Vdekja e paralajmeruar e Liqenit te Butrintit

Vdekja e paralajmeruar e Liqenit te Butrintit

Është një këmbanë alarmi që bie për të gjithë shoqërinë që veten me duart tona të mos varrosim nesër. Problemi do parë më thellë, përtej një emisioni televiziv. Është fjala për një ndër resurset më të mira dhe të mëdha të vendit. Liqeni s’duhet marrë i veçuar nga mjedisi ku gjendet dhe kufizohet. Madje nuk duhet marrë i shkëputur nga turizmi në perlën e vendit, Saranda dhe Ksamili. Mbipopullimi i qytezës së Ksamilit me të ardhur nga zonat e thella të vendit, ka rritur kostot dhe riskun për të jetuar me natyrën që e rrethon. I njëjti fenomen që ndodhi me të ardhurit në vitet ‘90, sot po ndodh me liqenin. Filluan me agrumet dhe ullinjtë, prerë pa mëshirë dhe pa mëshirë po ushtrohet dhunë edhe mbi liqenin. Babëzia e njerëzve nuk pyet për pasojat. Çfarë përfaqëson Liqeni i Butrintit? Ai është një magazinë e madhe ushqimore në gjendje natyrale, që plotëson nevojat për peshk dhe molusqe për një numër disa herë më të madh se qyteti i Sarandës. Liqeni shërben edhe për rruajtjen e balancave për ekosistemin e zonës. Madje liqeni shërben edhe për gjueti rosash të egra dhe shpendësh të tjerë. Stabilizon motin dhe ndikon shume që në zonë të ketë rendimente të larta në agrume.

Të njëjtin ndikim ka edhe për peshkun që shumëzohet brenda kushteve optimale. Ai është një inkubator që Zoti na e ka falur. Njëkohësisht ai është një burim i pashtershëm të ardhurash nëqoftëse do të shfrytëzohet me intervale kohore dhe do të administrohet në mënyrë eficente nga minindërrmarjet e peshkimit. Në mënyrë kategorike kryeministri, me tagrin që e ka nga populli, duhet të vendosë një moratorium mbi liqenin. Butrinti, liqeni ku ai shtrihet sot, shërben si objekt i punës së qindra familjeve. Dobësia e vëmendjes nga ana e shtetit, mbi të gjitha e bazës infrastrukturore që është e nevojshme dhe gjendja aktuale e tij ka sjellë mungesa në kultivimin, prodhimin dhe eksportin e midhjes, shumë e kërkuar si për tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm. Neglizhencë që në vite ka sjellë për pasojë edhe humbjen e besimit te vetë kultivuesve dhe partnerët e huaj.

Si rezultat i mungesës në tryezat e familjeve shqiptare të prodhimeve të tij është rritur numri i sëmundjeve këto vitet e fundit.Vdekshmëria në kushtet e sotme është rritur në raport me vitet para 90. Është rritur shkalla e sterilitetit të dy gjinive. Aty gjuhet pa kriter dhe kjo për të ardhmen, përbën një problem të madh. Krahas saj kemi zhdukjen e kallamit, zhukut dhe vrikës që shërbejnë për të krijuar një ambjent sa më të përshtashëm për rritjen dhe kultivimin e peshkut. Përdorimi i pesticideve në bujqësi dhe pasojat e tij i jep në liqen nga ku përfundojnë me anë të lumit Bistrica dhe ndotin gjithçka mundin. Numri i pakët i specialistëve të ujërave dhe biologëve për të matur parametrat optimalë të liqenit është një dobësi tjetër. Gabimisht po thellohet Buka e Vivarit për hyrjen e ujrave të kripura. Kryesorja është lejimi i të gjithë lumit Bistrica që të futet në liqen për frymëmarje gjatë muajve prill deri në shtator. Kjo është më e pakta që të mos kthehet në një gjol, kur gjysma e saj ka vdekur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama