Vdekja e Apollonit rrëfehet përmes fotografisë
Me “Apolloni ka vdekur”, një udhëtim à rebours përgjatë Rrugës Perandorake Egnatia, Instituti Italian i Kulturës sjell artin bashkëkohor në Tiranë dhe zgjedh si rezidencë të ekspozesë së këtij reportazhi fotografik një qendër të njohur bashkimi dhe shkëmbimi kulturor qytetar, vend thuajse simbolikisht në kufijtë e një binari të vdekur të depos së trenave të qytetit, pikërisht galerinë Tirana Ekspres, ku sot përurohet ekspozita “Apolloni ka vdekur”, që sjell rreth 40 imazhe fotografike të realizuara nga fotografi italian Francesco Acone.
Sipas kuratores Giusy Caroppo, projekti është fryt i një udhëtimi të artistit përmes Shqipërisë, Maqedonisë, Greqisë dhe Turqisë, i ideuar dhe i ndërmarrë në gjurmët e mitit apollonik dhe i rrugëtuar përgjatë Rrugës së vjetër Egnatia. Lindur në Salerno, Itali, Francesco Acone nuk e deklaron moshën e tij, sepse i kanë thënë se në botën e artit kjo konsiderohet si hanidikap. I ashtuquajturi si “emigranti i parë italian në Shqipëri”, që prej vitit 2006, ai zgjodhi të jetonte në vendin e shqiponjave (siç pëlqen ta emërtojë). Sot ai punon dhe jeton mes Italisë dhe Shqipërisë. Për herë të parë ekspozoi në Tiranë në galerinë ‘Pantheon’ rreth 13 punë nën titullin “Shkëlqim”. U ftua një vit më parë të merrte pjesë në konkursin ndërkombëtar “Onufri”. Pas kësaj ka hapur ekspozita të ndryshme çdo vit, sa në Tiranë dhe në Itali. Por këtë radhë ai vjen me një ekspoze fotografike në kërkim të miteve të humbura ose, siç thotë ai, të vdekura tashmë. Udhëtimi i tij à rebours këtë radhë e ka çuar përgjatë Rrugës Perandorake Egnatia.
“Në vitin 360 p.e.s. perandori romak Juliani dërgon në Delfi përfaqësuesit e tij për të marrë një përgjigje nga homologu i tij Orakolo, por priftëresha e Apollonit, e pyetur mbi zërin e Perëndisë, shpall mospraninë e tij. ‘Apolloni nuk gjendet më këtu’. Rreth njëzet vjet më vonë, perandori Theodosi I do të shpallte ediktin e Selanikut me të cilin besimi i niçenëve bëhej feja e detyrueshme e gjithë shtetit. Më mbrapa në kohë, më 146 p.e.s., romakët kishin filluar tashmë të ndërtonin rrugën e shtrirjes së tyre në Lindje, duke ndërtuar Rrugën Egnatia.
Duke u nisur nga Dyrrachium, e përfunduan, në fillim, deri në kufirin natyror të lumit Evros në Thrakë dhe pastaj deri në Perandorinë Bizantine. Rruga e madhe bëri të mundur dhe thjeshtësoi spostimet ushtarake, tregtinë, integrimin e kulturave të vjetra me ato të reja, përcjelljen e Krishterimit dhe, në veçanti, të politikës perandorake romake. Asaj që urdhëresa dhe dekretet e Theodhozit i kishin përcaktuar me ligj, Rruga Egnatia i dha në një farë mënyre vendet dhe skenën. Që atëherë, nga imponimi i kulturës së re të përcjellë nga Egnatia, Apolloni u zhduk dhe është e mundur ta imagjinosh vetëm në mungesë të tij, domethënë në humbje dhe në vuajtje, duke qenë se Zoti nuk bën më pjesë në të përditshmen tonë.
Zoti i vetëm pagan shërues akoma në modë është Dhionisi, i Çekuilibruari, por ajo që neve na mungon sot nuk është kënaqësia e të dehurit apo pasuria e titanëve sesa drita, saktësia, njohja dhe shkëputja e Apollonit.”- përshkruan italiano-shqiptari Francis Acone atë çfarë ka parë syri i tij përmes aparatit fotografik. Ashtu si Rruga Egnatia i shërbente romakut në atë kohë të lashtë, në të njëjtën mënyrë u bë e tillë edhe për Acone-n që ndërmori udhëtimin në kërkimin paradoksal të mungesës së Apollonit. Nuk mundi të gjente dëshmi për ekzistencën e imazhit të Zotit, asnjë kolonë apo tempull që mund të mbështeste kërkimin e tij. “E dukshme është vetëm mungesa në kontrast me gjurmët e së tashmes.
Por udhëtimi i Egnatias, përveçse të dizenjojë dhe përcaktojë kufijtë e imagjinatës, tregon vetë Rrugën dhe Historinë, dhe lançon një sfidë estetike, ekzaltuese ndaj së tashmes. Shenjat e kohës na tregojnë gjenialitetin e rafinuar të tokave të ndryshme, por të bashkuara nga një fuqi e vetme, na tregojnë për bukuri të tjera të përfshira në formën e harkut, të mozaikut, të afreskut dhe të bazilikës në ekuilibër me natyrën përreth nën shprehjen e një tjetër bukurie. Llogaria e “mbyllur” me të shkuarën Apollonike hapet tani drejt Bashkëkohores, me të cilën Rruga Egnatia, nga largësitë e historisë së saj mijëvjeçare, shikon me krenari, ndoshta e pajustifikuar, sepse krijuese dhe protagoniste e kësaj aventure qëndron gjithmonë Njeriu.”- shpjegon Francesco Acone gjithë rrugëtimin e tij në kërkim të një shenje të Apollonit. Ekspozita do të çelet sot më 23 nëntor dhe do të qëndrojë e hapur në Galerinë Tirana Ekspres deri më 30 nëntor.