet në Shkodër, nuk më vjen aspak keq. Ai nuk ishte një stadium që i plotësonte standardet.

A ndihesh i bezdisur kur dikush të përmend titullin e parë, atë të shumë polemikave?

Nuk jam ndier i bezdisur as në vitin e parë. Unë ekipin e Flamurtarit e respektoj maksimalisht, që nga i pari deri tek i fundit. Edhe atëherë kam pasur shumë miq aty. Atë vit mendoj se më shumë sesa e fituam ne titullin, e humbi vetë Flamurtari.

Pse është kaq rrëmujë në Shqipëri...?

Kur një skuadër humbet, thonë që e ka shitur dhe kur fiton, thonë që e ka blerë...

Si mund të frenohet, si mund të vendoset pak rregull?

Mua më vjen për të qeshur sepse këtu dëgjon që edhe ndeshja finale e Europianit ishte e trukuar... Kjo i kalon limitet, por ja që në këto rrethana jemi. Unë mendoj se duhet të kalojnë edhe shumë vite që të mund të ndërgjegjësohemi.

Por, gjithsesi, kompromise dhe pazare në Shqipëri ka pasur thuajse gjithnjë, apo jo?

Kompromise ka kudo, në çdo vend të botës. Por e para është se ne i bëjmë në mënyrë pak më të shëmtuar dhe tjetra është se ne i japim rëndësi më shumë sesa duhet këtij fenomeni. Mediat në përgjithësi i japin më shumë rëndësi sesa duhet.

A të ka kërkuar ndonjëherë dikush që të lësh një ndeshje, jo vetëm te Skënderbeu, por edhe në klubet e tjera ku ke luajtur?

Asnjëherë nuk më kanë kërkuar të toleroj në një ndeshje. Por ka pasur raste kur kanë ardhur dhe më kanë thënë se kundërshtari ndeshjen tjetër e ka të fortë dhe ka shumë kartonë... Kjo na bënte të mendonim se kundërshtari nuk ishte në gjendje të matej me ne. Ka ndodhur edhe ndonjëherë që në fushën e lojës, apo edhe ndonjë i njohur të na ketë kërkuar t'u linim ndonjë rezultat, por me sensin "alla shqiptarçe"...

Çfarë do të thuash?

Po mund të na kenë thënë "ore, juve nuk ju duhet rezultati për asgjë, pse nuk na lini një pikë se neve na duhet...". Por është mbyllur aty dhe kaq.

Skënderbeu fitoi sepse mblodhi lojtarët më të mirë në Shqipëri, sepse pati financa të shëndosha, sepse realisht pati një plan të qartë se çfarë duhet të bënte, apo sepse pati edhe ndihmë nga faktorë të tjerë?

Unë mendoj sepse dy vitet e para pati president Agim Zeqon dhe kjo është kryesorja e gjithë kësaj rruge të gjatë dhe të suksesshme. Ai ishte i qartë: unë do hyj dhe do fitoj. Mori lojtarët më të mirë në qarkullim. Më pas erdhi Takaj, që gjithashtu vazhdoi në rrugën që kishim nisur, duke ruajtur të njëjtin grup dhe të njëjtën filozofi. Gjatë periudhës së Takajt duhet vlerësuar një detaj, që ishte për meritë të tij, por edhe për meritë të futbollistëve, sepse para çdo sezoni ne linim "peng" një pjesë të kontratës vjetore. Nëse nuk fitonim titullin, ne nuk e merrnim atë pjesë dhe kjo u pranua unanimisht nga ekipi. Na shërbeu shumë për të na mbajtur të karikuar dhe për të mos nënvlerësuar asnjë situatë. Ishte një gjetje e mirë. Ne fituam kampionatin dhe fituam edhe një "bast".

zeqo takaj

A të është dashur ndonjëherë që të ngresh zërin kundrejt një shoku të skuadrës për ndonjë gjë që nuk të ka pëlqyer?

Të them të drejtën, më ka ndodhur disa herë, por për fat të mirë në asnjë moment dhe asnjë lojtar nuk ka arritur të më kthejë përgjigje. Jo sepse unë isha diktator, por ndoshta për shkak të sjelljes sime i bëja që të gjithë të më respektonin. Në disa raste kam qetësuar shumë situata tensioni ndërmjet futbollistëve me peshë të ekipit dhe trajnerit. Por, në fund të fundit, kjo është edhe përgjegjësia e një kapiteni, që të ruajë grupin që të mos përçahet.

Si është raporti yt me Shehin? A është siç ka qenë në fillim?

Patjetër që siç ka qenë është. Gjithmonë unë me Shehin kemi qenë bashkë në 6 vite. Unë erdha i pari në ekip dhe i dyti ishte Shehi, i cili ka ardhur me dëshirën time dhe deri diku me këmbënguljen time te presidenti Zeqo.

A është e vërtetë që ka pasur një krisje mes jush së fundmi?

Nuk ka pasur asnjë krisje. Natyrisht, unë nuk e fsheh dot që Shehi ka pasur një marrëdhënie shumë më të afërt me presidentin Takaj sesa e kam pasur unë. Por me Shehin në asnjë moment nuk kam pasur asnjë sherr dhe asnjë përplasje. Përkundrazi, gjithnjë jemi përpjekur që në mënyrën tonë unë dhe ai t'i bëjmë gjërat si duhet dhe siç i shkonin për shtat ecurisë së skuadrës. Mendoj se të dy kemi pasur një përfitim të madh nga kjo. Asnjëherë nuk kam qenë xheloz te pjesa që kush ka më mik presidentin apo kush ka më mik trajnerin. Nuk e kam vuajtur këtë pjesë kurrë. Me Shehin kemi kaluar shumë gjëra të mira bashkë dhe do të vazhdoj ta respektoj deri në fund.

Pati një polemikë me Jani Kaçin pak kohë më parë. Pse dy korçarë përplasen me njëri-tjetrin?

Nuk e di pse është ky lloj raporti. Ashtu si unë dhe gjithë Korça i kemi thënë faleminderit atij, Xhambazit, Dinellës, apo shumë të tjerëve që e kanë lartësuar emrin e Skënderbeut. Ndoshta edhe ai, apo edhe të tjerë duhet të na thonë një faleminderit për atë që kemi bërë. Kjo varet pak edhe në karakterin e njerëzve... Por edhe nëse nuk e bën këtë, nuk kam dëshirë që të hyj në polemikë. Nuk më pëlqen. Korça është një qytet i vogël dhe të gjithë njihemi me njëri-tjetrin, nuk është nevoja as të tregojmë kush jemi dhe çfarë kemi bërë deri tani.

Më thuaj pak, ç'të sjell ndër mend "Panorama Sport", cili është impakti i parë?

Ah... OK, po tregohem i sinqertë. Impakti i parë është disi i padeshifrueshëm... dëgjoj që thonë "këta janë mashtrues...", më pas dëgjoj që thonë "këta u bien drejt gjërave...". Dëgjoj shumë për ju sinqerisht dhe nga më të ndryshmet. Por edhe këtu duhet respektuar motoja e futbollit: kur ke rezultate, duhet të heshtësh dhe ta respektosh tjetrin për pozicionin ku është. Natyrisht, përkufizimi më i zakonshëm për "Panorama Sport" është që ju, ndryshe nga gazeta apo media të tjera, jeni ata që krijoni "rrëmujë" në sport dhe turbulloni ujërat. Jeni gazeta më e lexuar dhe ju respektoj.

Ti personalisht, ke pasur ndonjëherë problem me mediat?

Asnjëherë. Ju jeni dëshmitarë se edhe kur më keni kritikuar, asnjëherë nuk kam polemizuar, përkundrazi e kam kapur me veten time dhe jo me mediat.

Si je njohur me nusen tënde?

Luaja në Ukrainë ato kohë kur unë jam njohur me të dhe vija me pushime në Korçë. Siç ndodhte shpesh, Korça nuk është qytet i madh, në një lokal ku për fat e kishte një shoku im i ngushtë, vëllai i Klajdit (Harunit). Aty nisën këto shikimet e para. Unë vija nga jashtë se isha një futbollist me emër, sepse atë kohë grumbullohesha edhe me Kombëtaren. Por ka qenë shumë e vështirë lidhja sepse nuk kishte as celularë dhe as "skype". Largësia është e vështirë dhe për këtë arsye nusja nuk ishte dakord fare që të lidheshim. Që në momentin që mori vesh se unë luaja jashtë nuk ishte dakord. Për dy vite, me vështirësi, arrita të komunikoja derisa u ulëm në kafe një moment dhe i shpjegova planet për të ardhmen time. Por ishte e vështirë.

shkembi studio

Ishte më e vështirë të flisje para saj apo para kamerave të një televizioni?

Kamerat janë më të vështira... (qesh).

Ke ndonjë pasion për automjetet?

Po, kam një pasion për makinat. Kam pasion shpejtësinë deri diku, por jo i çmendur. Kam fiksim makinën "Audi" dhe kam 15 vjet që mbaj vetëm "Audi". Jam besnik i gjërave, nuk i tradhtoj asnjëherë ato që më pëlqejnë...

Nëse në një jetë tjetër do ishe një kafshë, çfarë do të zgjidhje?

Nuk e di! Ndoshta një ujk. Por jo shumë i egër, më shumë i zgjuar sesa i egër.

Çfarë është gjëja apo personi me të cilin nuk do të bëje kurrë kompromis?

Urrej njerëzit që në momentin që të kanë përballë, të lajnë e të lyejnë me lajka, por sapo largohet nga ty, çfarë nuk nxjerr nga goja. Këtë nuk e kam kapërdirë dot kurrë dhe nuk do ta pranoja kurrë.

A ke pasur te Skënderbeu ndonjë person të tillë?

Po, për fat të keq kam pasur edhe aty. Në tavolinë hiqej si shok, por sapo shkonte te presidenti, apo te trajneri, sepse ishte miku i tyre, fillonte dhe më gjykonte mua për pjesën e sportit. Më gjykonte mua dikush që kishte vetëm 2 vite që kishte mësuar se me sa vetë luhej futbolli... Kjo ishte ajo që nuk e pranoja asnjëherë dhe kisha neveri.

Kush është lojtari i huaj që të ka bërë më shumë përshtypje te Skënderbeu?

Orelesi në fillimet e veta. Ishte i jashtëzakonshëm dhe larg realitetit shqiptar. Çuditesha se si kish ardhur në Shqipëri. Lojtarë të kompletuar dhe shumë të mirë kanë qenë edhe Radas me Pejiçin. Ishin fantastikë edhe jashtë fushës.

Përveçse keni fituar 6 tituj, a keni bërë ndonjë prapësi në jetën tuaj?

Oh, po! Por pa cenuar jetën dhe rehatinë e askujt. Kam bërë gjëra që mund edhe të mos më kenë bërë mirë mua, por deri këtu. Asnjëherë nuk kam cenuar të tjerët. Ka qenë gjithnjë motoja ime: tjetrin mos e ceno kurrë.

"PROPER PIZZA" NË KORÇË

Si lindi ideja e bashkëpunimit me Flori Mumajesin

Nëse dikush mendonte se Shkëmbi do të vishte tutat e trajnerit menjëherë pasi ka lënë futbollin, është gabuar. Momentalisht, ish-kapiteni i Skënderbeut është i fokusuar në aktivitete që nuk kanë të bëjnë me fushat e lojës. Një ndër to është edhe biznesi që kanë hapur së bashku me Flori Mumajesin dhe Klajdi Harunin në Korçë. Bëhet fjalë për një piceri.13567357_274640286228629_3332659313010150261_n

"Unë jam ortak aty me Klajdi Harunin. Ka pothuajse një vit që unë e mendoja dhe në fund arritëm që ta bëjmë. Shkonim shpesh edhe me lojtarë të tjerë te 'Proper Pizza' në Tiranë dhe pasi hanim e na shijonin shumë, thoshim shpesh se do të hapnim një të tillë edhe në Korçë. Flori, që ishte pronari, u tregua bujar dhe këmbëngulës. Miku ynë i përbashkët, Klajdi Haruni, na pati njohur bashkë dhe Flori na tha se mund ta hapnim në Korçë. Jemi bashkëpronarë me Klajdin dhe ka dashur Zoti që gjërat kanë shkuar mirë. Njerëzit e pëlqejnë pa masë dhe jemi të kënaqur. Kemi një vend tonin dhe presim edhe miqtë. Për fat të mirë, kemi shumë miq", thotë Shkëmbi.

JETMIR HALILI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama