Vdekja e qytetit

Pasditeve dielli rrëmihte një shteg të fshehtë…
Visore t’padukshme natën rrisnin shtatzaninë:
E nesërmja hovte e tradhëtohej n’pandehmë…
Pluskonin të prapmet e sendeve. Me zjarrminë
Dhe uji dhe limfa zvetënoheshin në djersë.
Shkarja. Shkarrëzimi i madh shkagonin kujtesë:
Praptonin zogjtë: një nga një binin, piqeshin si qiqra
Në të kundërt të perspektivës. Bulevardi
i mysët e kruspull si shpinë krokodili në hithra -
A si lundër e kalbur përmbys – tash nga inati
i zhdukjes së afërt i hante, i mbante për vete:
Dhe zhurmën e takave, patkonjve, dhe kërkkëllimën e qerreve.
Tash e shoh gjithkah: një pjesë mblidhet të ikë nga një pjesë
Që nuk ngutet të vdesë. Përmidis, tejendanë – mërira –
Kërpudha pikëlore helmkuqe. E me gjuhë nepërke të zezë
Ajri gulçon mes pllakash betoni, barrela, fuçira.
Një vozë cit me yje u vetëvra e gjaku pëlciti, i errët e i trashë
Mbrëmëherë, në një qoshe ku kriheshin melekët
Që digjeshin zjarrmie n’ekstazë mullarëve me kashtë
Kumtri. Kumti. Kurmi. Kulmi. Kumbi. Kusuri...
Ne bjerrur i kishim dhe gjestin, dhe fjalën dhe rëndë si buaj
Përtypnim dhe ndillnim pandehma të egra tamburi
Nën ritmin e çartur, nën jehun epsharak të çizmes së huaj.
Qenë pjekur gështenjat. Dhe binin. Si gëzhoja përtokë
Mbi kalldrëme, gjerkur, një ditë edhe boçet mbetën
Gojëshqyera, pa dhëmbë, si vezme të zbrazëta e, tok
Me ta, duarlart, spaletat e gjetheve ndër erëra shkapetën.
Dielli përvidhej – e thamë – një shtegu të murrmë:
Në prisnim. Ditënatë. Gjuhëjashtë. Agsholesh me brymë.
Çatisën rrebeshet dhe dhëmbët i thyen në shkumë.
Atëherë kurrizi i krokodilit lëvizi: pluskoi n’lundrim.
Si lundër e kalbur bulevardi kalamendej i dehur
Dhe shiu i shkrehu epshet e errëta gjer në mëngjes,
Dhe pirgjet me ëndrra dheu dhe gurësh të pjekur
U shuan të gjitha në gëlqere harrese: as kërma, as shpesë,
As engjëj krahëthatë s’denjuan të jenë, për besë,
Së paku, cezurë efemere në pauzën e vdekur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama