Vdekja e ngadalte e Amfiteatrit

Vdekja e ngadalte e Amfiteatrit

Që ky objekt monumental i antikitetit shqiptar po vdes për këtë nuk ka më asnjë mëdyshje, por që ne të gjithë po i japim një dorë, për këtë pak njerëz mund të habiten sot. Imazhet e fshira të afreskut në një nga thollot anësore janë një nga shembujt më të qartë sesi po degradohet pa kthim amfiteatri dhe sesa të pazotë janë të gjithë strukturat tona për ta mirëmbajtur... Por po të shohësh dhe si lulëzojnë dhe si zbukurohen ndërtimet pa leje sipër, atëherë misioni i mirëmbajtjes mund të quhet krejt i pamundur...

Afresku është i zbehur krejt në mur dhe dita e shiut që ka vazhduar deri pak orë më përpara, duket sikur pothuaj nuk ka lënë asgjë të dukshme. Në fakt, shkatërrimi i afreskur përballë ka kohë që ka filluar, ashtu si edhe e gjitha kjo strukturë monumentale. Ajo i ka mbetur kujtesës dhe referimeve të specialistëve.  Fotografi i vjetër, që na bën shoqëri në amfiteatrin e Durrësit, e ka të fotografuar në kohët më të mira dhe në kushte të tjera. Kjo e lehtëson disi. F

 

litet për afreskun dhe mozaikun në kapelën  e shën Stefanit në Amfiteatrin e Durrësit. Kemi ardhur pak para orës 09.00, kurse portierja që shërben atje nuk është, por e ka lënë pakëz derën hapur si për të treguar se ka ardhur, por orari është orar. Një grup turistësh baresin dhe flasin me njëri-tjetrin. Janë sllavë. “Këta dreq vinë dhe ikin dhe mezi futen“, thotë një banor teksa zbret nga sipër. “E ç’të duhet ty”,-ia pret tjetri. E ç’të duhet!-është metaforë e njohur ndër njerëz që baresin këtej. Kjo do të thotë pak a shumë: Bëj, ç’të mundesh! Gjithsesi sapo portierja vjen futemi brenda. Shkëmbejmë dy fjalë me turistët e huaj që e kanë me nge dhe u pëlqen amfiteatri ashtu si është, por që më shumë i gëzohen diellit. Fotografi bën udhë. Ngjitemi në platformën e sheshtë dhe që andej i drejtohemi hyrjes së njohur.

 

Nga studiuesit është e konfirmuar se qysh prej viteve ‘80 të shekullit të shkuar në qemerin sipër mozaikut mural në kapelën e amfiteatrit të Durrësit ende shquhej qartë një medaljon, i cili kish të brendashkruar tij figurën e Krishtit Pantokrator, që me dorën e djathtë bekonte e me të majtën mbante ungjillin. Këtë mundohem të shquaj dhe i bëj pak dritë me phonebook. Por Krishti, që shfaqet para aplikacionit tim, ka humbur në thellësitë e shekujve për të mos dalë më. Më shumë e imagjinoj. Hija e tij, është edhe më e zbehtë prej kohës dhe rrjedhja e ujërave ngado ia kanë fshirë krejt imazhin, figurës që përballoi sfidën me shekujt. Në këtë gjendje, askush s’bën më dot gjë. Afresku është gati i fshirë, ndërsa pisllëku dhe mbeturinat e ujërave të zeza e qarkojnë në çdo vend. Më duket e mirë që turistët nuk vinë! Sikur të isha vetëm, o duhej të isha shumë i vëmendshëm për ta identifikuar, o s’do më bënte fare përshtypje pasi nuk do e dalloja fare. Por, edhe nëse e këqyr, ajo ia vlen sot thjesht për kujtesë dhe asgjë më shumë. I vetmi hap i fundit pozitiv në amfiteatër është ndriçimi dhe asgjë më shumë. E për shkak të ndihmës së znj. Nishani në këtë proces emri i saj është i shkruar me të madhe!!
 
Intermexo


 Nga ana ikonografike kjo skenë e Krishtit Pantokrator njihet në fillesat e saj në Shekullin V pas Krishtit (Dh. Dhamo). Këtu merr një rëndësi akoma më të madhe ky afresk pasi edhe realizimi i tij mbetet të jetë realizuar në këtë shekull, pasi mozaiku që ka mbuluar një pjesë të afreskut u realizua në shek. VI pas Krishtit. Në anën veriore të kapelës përballë skenës me mozaik ndodheshin edhe disa figura në këmbë me veshje femërore. Në ditët e sotme të tëra këto figura janë të pa ose fare pak të lexueshme nga dëmtime dhe rënia e pelikulit për shkak të lagështirës.
 
Afresket dhe mozaikët e Amfiteatrit


Për hir të së vërtetës, zbulimi i mozaikëve të tjerë paleokristianë në Bylis, në Elbasan, Durrës, si dhe disa pamjeve me afreske të kësaj periudhe, që do identifikoheshin në kishën e 40 shenjtorëve në Sarandë, apo në bazilikën paleokristiane në qytetin e Elbasanit, do tregonin për një zhvillim të mirë të kësaj pune në tërë territorin e vendit për krijimin e atelieve vendase të pikturës dhe të mozaikut në një periudhë të hershme të përhapjes së Krishtërimit. Zamiri, fotografi “i vjetër” ma përshkruan sikur e ka t’gjithën përballë syve. Sa keq, ajo është e shuar! Pak më parë kemi parë mozaikun dhe ai në rënie e sipër dhe gjithnjë e më i pamundur. Sapo ka mbaruar shiu, ndërsa ujërat mblidhen  dhe ende pikojnë  në galerinë e mesit, në biletari dhe kudo por ajo që ishte edhe me  e pa besueshme dhe e pa pranueshme  ishte  rrjedhja  e ujërave të zeza nga galeria e sipërme nëpërmjet dy shkalleve deri në galerinë e poshtme ku nëpërmjet saj filtroheshin, kujtoj Genc Samimin, që është marrë pak kohë më parë me restaurimin. Nga restauratori Gjergj Frashëri kam dëgjuar se shpëtimi është të hiqen shtëpitë dhe të reformohet strukturat teknike-administrative. Ani, gjërat shkojnë e vijnë dhe situata po mbetet e njëjtë. Për amfiteatrin, publiku u kujtua nga lajmi i “Europa Nostra”, që e rreshtonte objektin monumental në një nga shtatë më të rrezikuarat në kontinent. Fatkeqësia e këtij vendi filloi prej viteve ‘90, kur mbi mbetjet e Amfiteatrit filluan të ndërtoheshin pa leje dhe pa kokëçarje banesa private, me të cilat u dhunua si mjedis historik, por edhe u dëmtua pa rekuperim substanca e vet ndërtimore dhe arkeologjike.
 
Kushtet


Ajo që ka thënë Samimi, restauratori i njohur më ka mbetur në mëndje: Po si ka mundësi, më thotë një moment, që vazhdohet kështu. “Katër ditë  në mënyrë të vazhdueshme  ujërat e zeza  në sasi të konsiderueshme  bënin punën  e tyre  shkatërronin këtë vepër unikale  inxhinierike dhe vizitoret e shkretë vazhdonin të vinin  e të kalonin nëpërmjet këtyre ujërave të zeza. Bisedova  me një specialist të vjetër dhe me tha që kanalet e ujërave të zeza që përqafojnë nga jashtë Amfiteatrin   janë zënë pjesërisht  prej vitesh,  nuk e tërheqin  të gjithë sasinë që shtohet edhe  në kohen kur bie shi dhe  ujërat  nëpërmjet tubave të çara  filtrojnë dhe  kalojnë në galerinë  e  sipërme të  Amfiteatrit. Kemi  lajmëruar disa herë  ujësjellës-kanalizimet, por kur vinë këtu thonë ama punë shteti  dhe ikin”... A do fillojë ndonjëherë ndonjë konservim i tij?!

 

Një çift të huajsh që flasin sllavisht na shikojnë si të habitur që po merremi kaq shumë me foton e afreskut. U duket sikur po bëjmë një konspiracion. Burri i thotë gruas se është shumë pis, kaq sa të duket sikur shqiptarët e përdorin këtë ngrehinë thjesht për WC qytetëse! Fatkeqësisht ka të drejtë. Nuk është se kam shumë kulturë për kanalizimet, por s’kuptoj sesi ‘guximtarët’ që e bënë katrahurën dhe ndërmarrja e kanalizimeve nuk sajoi ndonjë projekt se ku duhej të shkonte kanali që përqafon në pjesën e sipërme  Amfiteatrin, për të mos ia lënë rrjedhjen e ujërave të zeza prej disa vitesh monumentit. Më qeshet me fjalët e Ministrisë, Institutit, strukturave rajonale që s’janë në gjendje ta zgjidhin edhe një gjë kaq të lehtë. Të mbysin me strategji dhe fjalët e kompetentëve që baresin me makina milionëshe. Pak kohë më parë erdhi një shpurë e tërë për inspektim: ekspertët e trashëgimisë kulturore nga “Europa Nostra” dhe përfaqësues të bankës së Këshillit të Evropës për Zhvillim. Në muajt në vazhdim pritet ndërhyrja, që duket se nuk do jetë aspak e lehtë. Të habit fakti sesi ekzistojnë kaq shumë ekspertë dhe ende nuk e gjejnë dot ende sistemin e kanalizimeve të hershme të inxhinierëve antikë, ku më pas do të ndërhyhej me arkeologët e sotëm profesionistë. Aty mendohet se fillojë shpresa që të zgjidhet kjo punë e mbetur pezull që nga mjeshtrit romakë, kujtoj shkrimin e një profesionisti të sotëm.
 
Pak retro


Pak javë më parë, ’Europa Nostra’ një nga institucionet e njohur të trashëgimisë evropiane, mori në konsideratë propozimin e bërë nga një shoqatë shqiptare për Zhvillimin e Turizmit Kulturor (ADCT) për Amfiteatrin e Durrësit, e cila me anë të logjistikës së saj e paraqiti si një nga objektet që e meritonte realisht statusin e grupit më të rrezikuar të monumenteve në Evropë. Por, në fakt punën më të madhe e filloi në vitin 1999, institucioni privat LAND në Gjermani (Aldenhoven). Gjergj Frashëri, pjesë e saj, kujton se institucioni hartoi një projekt gjermano-shqiptar mbi ruajtjen, mbrojtjen dhe shpëtimin e trashëgimisë historike të qytetit të Durrësit në bashkëpunimin me Institutin Arkeologjik dhe atë të Monumenteve të Kulturës në Tiranë.

 

Projekti konkretizonte detyrat e Marrëveshjes Evropiane për shpëtimin e trashëgimisë kulturore dhe të nëntokës arkeologjike në qytetin e Durrësit nga bumi ndërtimor që kishte filluar në vitet ‘90. Theksi ishte mbi ndërtimet pa leje që po pushtonin para syve të të gjithëve amfiteatrin. Më vitin 2008 Fondacioni “Qendra Frashëri” i sapo krijuar në Tiranë dhe në bashkëpunim me institutin privat gjerman “Stadtarchaeologie” (Köln, Berlin) përgatiti një Masterplan me titull “Projekt Restaurimi i Amfiteatrit në Durrës, për qëllime muzeore dhe vënien në përdorim si vend shfaqjeje”. Zbatimi i këtij projekti parashikonte daljen e plotë nga rreziku të amfiteatrit në mënyrë të qëndrueshme. Projekti u miratua në parim në Mars 2010 nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë të MTKRS-së (vendimi Nr. 60 datë 18.03.2010). Në vitin 2011 të gjithë hapësirës së amfiteatrit iu bënë matjet me Skaner-Lazer-Tre-Dimensional (të modelit amerikan Trimble), që është sot teknologjia ultra-moderne e dokumentimit të veprave industriale, në ndërtimet e rrugëve, tuneleve, urave, gjeologji, etj. Nuk e di më fatin e tij. Kam frikë se këtë nuk e di edhe z. Frashëri dhe të gjithë që merren me të.
...


Janë aq shumë gjëra që kemi dëgjuar për amfiteatrin saqë ajo që na mbetet është thjesht të ikim. Sllavët e kanë mbaruar inkursionin dhe janë ngjitur dhe po marrin diell. Kushedi, mbase mendojnë sikur të kishin një të tillë. Për fat, ajo e Splitit se kanë më ashtu si shumë syresh që u kanë ikur me Federatën. Kurse ne që e kemi, duket se nuk do ta gëzojmë më dot asnjëherë sa duhet. Një burrë që është në shtëpinë mbi platformën e skenës më shikon me ngulm nga brenda. Unë e fotografoj. Ai fshihet. Krishti Pantokrator, po ashtu ka humbur. Nuk ka ç’ti bëj fëlliqësirës që i rrjedh ngado nga ne vandalët e shekullit XXI. Nuk di se kur do merren njëherë seriozisht me Amfiteatrin.

Dimër 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama