Vdes El Gabo markezi i Realizmit Magjik

Vdes El Gabo, markezi i 'Realizmit Magjik'

Vdes në moshën 87-vjeçare nobelisti Gabriel Garcia Markez. A ishte përfaqësues i letërsisë së Amerikës Latine

 

Njeriu  që e ka përshkruar aq mirë vetminë në botën tonë, u nda dje nga jeta duke e lënë botën njëfarësoj vetëm. “100 vjet trishtim për vdekjen e kolumbianit më të madh të të gjitha kohërave”, shkruante Presidenti i Kolumbisë dje, menjëherë pas lajmit për ndarjen nga jeta të Gabriel Garcia Markez. “Shkrimtari që çliroi dhe i hapi rrugë shpërthimit të letërsisë spanjolle në mbarë botën”, shkruan The Guardian pak orë pas vdekjes së 87-vjeçarit që kishte vite që jetonte në Meksiko dhe po ashtu prej kohësh vuante nga probleme jo të vogla shëndetësore.

 

Shkrimtari kolumbian, fitues i çmimit ‘Nobel’, Gabriel Garcia Markez ishte shtruar në spital për shkak të një infeksioni, ndërsa kishte kaluar më parë një kancer. I njohur si El Gabo, Garcia Markez konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë, i njohur më së shumti për librat “Njëqind vjet vetmi”, “Dashuri në Kohërat e Kolerës”, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj”, “Kronikë e një vdekje të paralajmëruar”. Ai mori Nobelin në letërsi në vitin 1982 dhe mbetet figura përfaqësuese e “Realizmit Magjik” dhe një nga shkrimtarët më me ndikim në botë.

 

Ai u bë i njohur fillimisht si gazetar, profesion nga i cili siç thotë nuk hoqi dorë asnjëherë. Reportazhi i tij i famshëm “Historia e marinarit të anijes së mbytur” është i pari në listën e gjatë të librave që i sollën famën dhe i dhuruan botës pjesë letrare të jashtëzakonshme. “Unë jam një gazetar. Unë gjithmonë kam qenë një gazetar”, i tha ai AP në një prej intervistave. “Librat e mi nuk do mund të ishin shkruar nëse unë nuk do të isha një gazetarë, sepse gjithë materiali është marrë nga realiteti”, thoshte Markez.

 

Shkrimtari u bë flamur mbajtësi i letërsisë së Amerikës Latine, por me një jetë plot kundërshti. Ai gjeti një shteg negociatash mes guerilësve kolumbianë dhe qeverisë për të ndaluar luftën civile, vendosi miqësi me Fidel Kastron dhe nga ana tjetër i mbajt mëri për 30 vjet shokut të letrave Mario Vargas Llosa. Në vend të obituarit më poshtë një lamtumirë nga Gabriel Garcia Markez:

 

Miqtë e mi, lamtumirë!

 

Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copë jetë, mbase nuk do thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do mendoja të gjitha ato që po them. Do u jepja rëndësi gjërave jo për vlerën e tyre, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë. Do vazhdoja, kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha, kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja, kur të tjerët do flisnin dhe sa do e shijoja një akullore me çokollate!

 

Nëse Zoti do më jepte një copë jete, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit, duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin tim. Zoti im, nëse do mundesha do shkruaja urrejtjen time mbi akull dhe do prisja të dilte dielli. Do pikturoja një ëndërr të Van Gogut mbi yje, do recitoja një poezi të Benedetit dhe një këngë të Sheratit. Kjo do ishte serenata që do i dhuroja Hënës. Do ujisja me lotët e mi trëndafilat, që të ndjeja dhimbjen nga gjembat e tyre dhe puthjen ngjyrë kuqe nga fletët e tyre.

 

Ah, Zoti im! Sikur të kisha një copë jetë, nuk do lejoja të kalonte as edhe një dite pa i thënë njerëzve që dashuroja, se i dashuroja. Do të bëja që çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do dashurohesha me dashurinë. Njerëzve do t’u tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë së dashuruari. Fëmijës së vogël do i jepja pendë, por do e lija të mësonte vetë se si të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria, por harresa.

 

Mësova kaq gjëra nga ju njerëz. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret në “faqen e pjerrët”. Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngon për herë të parë me pëllëmbën e tij të vogël gishtin e babait të tij që zgjatet, e robëron atë përgjithmonë. Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet. Janë kaq shumë gjëra që mësova prej jush, por me të vërtetë nuk do hyjnë në punë, sepse kur të më mbajnë të mbyllur brenda në këtë valixhe, fatkeqësisht do jem i vdekur.

 

Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon. Nëse do e dija që sot do ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do i lutesha Zotit që të bëhesha roja i shpirtit tënd.

 

Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja  përsëri që të të jepja edhe të tjera.

 

Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të dëgjoja zërin tënd, do incizoja çdo fjalë tënden, që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri.

 

Nëse do e dija që këto do ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thoja “të dashuroj” dhe do supozoja, jo logjikisht, se e dije më parë.  Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nqs bëjmë gabime, na mbetet vetëm e sotmja. Do doja të të thosha se sa shumë të dua dhe se kurrë s`do të të harroj.

 

E nesërmja nuk është e sigurt për askënd si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj, mos prit më, bëje sot, sepse e nesërmja nuk vjen kurrë, sigurisht do pendohesh për ditën, kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe shumë i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre. Mbaj ata që dashuron pranë vetes, thuaji, duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjeje kohën për ta, thuaji “më vjen keq”, “më fal”, “të lutem”, “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di.

 

Asnjeri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama