Vdes Lizarralde perkthyesi i Kadarese e Kongolit
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
E, ndërsa kishte ende shumë kohë përpara e shumë libra për të përkthyer, u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare. Të dielën pasdite u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe, Ramon Sanchez Lizarralde. Lajmin e bënë të njohur familjarët e tij.
Lizarralde ishte përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle. Një njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai përktheu në spanjisht pothuajse të gjithë korpusin letrar të Ismail Kadaresë, që nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” te “Kronikë në gur”, nga “Koncerti” te “Darka e gabuar”. Ai i dha gjithashtu lexuesit spanjoll dhe latino-amerikan një pjesë të përrallave shqiptare, një mision shumë i vështirë për çdo përkthyes. Ramon Sanchez përktheu edhe autorë të tjerë si Mitrush Kuteli, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Xhevahir Spahiu, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj.
Lizarralde kishte një marrëdhënie të veçantë me shqipen. E kishte mësuar atë në Shqipëri, ku mori edhe një diplomë e më pas do të ngrinte një traditë të tërë të përkthimeve nga shqipja në spanjisht, një terren i paprekur më parë. “Kam jetuar në Shqipëri për 4 vjet në fillim të viteve ’80. Në fillim si militant për të bashkëpunuar në edicionet në gjuhën spanjolle të “Radio Tiranës” dhe duke dhënë mësime në spanjisht. Më interesonte ai vend, njerëzit, mësova gjuhën, lexova gjithë çfarë munda dhe mora një diplomë në gjuhën shqipe. Pas kthimit, interesi dhe dashuria për letërsinë më çuan më tej. Sigurisht kam shumë për të mësuar ende”, do të thoshte në një nga intervistat e tij përkthyesi, i cili nuk linte rast pa ardhur në Shqipëri, në seminare e konferenca ku flitej për përkthimin.
Përkthyesi i gjuhës së “vogël”
Shpesh e pyesnin se pse iu dha gjuhës shqipe, e cila gjithsesi është një gjuhë e vogël, që flitet vetëm prej një popullate të kufizuar e si rrjedhojë edhe letërsinë e ka të vogël, por Lizarralde nuk binte në një mendje. “Është një gjuhë shumë shprehëse, me burime të mëdha, të bollshme, me shumë gjasa një nga më të lashtat në Europë. Kur unë fillova të interesohesha mbi mundësinë për të përkthyer në spanjisht disa nga titujt më të rëndësishëm të letërsisë, nuk kisha një traditë paraardhëse (nga ky drejtim, sepse nga spanjishtja në shqip ekzistonte një traditë e gjerë) dhe më qëlloi mua fati që të bisedoja dhe të bindja botuesit mbi cilësinë e veprave të Kadaresë. Tani, mund të duket e çuditshme, por nuk ka qenë fare e thjeshtë edhe pasi ata kishin botuar disa prej romaneve të tij. Në fazën fillestare, ka qenë Mario Muchnik që pati qartësinë e mjaftueshme për të ndërmarrë detyrën e redaktimit. Më pas erdhën të tjerët dhe vit pas viti u botuan të gjitha veprat e Kadaresë, sigurisht përkthyer nga unë. Sigurisht, kam provuar të promovoj edhe autorë të tjerë, si Bashkim Shehu, që jeton në Barcelonë, Mitrush Kutelin, një nga themeluesit e rrëfimit shqiptar, për të vijuar me të tjerë shkrimtarë, si Fatos Kongoli, një shkrimtar i mrekullueshëm, i cili ishte botuar thuajse në të gjitha gjuhët e botës, por asnjë në spanjisht”, do të vijonte ai.
Çmimet
Për përkthimet e tij nga gjuha shqipe, Lizarralde fitoi në vitin 1993 “Çmimin Kombëtar Spanjoll të Përkthimit” për romanin “Koncerti” të Ismail Kadaresë. Ne vitin 2005 ai u nderua nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë me çmimin “Pena e argjendtë” për kontributin e tij në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë. Para disa kohesh, Mbreti Huan Carlos i Spanjës e nderoi përkthyesin e njohur me titullin “Comendador i Urdhrit për Merita Civile” për kontributin e dhënë për njohjen dhe nxitjen e miqësisë midis popujve të Shqipërisë dhe Spanjës. Ramon Sanchez është gjithashtu autor i shumë botimeve dhe studimeve që lidhen me fushën e përkthimit dhe të studimeve shqiptare, për të cilat ai fitoi një njohje të gjerë ndërkombëtare.